Kthehu lart

​New York Times i reagon Trumpit për Malin e Zi: Nuk po e rrezikoni një vend të vogël ballkanik, por Amerikën

​New York Times i reagon Trumpit për Malin e Zi: Nuk po e rrezikoni një vend të vogël ballkanik, por Amerikën Autori: NY Times GazetaExpress

Presidenti, qëllimisht shpërfillës ndaj obligimeve të vendit në kuadër të NATO’s, e mënjanon Malin e Zi si të parëndësishëm për t’u mbrojtur. Qeshu, z. Putin.

Sherret nga Donald Trump s’po ndalen. Dukej e vështirë se ai mund të bënte më shumë dëm sesa që kishte bërë, pasi e kishte shpallur “armik” Bashkimin Evropian, pasi e kishte fyer kancelaren e Gjermanisë, Angela Mekrel, dhe kryeministren e Britanisë, Theresa May, pasi e kishte sulmuar NATO’n, pasi e kishte tërhequr krejt vëmendjen nga vetja në takimin me mbretëreshën Elizabeth II, dhe pasi e kishte mbajtur atë konferencën famëkeqe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Por, më pas, erdhi sugjerimi i tij i çuditshëm se 640.000 qytetarët e Malit të Zi janë “shumë agresivë” dhe mund ta shtyjnë NATO’n drejt Luftës së Tretë Botërore.

Në kontekstin e një interviste servile nga gazetari i Fox News, Tucker Carlson, të xhiruar në Helsinki, Finlandë, të hënën, dhe të transmetuar në mbrëmjen e së martës, ai është dukur pothuajse si një devijim nga reagimet standarde të presidentit Trump për tregtinë, emigrantët, serverët kompjuterikë të Hillary Clintonit, tradhtinë e FBI’së apo mjerimin e NATO’s. Por, sikur shumë prej komenteve të papritura të Trumpit, ai zbuloi një anë tjetër të mosnjohjes dhe përçmimit të vendit historik të Amerikës në botë dhe në aleancat e saj, apo të fuqisë së një deklarate presidenciale.

Pasi ia përgatiti terrenin Trumpit për kritikat e zakonshme rreth asaj se si aleatët e NATO’s po e shfrytëzonin Amerikën, përderisa po e mashtronin në tregti, Carlson kaloi në pyetjen e radhës: “Le të supozojmë se sulmohet Mali i Zi, i cili u bashkua vitin e kaluar. Pse duhet biri im të shkojë në Malin e Zi, që ta mbrojë atë nga një sulm?”.

“E kuptoj se çfarë po thua”, u përgjigj Trump. “Të njëjtën pyetje e kam bërë edhe vet”. Mali i Zi “i vockël”, vazhdoi ai, ka “njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe urime, jemi në Luftën e Tretë Botërore”.

Më pas, ai vazhdoi me pohimin se tashmë ka “mbledhur” 44 miliardë dollarë shtesë nga vendet e NATO’s, dhe se do të mblidhen edhe më shumë, i pasuar nga një vlerësim se si imigracioni “po e shkatërron kulturën e Evropës”.

Përgjigja ndaj pyetjes së z. Carlson dhe z. Trump, se pse duhet të mbrohet Mali i Zi nga sulmi, është, natyrisht, në Nenin 5 të traktatit të NATO’s, parimi bazë që i kërkon secilit anëtar t’i dalë në ndihmë një aleati që sulmohet. Kjo nuk nënkupton se NATO duhet të reagojë nëse Mali i Zi e sulmon agresivisht, le të themi, Serbinë, pasi që ky nen vlen vetëm nëse një anëtar sulmohet. Ai është aktivizuar vetëm një herë: jo në Ballkan, por në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Pyetja më e thellë, nëse NATO’ja nevojitet më në botën e pas komunizmit, është debatuar gjerësisht gjatë çerekshekullit të kaluar, dhe përgjigja ka qenë po, si model i sigurisë kolektive dhe si lidhje transatlantike. Është e qartë që z. Trump, në pikëpamjen e tij për forcat globale, s’di asgjë rreth kësaj historie apo debati. Një pyetje më e madhe është nëse ai është i vetëdijshëm se miku i tij, z. Putin, ka kundërshtuar fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, dhe se Rusia dyshohet se ka qenë prapa një përpjekjeje të dështuar për rrëzimin e qeverisë së saj dhe për vrasjen e kryeministrit të saj, më 2016.

E kuptueshme, reagimi nga Mali i Zi ishte, vërtet, agresiv. “Ai është presidenti më i çuditshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë për BBC, Ranko Krivokaçiq, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Reagimet në SHBA ishin më pak të buta. “Nuk është vetëm se presidenti po e tradhton Malin e Zi; ai po e kushtëzon angazhimin e SHBA’së në NATO dhe po e bën të qartë shqetësimin e tij nga Neni 5 dhe siguria kolektive, thelbi i Aleancës”, shkroi në Twitter, Richard Haass, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme. Kurse, senatori John McCain, republikan nga Arizona, shkroi në Twitter: “Duke sulmuar Malin e Zi dhe duke i vënë në pikëpyetje obligimet tona në kuadër të NATO’s, Presidenti po i bën favor Putinit”.

Z. Trump mund t’i kërkojë stafit të tij t’ia gjejë një tjetër gabim në fjalitë e thëna, për t’i tërhequr fjalët. Njerëzit e tij do të bënin një punë më të mirë po ta detyronin ta kuptonte se komentet mendjengushta dhe të paditura nga posti i tij janë dukshëm më të rrezikshme për sigurinë e Amerikës, dhe të botës, sesa një vend i vockël i Ballkanit.

Bordi editorial i The New York Times. /Përktheu: Gazeta Express/

    Data: 19 Korrik 2018 23:13
    Autori: NY Times

    Të tjera