Kthehu lart

Demokracia amerikane në krizë, jo vetëm për shkak të Trumpit

Demokracia amerikane në krizë, jo vetëm për shkak të Trumpit Autori: Simon Tisdall GazetaExpress

Çfarë duhet bërë? Detyra më urgjente, është të njihet ajo që po ndodh. Dekadat e supozimeve të vetëkënaqura, rreth përkatësisë së pandërprerë dhe të padiskutueshme të Amerikës në modelin demokratik, e kanë lënë SHBA-në të prekshme nga subversion si brenda dhe jashtë vendit

Nëntëmbëdhjetë muaj nën presidencën Trump, demokracia e SHBA-së po përballet me probleme serioze – por kjo nuk është e gjitha, apo kryesisht një faj i Donald Trumpit. Kjo krizë qeverisjeje, është krijuar gradualisht për dekada të tëra. Por vetëm tani, pasi sulmet ikonoklastike të Trump mbi besimet, ligjet, institucionet dhe vlerat e vendosura po e testojnë sistemin deri në shkatërrim, po bëhet e dukshme shkalla e vërtetë e dobësive dhe vijave ndarëse ekzistuese.

Kjo krizë e thellë e besimit, në kufijtë e shpërbërjes kombëtare, vjen në kohën kur SHBA-ja po shkon drejt zgjedhjeve të mesit të mandatit të muajit nëntor – një ritual i njohur amerikan, që tani është bërë çuditërisht i paparashikueshme nga frika e manipulimit të huaj, dhe nga një hetimi i FBI-së, që mund të çojë përfundimisht në shkarkimin e Trump.
Proçesi i degradimit prek qytetarët e SHBA-së, dhe të gjithë ata anembanë botës që mbajnë sistemin demokratik të SHBA-së, si një paradigmë të denjë për t’u kopjuar. Miqtë shqetësohen se aftësia e vendit për të mbështetur rolin e tij tradicional të udhëheqësit global – moral dhe praktik – është duke u minuar.
Armiqtë, kryesisht regjimet anti-demokratike, regjimet konkurrente autoritare në Rusi dhe Kinë, shpresojnë që të jetë kështu. Merrni një shembull, me ndikim global:Trump është mburrur vazhdimisht mbi gatishmërinë e tij për të përdorur armët bërthamore.
Si komandanti suprem i ushtrisë amerikane, ai mbikëqyr arsenalin më të madh bërthamor në botë. Vitin e kaluar, ai kërcënoi të “shkatërronte tërësisht” Korenë e Veriut, një komb prej 25 milionë njerëzish. Ai ka kërcënuar në të njëjtën formë edhe Iranin.
Një sjellje e tillë arrogante, u bën përshtypjen shumë amerikanëve. Por duket se ata mund të bëjnë shumë pak për të ndalur Trumpin, nëse ai vendos të shtypë “butonin bërthamor”. Kontrollet ekzistojnë. Ka një zinxhir komandues, që nuk mund të anashkalohet. Por ekspertët e sigurisë thonë se askush, madje as sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes apo kryetari i shefave të përbashkët të ushtrisë, nuk kanë fuqi ligjore të bllokojnë një urdhër të presidentit.
Çfarë mund të jetë më pak demokratike se sa kaq? Megjithatë, kjo dilemë nuk u krijua nga Trump. Ajo ka ekzistuar për shumë vite. Kongresi tani po e rishikon, por është i vonuar. Përdorimi i shpeshtë i “urdhrave ekzekutivë” nga ana e Trump, ka lëshuar një tjetër këmbanë alarmi.
Më i famshmi ishte ndalimi i udhëtimit për njerëzit nga 7 vende me shumicë myslimane, por të tjerat – përsa i përket ndërtimit të një muri në kufi me Meksikën, imponimit të tij të njëanshëm të tarifave të çelikut, dhe ndryshimi i tij i ligjit mbi sistemin e përballueshëm shëndetësor të Barak Obamës – ishin gjithashtu shumë të kontestuara.
Megjithatë, pasi dekretohen urdhra të tillë rrallë përmbysen. Pas sfidave të shumta ligjore, Gjykata e Lartë e mbështeti ndalimin e udhëtimit. Shumëkush u trondit, kur zbuloi se si një president i SHBA-së mund të lëshojë diktate dhe fetva, si të ishte lloji më i keq i despotit apo ajatollahut të pazgjedhur nga qytetarët.
Por përdorimi i urdhëresave të tilla, që shmangin shqyrtimin publik, është vendosur prej kohësh. Më këtë mjet, Frenklin Ruzvelt internoi të gjithë japonezo-amerikanët pas sulmit mbi Pearl Harbor. Shpallja e Aktit të Emancipimit të Abraham Linkoln, që i dha fund skllavërisë ishte gjithashtu një urdhër ekzekutiv.
Në ushtrimin e kësaj fuqie arbitrare, Trump po ndjek precedentin, sado që është jodemokratik. Fuqitë e zgjeruara të asaj që historiani i epokës së Vietnamit, Artur Shlezinger e quajti “presidenca perandorake”, janë një fenomen i njohur gjerësisht, të cilat Kongresi, shtylla kryesore kushtetuese e Amerikës, nuk arriti t’i frenojë përgjatë viteve.
Kjo mund të jetë një arsye se përse amerikanët, sipas shumë sondazheve, kanë një vlerësim vazhdimisht të ulët për Kongresin. Por ka edhe shumë të tjera. Sistemi mbizotërues dypartiaik, bipartizanizmi virulent dhe politikanët jashtë realitetit, fajësohen për dështimet kronike të qeverisjes.
Përparësitë e tyre janë të mëdha; shumica e anëtarëve zgjidhen në mënyrë të përsëritur, duke zvogëluar zgjedhjen demokratike. Përsa i përket presidencës – shtylla e dytë kushtetuese – problemet sistematike prodhojnë anomali edhe më të mëdha. Trump ishte presidenti i pestë që fitoi, pavarësisht humbjes së votës popullore, falë procesit kolektiv arkaik dhe të pa reformuar amerikan të zgjedhjeve.
Anëtarët e Kongresit, konsiderohen gjerësisht si tepër të vëmendshëm ndaj korporatave, donatorëve të pasur dhe interesave të veçanta. Me fjalë të tjera, ata shihen si të korruptuar. Shumat e harxhuara janë tronditëse. Sipas mbikëqyrësit të financave të fushatave zgjedhore “Open Secrets”, një total prej 6.5 miliardë dollarësh u shpenzua nga kandidatët presidencialë dhe kongresistë në 2016 – të mjaftueshme për t’i rritur me 2000 dollarë pagën çdo mësuesi në vend.
Kostoja mesatare për të fituar një vend në Senat ishte 19.4 milionë dollarë. Fitimi i garës për në Kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit, do të kushtojë mesatarisht 1.5 milionë dollarë.
Nevoja për shumë të tilla të mëdha, përjashton efektivisht shumë kandidatë të mundshëm nga proçesi demokratik, dhe i vendos të tjerët në garë për mbështetësit e tyre financiarë. Por shqetësimet mbi financimet e tepruara, jo transparente apo të paligjshme të fushatave, i paraprijnë Trumpit.
Përkundër përpjekjeve për reformë, një pjesë në rritje e fondeve vjen nga burime anonime. Sipas një hetimi të kohëve të fundit të “USA Today”, 40 për qind e të gjitha reklamave televizive për kandidatët politikë, financohen nga donatorë të fshehtë, me agjenda private politike apo komerciale.
Pastaj janë paratë që vijnë nga qeveritë ose individët e huaj, nëpërmjet agjentëve dhe lobistëve – një çështje që përbën një shqetësim të shtuar, në kontekstin e hetimit të Robert Mylerit ndaj fushatës elektorale të Trump të vitit 2016. Shtimi i provave për ndikimin dhe ndërhyrjen ruse, e ka forcuar ndjenjën e një krize në përkeqësim të demokracisë amerikane.
Megjithatë, ndërsa Trump e minimizon çështjen, dhe përpjekjet e tij për të mbyllur hetimin e Myler përbëjnë një konflikt interesi, këto probleme nuk mund t’i atashohen vetëm atij. Rusët po synojnë të minojnë demokracinë amerikane që nga viti 1945. Dallimi tani është se ata po bëhen më të aftë – siç janë edhe shtetet e tjera të huaja.
Shefat e inteligjencës amerikane pajtohen me këtë. “Vetë demokracia jonë, ndodhet në udhëkryq”- tha javën e kaluar sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kirstjen Nielsen. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë themeli i demokracisë sonë, dhe është tashmë e qartë, se ato janë objekt i kundërshtarëve tanë, të cilët synojnë të mbjellin mosmarrëveshje dhe të dëmtojnë mënyrën tonë të jetesës”.
Megjithatë, po nëse do të vërtetohej se Trump është fajtor për komplotin me një fuqi të huaj? Si do të reagonte ai? Ky është një terren i panjohur dhe i frikshëm. A mundet që gjyqësori, dhe në veçanti, gjykata më e lartë – shtylla e tretë kushtetuese, dhe simboli krenar i doktrinës së etërve themelues të ndarjes së pushteteve – të shpëtojë demokracinë amerikane?
Ngjan e pamundur. Në emërimin e një konservatori të shquar, Bret Kavanoug, për vendin e fundit vacant në këtë gjykatë, Trump ndoqi praktikën e fundit në formësimin e gjykatës sipas pikëpamjes së tij politike. Gjërat s’kanë funksionuar gjithmonë kështu. Siç ka vënë në dukje Dejvid Grinberg, emërimet në Gjykatën e Lartë, kanë qenë kryesisht apolitike. Kjo nuk është shkruar në kushtetutë, kur u shkruan rregullat në Filadelfia më 1787-ën.
Sjellja prej djali planprishës e Trump, i rinxjerr në pah këto probleme strukturore të rrënjosura. Megjithatë, presidenca e tij arrogante, po e gërryen demokracinë në vend. Inkurajimi prej tij i forcave ultranacionaliste, raciste dhe neofashiste nga Varshava në Sharlotsvil, demagogjia e përçarjes, demonizimi i gazetarisë së pavarur, përbuzja ndaj demokracive të Europës Perëndimore, flirti me diktatorët, dhe refuzimi i rendit ndërkombëtar me rregullat aktuale, përforcojnë perceptimet se roli global i SHBA-ve si një fanar ndriçues i demokracisë, po zbehet shpejt. Trump e bëri këtë gjithçka vetë.
Pra, çfarë duhet bërë? Detyra më urgjente, është të njihet ajo që po ndodh. Dekadat e supozimeve të vetëkënaqura, rreth përkatësisë së pandërprerë dhe të padiskutueshme të Amerikës në modelin demokratik, e kanë lënë SHBA-në të prekshme nga subversion si brenda dhe jashtë vendit.
Kërkohen urgjentisht reforma radikale dhe gjithëpërfshirëse. Duhet të ketë një diskutim kombëtar dhe një rishikim i parimeve themelore demokratike. Ndoshta është koha, 231 vjet më vonë, për një konventë kushtetuese në Filadelfia?
“The Guardian” – Bota.al

    Data: 15 Gusht 2018 10:47
    Autori: Simon Tisdall

    Të tjera