Kthehu lart

Cili është sekreti i qëndrueshmërisë së atletëve?

Cili është sekreti i qëndrueshmërisë së atletëve? GazetaExpress

Vrapimi në një ultramaratonë prej 246 kilometrash kërkon ushtrime dhe përgatitje të jashtëzakonshme fizike. Sidoqoftë, pavarësisht nivelit të këtyre përgatitjeve, suksesi i atletëve besohet se varet më tepër nga qëndrueshmëria mendore sesa ajo fizike.

Në orët e para të një mbrëmjeje shtatori, diku në mes të Athinës dhe Spartës, në Greqi, një grup vrapuesish vrapojnë duke qëndruar afër njëri-tjetrit. 

Është errësirë dhe po bie shumë shi, por këta vrapues janë të vendosur t’i dalin në fund një vrapimi të jashtëzakonshëm me gjatësi 246 kilometra. Ky vrapim është një ngjarje vjetore në Greqi, ku vrapuesit nisen herët në agim nën hijet e Akropolisit në Athinë dhe e përfundojnë vrapimin në Spartë. 

Kjo garë u mbajt për herë të parë në vitin 1983, ku koha e fituesit ishte 20 orë e 25 minuta. Prej asaj kohe, asnjë vrapues nuk ka qenë në gjendje që ta thyejë këtë rekord. Sidoqoftë, njerëzit që ende po provojnë ta thejnë këtë rekord nuk mungojnë as në ditët e sotme.

Popullariteti i ultramaratonave është rritur në masë të madhe viteve të fundit dhe rrjedhimisht është rritur edhe interesi i shkencëtarëve për ta analizuar punën e trupit nën këto kushte ekstreme. Sigurisht që kushdo që do të marrë pjesë në këtë vrapim do të jetë duke vrapuar për një kohë të gjatë. 

Çfarë nevojitet për një qëndrueshmëri kaq të lartë fizike dhe mendore? Cilat taktika i përdorin këta atletë që ta mbajnë veten të motivuar dhe të mos dorëzohen gjatë garës? Mark Burnley, fiziolog i qëndrueshmërisë në Universitetin e Kentit, studion parametrat biologjikë të cilët e përcaktojnë shpejtësinë e vrapimit të një personi në gjatësi të ndryshme, duke filluar nga vrapimet “sprint” deri te ultramaratonat.

Gjatë vrapimeve në gjatësi të madhe, ekzistojnë tre parametra që e përcaktojnë përformancën, thotë Mark Burnley. E para që ndikon në përformancë është sasia maksimale e oksigjenit që mund ta përdor organizmi gjatë ushtrimeve. 

E dyta është shkalla në të cilën fillon grumbullimi i acidit laktik, që nënkupton periudhën kohore gjatë së cilës një person mund të vrapojë pa krijuar sasi më të madhe të acidit laktit sesa sasia të cilën organizmi mund ta mënjanojë. 

Ndërkaq faktori i tretë ka të bëjë me vrapimin “ekonomik”, që nënkupton shfrytëzimin më të mirë të mundshëm të energjisë trupore në raport me kohën dhe gjatësinë e vrapimit.

Pavarësisht rëndësisë së faktorëve biologjikë dhe fizikë në përformancën e vrapuesit, ka dëshmi se rëndësi të veçnatë ka edhe qëndrueshmëria mendore. Më saktësisht, qëndrueshmëria mendore ka të bëjë me aftësinë e personit për t’i duruar dhimbjet trupore dhe lodhjen. 

Në vrapimet me gjatësi jashtëzakonisht të madhe, ka çaste kur vrapuesit ndihen të hutuar dhe kanë problem me drejtpeshimin. Carla Meijen, specialiste e psikologjisë sportive, thotë se suksesi i vrapuesit varet në përgatitjen e tij mendore për të mos u dorëzuar në ato çaste. “Mendoj se gjysma e parë e garës vrapohet me këmbë, ndërsa gjysma e dytë vrapohet me mendje”, thotë ajo, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Përktheu: Nasuf Abdyli

    Data: 07 Nentor 2018 12:32
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera