Kthehu lart

Letra dashurie për Vuçiqin

Letra dashurie për Vuçiqin Autori: Blerim Latifi GazetaExpress

Me këto marrëzi ne vetë jemi duke e rikrijuar krahinën mentale socialiste autonome të Kosovës, duke harruar ndërkaq se ky vend është shtet i pavarur, i njohur nga 115 shtete dhe i legjitimuar në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë

Rexhep Hoti, koordinator nacional në qeverinë Haradinaj, zëvendësministër kulture, po në këtë qeveri, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe poet i njohur, i shkruan letër të gjatë Aleksandër Vuçiqit, presidentit fuqiplotë të Serbisë.

Nexhmedin Spahiu, analist politik dhe publicist jokonvencional kosovar, hedh idenë për organizimin e një debati në Mitrovicë, debat në të cilin intelektualët kosovarë do të bashkëbisedonin me Aleksandër Vuçiqin.

Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër në qeverinë Haradinaj dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, me ashpërsi diplomatike, i reagon Aleksandër Vuçiqit për filan deklaratën e tij mbi të ardhmen e popujve në Ballkanin Perëndimor.

Gëzim Kelmendi, ish deputet, i çmendur krejtësisht prej dramës private të asimilimit nga shqiptar në turk, e paralajmëron Vuçiqin e Daçiqin me përgjigje osmane ndaj pretendimeve të tyre për Kosovën: “Shqiptarët janë bij të osmanlinjve”. Pikërisht këtë e thonë serbët, historianët, akademikët, politikanët dhe gjeneralët e tyre. E thonë me shekuj: Shqiptarët erdhën në Ballkan bashkë me turqit, na e morën tokën dhe tani duhet të shkojnë të gjithë prej nga erdhën, në Turqi, se atje është  atdheu i tyre. I marri, duke dashur të godas me top Serbinë, e hedh gjylen në mesin e vetë shqiptarëve. Por, ç’t’i bësh? Të marrët të tillë janë!Gjithmonë bëjnë veprime të paparashikuara, prandaj, kur popujt shkojnë në luftë, të marrët nuk i marrin me vete. I lënë në shtëpi, të mbyllur në ndonjë bodrum.

Lista vazhdon, me emra të tjerë. Të gjithë të njohur. Figura publike të shtetit, mediave, kulturës, artit.

Tjetra. Filan portali boton informacionin me titull: “Po flitet për një vizitë të Vuçiqit në Kosovë!”. Për pak minuta të gjitha portalet që mbulojnë hapësirën shqipfolëse e shpërndajnë kumtin e madh.

Një portal tjetër: “Së shpejti Vuçiq pritet nga Trump-i në Uashington dhe nga Putini në Moskë!”. Përsëri, në pak minuta, kumti shpërndahet në krejt trojet e lavdishme etnike shqiptare.

Lista vazhdon: Vuçiqi tha…!Vuçiqi ka thënë…!Vuçiqi ka paralajmëruar…! Thuhet se Vuçiqi…! Dhe, kështu, thashethemnaja kombëtare shqiptare vazhdon pa pushim, ditën dhe natën, në diell dhe në shi, në kafehane dhe institucione. Duket sikur i madh e i vogël janë ngritur në këmbë. Duan të flasin me Vuçiqin. Të komunikojnë me të. Të japin një mendim për të, mbi të apo rreth tij. Ç’është ky shpërthim? Ky ekzaltim? Mos vallë kanë rënë në dashuri me Vuçiqin? Mbase, u duket si Titoja, dikur motit! Eh, si është puna e njeriut: vitet ikin, kohërat ndryshojnë, por kujtimet e ëmbla nuk vdesin kurrë. Ato ruhen me shumë xhelozi, thellë diku në sirtarët intimë të shpirtit dhe shfaqen sapo ndonjë personazh aktual lë përshtypjen se ka të njëjtën magji si personazhi i kujtimeve. Në fakt, nëse Vuçiqi ka diçka si të Titos është pragmatizmi i dy lugëve, në thelbin e të cilit qëndron strategjia edhe - edhe. Kjo do të thotë: edhe me Amerikën edhe me Rusinë, edhe me Turqinë edhe me Gjermaninë. Në të njëjtën kohë dhe me shumë fytyra. Mos! Çfarë bëra? Fillova edhe vetë të flas për Vuçiqin! Ç’të ketë ndodhur kështu me ne? Mos vallë ndokush na ka bërë ndonjë magji kolektive dhe imagjinata jonë është pushtuar nga fantazma politike e Vuçiqit? A kanë përgjigje magjistarët tanë, Hetem Ramadani, me magjinë e zen budizmit dhe Daut Daut Demaku, me magjinë e mendimit pozitiv?

Nuk dua të tallem. Nuk është punë magjie kjo? Është çështje e lidhur me faktin se në jetën e një populli, shenjat mentale të nënshtrimit, zhduken shumë më vonë se shenjat fizike të tij.

 Përjashto Gëzim Kelmendogllun, të tjerët, që i përmenda më lart, i kam miq dhe i respektoj. I mora si shembuj, për t’u bërë vërejtje miqësore dhe për të faktuar atë që me shqetëson realisht: vëmendjen e madhe plot pasione që në opinionin tonë publik, po i kushtohet përditshmërisë së presidentit serb. Këtë vëmendje, lirisht mund ta kualifikojmë si njëlloj rikthimi mental të Serbisë në Kosovë. Aq shumë flasim e shkruajmë për Vuçiqin sa të krijohet përshtypja se ai është guvernatori fuqiplotë në distancë i Kosovës.

Qui bone, do të pyeste Ciceroni. Kujt i shërben kjo? Natyrisht, nuk duhet shumë mend për ta kuptuar. Dy gjërave u shërben: në njërën, anë propagandës zyrtare serbe për Kosovën, si çështje e pazgjidhur ende dhe, në anën tjetër, marrëzive tona politike, që i kemi me bollëk.

Me këto marrëzi, - thënë shkurt e shqip, ne vetë jemi duke e rikrijuar krahinën mentale socialiste autonome të Kosovës, duke harruar ndërkaq se ky vend është shtet i pavarur, i njohur nga 115 shtete dhe i legjitimuar në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë. Dhe, krahas kësaj, duke harruar gjënë themelore: Ky vend bëhet duke punuar me ndershmëri për të, e jo, nëse parafrazojmë Adem Demaçin, duke folur poshtë e përpjetë, anej e knej, për Vuçiqin.

    Data: 15 Gusht 2018 14:17
    Autori: Blerim Latifi

    Të tjera