Kthehu lart

Ngutia e Thaçit drejt paqartësisë

Ngutia e Thaçit drejt paqartësisë Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Hashim Thaçit po i ngutet ta vazhdojë dialogun me Serbinë pa koncensus politik e shoqëror dhe pa mandatin e nevojshëm të Kuvendit. Sikurse edhe në të kaluarën, ky njeri po na çon qorrazi drejt paqartësisë. Pasojat e kompromiseve të tij do t’i vuajmë të gjithë. Ai duhet të ndalet

Hashim Thaçi ka vendosur që krye në vete ta vazhdojë fazën finale të dialogut me Serbinë, pa koncensusin e nevojshëm politik e shoqëror. Ai po ngutet që t’i futet një rruge plot paqartësi, drejt asaj që po trumbetohet të jetë një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I imponueshëm dhe dinak, çfarë ka ditur të jetë gjithmonë, presidenti që do të duhej të përfaqësonte unitetin e qytetarëve po vazhdon dialogun me Beogradin pa marrë mandatin e nevojshëm nga Kuvendi i Kosovës.

I tillë Thaçi ka ditur të jetë edhe më parë. Në Konferencën e Rambujesë ai u imponua si udhëheqës i delegacionit kosovar, pas çlirimit u imponua si shef i Qeverisë së Përkohshme, ndërkaq në kohën e shpalljes së pavarësisë së vendit u imponua ta lexojë deklaratën përkatëse. Kjo është karakteristikë e njeriut që bën çmos dhe nuk zgjedh rrugë as mjete për ta marrë primatin në gjithçka. Sikurse tash në vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Nuk është vetëm çështje procedurale nevoja për mandatimin e Thaçit si bartës i dialogut. Është më shumë se kaq, është çështje e vendimit për të ardhmen e vendit - me kompromise të dhimbshme që po paralajmërohen madje para se dialogu të fillojë.

Thaçi është njeriu i cili në cilësinë e kryeministrit, me Serbinë arriti marrëveshje të dëmshme, pasojat e së cilave vendi po vazhdon t’i vuajë.

Është i njëjti që nënshkroi marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, që duket të jetë edhe kompromisi i paralajmëruar, duke e kthyer kështu Kosovën në një shtet jofunksional.

Është po i njëjti që gjatë kohës sa është në krye të Zyrës së Presidentit më shumë ka punuar në nxitjen e përçarjeve ndërpartiake e shoqërore, sesa që ka respektuar Kushtetutën dhe obligimet që dalin nga ajo. Tash ai kërkon koncensus, pasi është imponuar sërish në krye të një procesi të rëndësishëm.

* * *

Duket e pashpjegueshme ngutia e Hashim Thaçit për të vazhduar dialogun me Serbinë pa arritur koncensusin e nevojshëm të brendshëm. Por, duke marrë parasysh se ai gjithçka e sheh nga këndi i përfitimeve personale dhe protagonizmi, nuk është se duhet të pritet diçka tjetër.

Tash kur Serbia e ka një afat kohor të qartë se kur do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ndërkaq Kosova ende vazhdon të ketë vetëm “perspektivë europiane”, ngutia drejt arritjes së një marrëveshjeje çon drejt konkludimit se gjithçka po bëhet për të favorizuar Serbinë. Madje duke paralajmëruar kompromise që Kosovën fare lehtë mund ta shndërrojnë në shtet jofunksional.

Kompromisi i paralajmëruar nuk ka çfarë të jetë tjetër, veçse krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive, ashtu çfarë e ka nënshkruar Thaçi në Bruksel. Natyrisht kjo do të arrihet pas ndryshimeve kushtetuese dhe do të mund të funksionojë si një nivel i tretë i pushtetit.

Prishtina ka mundur ta themelojë Asociacionin që në vitin 2015, por nuk e ka bërë. Zvarritja e krijimit të tij ka bërë që tash të jetë pjesë e pakos përfundimtare të marëveshjes me Serbinë. Marrëveshje që megjihatë nuk do të jetë finale.

Kosova mund ta fitojë ulësen në OKB, por ajo nuk ka çfarë i duhet po që se përbrenda bëhet jofunksionale. Po ashtu, Serbia nuk është e obliguar ta njohë si shtet të pavarur derisa të jetë në prag të anëtarësimit në BE. Kjo don të thotë se me Beogradin gjithsesi duhet të nënshkruhet edhe një tjetër marrëveshje.

* * *

Hashim Thaçi është treguar negociator i dobët dhe shkaku i tij sot Kosova ka marrëveshje nënçmuese. Thaçi nuk e ka aplikuar në asnjë moment parimin e reciprocitetit, duke bërë që marrëveshjet e arritura të jenë diskriminuese.

Serbia nuk ka pranuar të jep përgjigje dhe të tregohet përgjegjëse për asnjë nga temat e mëdha në raport me Kosovën - që nga çështja e personave të pagjetur, deri te kompensimi i dëmeve të luftës.

Shkaku i marrëveshjeve të Hashim Thaçit, sot Serbia bashkëqeveris në Kosovë. Dhe këtë bashkëqeverisje do ta formalizojë edhe më shumë me krijimin e Asociacionit. Serbia mund ta ketë humbur betejën me Kosovën, por jo edhe në raport me serbët në Kosovë, për të cilët dëshiron “akomodim më afirmativ”, siç e ka përmendur Thaçi dhe për ç’gjë duket të jetë i gatshëm në kompromis.

Ai mund të jetë i gatshëm, por për këtë nuk e ka koncensusin e askujt, nuk e ka mandatin e Kuvendit. Ai mund të negociojë, por për këtë nuk e ka një platformë të domosdoshme, të miratuar paraprakisht në Kuvend.

Thaçi shkon në Bruksel në emrin e tij personal, por pasojat nga kompromiset e tij do të jenë kolektive. Ky njeri po na çon qorrazi drejt paqartësisë.

    Data: 22 Qershor 2018 10:29
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera