Kthehu lart

Triumfi në Interpol

Triumfi në Interpol Autori: Zoran Panoviç GazetaExpress

Vetëm disa ditë pasi Kancelari austriak Sebastjan Kurc u prit në Beograd si mik i madh, pas votimit të austriakëve pro antarësimit të Kosovës në Interpol, Daçiçi ia filloi të zgërdhihej me Kurcin sepse mbiemri i tij në trajtën emërore tingëllon, në gjuhën serbo-boshnjako-kroato-malazeze, me organin gjenital mashkullor

Po i shkruaj këta rreshta një ditë pasi Interpoli vendosi të mos e pranojë Kosovën në anëtarësinë e vet. Përsa i përket euforisë, vendin e parë e zë ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç, dhe e tërë atmosfera, te pushtetarët dhe mediat e tyre, mund të krahasohet me fitoren tani së afërmi të Zvezdës me Liverpulin, ose kur një herë e një kohë Marija Sherifoviçi i solli fitoren Serbisë në konkurimin për “Këngën e Eurovizionit”. Por, ndërsa fitorja ndaj Liverpulit edhe ishte “çudi”, sikurse thotë Presidenti Vuçiç, kjo me Interpolin, mendon ai, ishte rezultat i një pune të zellshme të një shteti të përgjegjshëm dhe kryeneç. Vuçiçi gjasme u përpoq ta kanalizonte triumfalizmin e Daçiçit duke theksuar se për këtë askush nuk duhet të poshtërojë Kosovën. Presidenti ishte i befasuar në mënyrë të pakëndshme me votimin e Paraguajit dhe Kazakistanit, për shembull, ndërsa ishte befasuar këndshëm me votimin e Japonisë.

Unë e kuptoj rëndësinë dhe gjenezën e marrëdhënieve serbo-shqiptare, por gjithsesi është disi surrealisht poshtëruese që për dy popuj fqinjë në Ballkan, qoftë edhe të tillë siç janë, në njëfarë mënyre të vendosin Paraguaji, Kazakistani dhe Japonia. Ja, tani që po të shkruaj, Vuçiçit na i erdhi letra e Presidentit francez Makron. Ja edhe një fitore tjetër, ose më mirë të themi, melhem në plagë, pas poshtërimit që Serbia dhe Vuçiçi përjetuan në Paris me rastin e ceremonisë përkujtimore të njëqindvjetorit të përfundimit të Luftë së Parë Botërore. Presidenti francez i drejtohet kolegut të tij serb me shprehjen “I dashur Aleksandër”. Me këtë letër Makroni dëshiron që ta falënderojë personalisht Vuçiçin për praninë e tij në ceremoninë e Parisit, duke theksuar atë që Serbia dëshiron të dëgjojë – mirënjohje për fitoren dhe viktimat në Luftën e Madhe. Dhe këtë ndjesi të aleancës, sikurse paralajmëron Makroni, do ta përjetojë së bashku me Vuçiçin gjatë vizitës së tij në Serbi më 5 dhe 6 dhjetor të këtij viti.

Pak më parë, i dashur Mustafa, përmenda fjalën “poshtërim” kur ishte fjala për ceremoninë e Parisit. Po përpiqem të të shpjegoj se përse serbët janë të ndjeshëm ndaj temës së Luftës së Madhe, gjë që në thelb nuk ka lidhje me shqiptarët. Ja një shembull nga familja ime: Katragjyshi im, Sreto, kishte tre djem: Angjelkon (stërgjyshi im), Damjanin dhe Negjon. Që të katër, në vitin 1914, nga fshati Radovac afër qytezës së Pozhegës në Serbinë Perëndimore, shkuan në luftë. Në frontin e Selanikut u vranë Sreto, Anxhelko dhe Damjani. Negjoja ishte i vetmi që u kthye. Por i plagosur rëndë. Vdiq në kohën e Luftës së Dytë Botërore nga pasojat e plagëve. Dhe nuk mundën ta varrosin për dy ditë, sepse, sikurse flitej nëpër fshat, avionët gjermanë hidhnin bomba, dhe njerëzia frikësohej; tamam kur të niseshin drejt varrezave, mund të shfaqeshin avionët gjermanë dhe për pasojë njerëzit e ardhur për kryeshëndosh t’ia mbathin. Ka shumë histori familjare të tilla, për të cilat periudha e luftës 1914-1918 më saktë mund të quhet “Armagedon”. Në këtë kuptim, shumica e serbëve, madje edhe ata që nuk e kanë për zemër Vuçiçin, është ndjerë e fyer nga trajtimi që iu bë atij – i vënë diku në fund të rreshtit – në ceremoninë e Parisit. Vendet atraktive ku ishin ulur Hashim Thaçi dhe Kolinda Grabar Kitaroviç, u përjetuan si provokim.

Për fat të keq, i dashur Mustafa, nëse gjërat i shohim edhe nga ana tjetër, njerëzia nuk duan shpjegime të tejngarkuara dhe nuk e kuptojnë se veprimtaria e Prusisë (me Prusi, autori në këtë rast nënkupton aleancën Perëndimore. Përkthyesi) në territorin e ish-Jugosllavisë në vitet ’90, në shumë gjëra e shkapërdau kapitalin prej aleati të Serbisë të fituar në dy luftërat botërore. Këtu te ne ende nënvizohet se Miterani nuk pati lejuar që të bombardohen serbët, madje edhe për Shirakun gjenden rrethana lehtësuese në mitin, sipas të cilit shpëtoi urat e Beogradit në vitin 1999 gjatë agresionit të NATO-s. 

Hidhet tej fakti se si Kosova, ashtu edhe Kroacia, janë aleatë të Francës. Është interesant edhe një mit tjetër që bazohet në të pavërtetën, dhe ky është se Sharl de Goli dhe udhëheqësi i ruajalistëve serbë gjatë Luftës së Dytë Botërore Drazha Mihajlloviç, kur kanë qenë studentë në akademinë ushtarake në Francë, kanë fjetur në krevate njëri nën tjetrin. Ndërkohë që dihet mirë se de Goli dhe Drazha nuk janë takuar kurrë në jetë me njëri-tjetrin. Më një dhjetor do të mbushen njëqind vite që nga formimi i Jugosllavisë. Serbët vazhdojnë të zemërohen në mënyrë fëminore ndaj të tjerëve që nuk vlerësojnë faktin se ata “i kanë çliruar” (megjithëse edhe malazestë e Millo Gjukanoviçit mendojnë se janë “aneksuar”), duke mos e kuptuar se elitat serbe nuk patën kapacitetin e duhur që në paqe të impresionojnë “vëllezërit e çliruar”, njëlloj si edhe ata që nuk ishin vëllezërit e tyre por ndodhi që ishin në përbërje të Jugosllavisë. Si shqiptarët për shembull.

A e beson dot, i dashur, se në Beograd nuk ka asnjë pëmendore, asnjë emër rruge që të mbajë emrin e Aleksandër Karagjorgjeviçit – fitues i dy Luftërave Ballkanike dhe i asaj Luftës së Madhe. Sepse kjo është veçori e serbëve – kur flasin për fitoren madhështore të ushtrisë serbe në Luftën e Parë Botërore, shpesh e injorojnë Aleksandrin, ngaqë ai, si “mbreti i bashkimit”, u imponoi Jugosllavinë e cila ishte “burgu i popullit serb”. Kur flitet për fitoren e madhe antifashiste në Luftën e Dytë Botërore injorojnë rregullisht Marshallin Tito sepse ai, si kroat që ishte, së bashku me Çurçillin, “u imponoi komunizmin”. Kur flasin për rezistencën heroike ndaj paktit të NATO-s shpesh e harrojnë Millosheviçin si komandant i përgjithshëm, sëpaku në atë mënyrë në të cilën përkujtojnë me madhështi gjeneralët e tij, të cilët këtyre ditëve po përjetojnë një lavdi mediatike, megjithëse shumë prej tyre janë dënuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës. 

Mustafa, dëshiroj të ta tërheq vëmendjen te një histori interesante dhe shumë indikative: Kryetari i Partisë radikale dhe Kryetari i Qeverisë së Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve Nikolla Pashiç, dërgoi personalisht deputetin radikal Punisha Raçiç në vitin 1921 në Serbinë Jugore (Kosovë dhe Maqedoni) që të vëzhgojë gjendjen e atjeshme politike. Lajmet depresive që solli Raçiçi gjenden në raportin e tij që daton 17 maj 1921 në Beograd, ku nënvizon “si të padrejtë dhe të paligjshëm për popullin dhe shtetin, punën e dëmshme ndaj muslimanëve”, nga ana e popullsisë dhe e pushtetit ortodoks të atjeshëm, dhe e cila realizohet në mënyrën më tragjike “në emër të shtetit”, rendi i të cilit po konsolidohej me shumë vështirësi. Raçiçi nënvizon: “Arnautët janë të pashkolluar dhe analfabetë, ata janë të paaftë që me rrugë legale të mbrohen nga veprimet e paligjshme dhe padrejtësitë që kryejnë ndaj tyre organet shtetërore: ata janë veçanërisht të mençur për nga vetë natyra e tyre dhe i dinë shumë mirë konceptet bazë mbi drejtësinë dhe padrejtësisë; dinë të dallojnë çfarë është e mirë dhe e drejtë nga ajo që është e keqe dhe e padrejtë”. Me sa duket, serbët dhe shqiptarët në Kosovë kanë shtypur njëri-tjetrin alternativisht dhe me etapa. Epo, tani pothuajse askush nuk e njeh Punisha Raçiçin nisur nga ky raport, sepse ai ka mbetur në kujtesë në radhë të parë për vrasjen e deputetëve të Partisë Fshatare kroate në Parlamentin e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, (Gjuro Basaricek, Pavao Radiç dhe plagosi rëndë xhaxhain e këtij të dytit, Kryetarin e Partisë Stjepan Radiç, i cili vdiq pas disa ditëve si pasojë e plagëve. Shënim i përkthyesit) në vitin 1928, akt pas të cilit u imponua diktatura e Mbretit Aleksandër. Ky atentat përkeqësoi në mënyrë dramatike raportet edhe ashtu të këqija në Mbretëri, duke i dhënë krahë Lëvizjes ustashe. Millo Gjukanoviçi shkatërroi nga rrënjët projektin për ngritjen e një përmendoreje për Punisha Raçiçin në Mal të Zi (Raçiçi ishte serb nga Mali i Zi), por, përveç një note proteste, nuk pati fuqi më shumë të veprojë kundër Kroacisë për heqjen e përmendores kushtuar terroristit ustash Miro Bareshiç, i cili në vitin 1971 vrau në Stokholm ambasadorin jugosllav, me kombësi malazeze, Vladimir Rolloviç.

Që t’i kthehem Interpolit: opozita qytetare e këtushme mendon se Vuçiçi, duke penguar antarësimin e Kosovës i ka ndihmuar kriminelët të jenë të sigurtë, ndërsa opozita djathtiste mendon se votimi tregoi se politika e “konfliktit të ngrirë” (antitezë e “ndërkufizimit” imagjinar të Vuçiçit) mund t’i sjellë vetëm dobi Serbisë. Ndoshta ndonjëfarë lidhje me kompetencat e Interpolit ka edhe arratisja e ish Kryeministrit maqedonas Gruevski në Hungari. Është vërtetë obskure, i dashur Mustafa, sesi strukturat reaksionare në regjimin serb, i cili e gjen frymëzimin te politika “patriotike, antisorosiane” e Gruevskit (megjithëse partia e tij VMRO-DPMNE është historikisht antiserbe sepse ajo mori pjesë në mënyrë aktive, sëbashku me ustashët kroatë, në vrasjen e Mbretit Aleksandër në Marsejë në vitin 1934), tani përpunojnë tezën e Vuçiçit se Gruevski në Maqedoni dënohet po për atë që do të mundej (vetëm sikur pushteti i sotëm të dëshironte) të akuzohej edhe ish Presidenti serb Tadiç – për mënyrën sesi shteti bleu “mercedezin” për zyrtarët e lartë.

Vetëm disa ditë pasi Kancelari austriak Sebastjan Kurc u prit në Beograd si mik i madh, pas votimit të austriakëve pro antarësimit të Kosovës në Interpol, Daçiçi ia filloi të zgërdhihej me Kurcin sepse mbiemri i tij në trajtën emërore tingëllon, në gjuhën serbo-boshnjako-kroato-malazeze, me organin gjenital mashkullor. Tani e kupton se përse Daçiçi përdori metaforën se Kosova u gënjye kur deshi të hynte në Interpol “preko Kurca” (nëpërmjet Kurcit). Konstatoj se socializmi ku unë jam rritur ka qenë njëfarë Diznejlendi në krahasim me socializmin ku je rritur ti: Ka teori që pohojnë se fatkeqësia jonë e viteve nëntëdhjetë dhe statusi i parias që atëbotë na ra mbi kokë ndodhi edhe për shkak të kurçenjes (fryrjes, kapardisjes nga mëndjemadhësia, lexuesi e kupton domethënien e kësaj fjale. Shënim i përthyesit), në mënyrë të veçantë nga udhëtimet nëpër Lindjen Europiane, në krahasim me “koka-kola socializmin titist”, ashtu siç e emërton në mënyrë të shkëlqyer në punimin e saj historiania Radina Vuçetiç. Ruaj kujtime të këndshme nga pushimet verore në Mal të Zi në zgjatimin Tivar-Sutomore-Çanj në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë. Radio Tirana atje kishte sinjal të fortë. Më kujtohet programi në gjuhën serbo-kroate, kritikat e ashpra kundër revizionizmit titist, dhe veprat simfonike të autorëve tuaj vendas, gjë që im atë e dëgjonte natën vonë nga kurioziteti. Kishte këtu njëfarë ekzotike, sepse atje pas Liqenit të Shkodrës ishte fundi i botës. Radioja kishte njëfarë mistike, monumentalizëm spikeri, një zë që të jep hapësirë për të përfytyruar botën, njerëzit dhe regjimet. Sikurse më tregonte një koleg i imi, i cili kur ishte fëmijë në Vojvodinë, afër Vrshacit, dëgjonte Radio Temishuarën dhe e përfytyronte Rumaninë e cila gjithsesi nuk ishte ajo realja, ajo e Çausheskut.

/Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së.

/Mapo.al

    Data: 28 Nentor 2018 11:39
    Autori: Zoran Panoviç

    Të tjera