Liria dhe keqpërdorimi i saj


08/12/2018

Në Kosovë u veprua në mënyrë staliniste. Logjikohej në mënyrë komuniste  dhe për ta zvogëluar konkurrencën, kur nuk mjaftonte shpifja apo imagjinata, atëherë kryemëkatë merrej anëtarësia në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë. Kësaj daulle i ka rënë fort Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe me pasion dhe përkushtim të madh, Ibrahim Kelmendi.

Këtyre tre personaliteteve, nuk u ka interesuar dija e njeriut, që duhet të drejtojë shtet, por pastërtia sipas botëkuptimit të tyre komunist. Demaçi ishte adhurues i Enverit. Qosja është adhurues i Enverit. Kelmendi ka braktisur ideologjinë komuniste, por të të menduarit dogmatik i ka mbetur besnik. Thënë shkurt, këta përdorën krejt dijen e tyre dhe ndikimin në derdhjen e ujit, të pistë sipas tyre dhe sot Kosova gati dy dekada pas luftës, nuk ka sa duhet as rrymë, as ujë!

Sidoqoftë pishtarët, që mbajtën gjallë patriotizmin në ish -Jugosllavi ishin: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti, Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova. Ka edhe shumë të tjerë, por ata janë në krye për nga ndikimi, qoftë intelektual, qoftë frymëzues, qoftë mobilizues.

Adem Demaçi mbeti atdhetar deri në vdekje dhe pas çlirimit polarizoi, përçau shumë dhe e pati të vështirë të shkëputet nga të gjykuarit komunist duke ndarë njerëzit në heronj dhe tradhtarë. Në vend se të thërriste për pajtim kombëtar dhe të festohej fitorja, parapëlqeu anësinë. Pas luftës dëmtoi veten dhe kohezionin nacional: nga urrejtja e madhe kundër Rugovës.

Rexhep Qosja deri te mbarimi i luftës ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh, pastaj aktivisht mori pjesë në fragmentim dhe përçarje. Në vend se të thërriste për pajtim kombëtar dhe festimin e fitores, ndihmoi në sekuestrimin e saj nga ata, që sot i qorton për “shtetin blegtoral” dhe për zhvatje masovike të ekonomisë nacionale. Qosja do të mbetet në histori edhe për simpatinë ndaj autokratik turk Erdogan dhe pranimin e pa rezervë dhe pa kundërshtime sulmin e tij në shoqërinë shqiptare. Qosja pas luftës dëmtoi veten dhe kohezionin nacional: nga urrejtja e madhe për Rugovën.

Ukshin Hoti ishte atdhetar deri në vdekje dhe nuk ndryshoi! Qe intelektuali më i përgatitur politikisht, por e shpërfillën brenda, prandaj jashtë nuk u mor askush me shpëtimin e tij. Adem Jashari mbeti atdhetar deri në vdekje dhe tronditi ndërgjegjen e kombit!

Ibrahim Rugova ishte atdhetar modern, europian, jo folklorik. Ai nuk dinte të gjykojë në mënyrë komuniste, si Demaçi dhe Qosja. Ai nuk ishte në kërkim të armiqve, por të miqve, as brenda, as jashtë. Deri në shpërthimin e luftës përfaqësoi denjësisht Kosovën dhe krijoi një empati të madhe te vendet perëndimore, por edhe në botë. Të gjithë miqtë që ka sot Kosova, janë meritë e tij, me përjashtim të Erdoganit, nëse mund të quhet mik aleati i ngushtë i Putinit dhe Vuçiqit! Në epokën e Ibrahim Rugovës, bota na vështronte dhe përjetonte si viktimë, por pas luftës ishte më shumë simbol, ishte një hije dhe më tepër famë, se sa pushtet real. Dëmtoi veten pas shpërthimit të luftës.

UÇK mbeti atdhetare deri në dëbimin e Serbisë. Pas çlirimit nxitoi me nervozë për të përvetësuar të gjitha meritat dhe krejt pushtetin. „Mos e prek, UÇK!”, mund të lexohej nëpër dyer të banesave në vitin 2000 në Prishtinë. Sot jemi aty ku jemi! Gjendje me të cilën janë të kënaqur ish komandantët e UÇK-ës dhe ku njëri prej tyre quan Kosovën Zvicër të Ballkanit, i dyti qorton rininë, se nuk paskan dëshirë të punojnë, kurse tjetri pranon se Kosova kishte ushtri me 60.000 ushtarë! Tani u mbetet arkeologëve të zbulojnë vetëm kazermat e asaj armate!

Ato personalitete më lartë janë më meritorët për lirinë, por të mbijetuarit, si Demaçi dhe Qosja edhe për gjendjen e mjerë pas luftës, sepse kontribuuan aktivisht në krijimin e kaosit dhe hedhjen e synimeve kryesore, ndërtimin e shtetit me dije, në rend të tretë.  Çdo gjë u shndërrua në tallava diskurs. Asgjë dhe askush nuk mbeti me dinjitet: çdokush mund të shpallej tradhtar, çdokush atdhetar. Po ripërsëritej periudha e pas Luftës së Dytë Botërore, kur partizanët gjysmanalfabetë ndanin popullin në të mirë dhe në të ligë dhe pasi dëbuan fashizmin, nisën me arrestimin dhe vrasjen e pjesëtarëve të popullit të vet, që mendonin ndryshe nga të armatosurit e djeshëm.

Pasi SHBA me UÇK-në dhe aleatët çliroi Kosovën, Kosova nuk brengosej për krijimin e shtetit të së drejtës, por nisi vjedhja e saj, thua se vendin e kishin marrë përkohësisht me qira nga Serbia dhe duhej të vidhnin sa më shumë, sa më shpejt para se të kthehej ajo. Sot komandantët kryesor janë të pasur!

U hodh populli në komë dhe njëzet vite pas luftës, nuk ka ende sa duhet rrymë dhe paratë që fiton Erdogani në Kosovë dhe paratë që fitonte Serbia në Kosovë, i investojnë për ta shpërfytyruar vendin dhe për ta shndërruar Kosovën në koloni jo vetëm serbe, por edhe turke. Aleanca e ngushtë Putin-Erdogan ishte projekti i ri për Kosovën dhe, si edhe në histori, ata gjenin gjuhë dhe interesa të përbashkëta, fundi i fundit, si edhe tani për ushtrinë.

Liria kërkon përgjegjësi. Përgjegjësi dhe dije. Në komunizëm mendonte partia për popullin, në demokraci mendon individi pikë së pari për shoqërinë dhe pastaj për vetveten. Demokracia ofron mundësi për përparim dhe duke mbrojtur vlerat e saja, mbrojmë individualisht të drejtat tona. Në komunizëm kur mbrohej sistemi, ruhej pezullimi i lirisë individuale dhe kolektive. Populli u manipulua, u përça dhe politikanët i silleshin dhe i sillen si kurva, sa herë afrohen zgjedhjet, për t’ia nisur vjedhjes dhe punësimit të të afërmeve, sapo të marrin pushtetin.

Sot jemi aty ku jemi dhe kemi humbur simpatinë e Europës dhe në kohën e komandantëve, nuk vështrohemi më si viktima, por si kriminelë, prandaj krahinës së vogël, me aq banorë sa një qytet mesatar, që e vet e çliruan, nuk i heqin vizat dhe e kanë mbyllur si të sëmurin në psikiatri. Thjesht Europa me 512 milionë banorë, ka frikë nga disa mijëra shqiptarë, që do të emigronin. Frikën ua kemi imponuar ne me shtetin gati mafioz dhe tallava!

Rehabilitimi i armikut fillon me negociata, gjersa mbetjet e mijërave vetave gjenden diku nëpër gropa anonime në Serbi. Duke mos kërkuar ato, pozicioni i kundërshtarit përforcohej. Rehabilitimi i Serbisë u bë me shpërfilljen e 20.000 grave të dhunuara dhe mungesa e këmbënguljes për dëmshpërblim, çfarë do të dobësonte pozicionin e kundërshtarit. Pranuan negociata thua se po bëheshin pas një loje futbolli. Krimineli dhe viktima përpiqeshin të përmirësonin raportet në mes vete, gjersa i pari tërbohej edhe për një simbol shqiponje! Bëheshin negociata gjersa në mënyrë agresive sulmohej shteti i Kosovës dhe investohej për të tërhequr apo penguar njohjet!

Taksat prej dhjetë për qind, u interpretuan si synim për pastrim etnik. Taksat prej njëqind për qind, u interpretuan si dëshirë për pastrim etnik. Themelimi i ushtrisë, interpretohet si synim për pastrim etnik, edhe pse serbet e Kosovës nuk i shqetëson njeri. Ai pezmatim flet për zhgënjimin e qeverisë serbe, pse Kosova nuk po ndërtohet vetëm sipas dëshirës së racës superiore serbe, që ua kishte mundësuar Thaçi.

Pas çlirimit të Kosovës, nisi okupimi ndryshe: në një anë Serbia dominonte tregun, pra ekonominë, në anën tjetër u rishfaq osmanizmi, program i së cilit ishte rikthimi i në një mënyrë tjetër i perandorisë së shuar dhe në vend të investimeve nëpër spitale, rrugë, shkolla, universitete, në Kosovë nisi ndërtimi i xhamive dhe sot Kosova ka më shumë xhami, se sa ka pasur gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Xhamitë duhet të ndërtohen kudo që populli ndjen dhe shpreh dëshirë, por jo kur dhe ku ndjen nevojë miku i Putinit, Erdogani. 

Kur psikopati shqiptar fiton pushtet, ai nuk zgjedh as aleatin, as mikun, por vetëm ata që i shërbejnë përforcimit të karrierës. Tek ata nuk shquhen interesat nacionale, por ato personale. Edi Rama disa herë voton kundër SHBA-ve në OKB, edhe pse mik real tjetër kombi shqiptar në botë nuk ka! Ky dhe Thaçi para Erdoganit trishtohen dhe çdo kërkesë e tij, është dekret sulltani.

Sikur të kishim ruajtur ujin e pistë të Adenauerit dhe ta venim në përdorim për interesa nacionale, nuk do t’i kishim sot bujqit nëpër Kuvende, por ata nëpër ara dhe të dijshmit me pushtet! Sot nuk do të kishim folur për viza, por për aderim, madje ndoshta edhe tashmë të anëtarësuar në Europë. Sot ata që na çliruan, na refuzojnë! Me njerëzit me merita, që i përkrahën Demaçi dhe Qosja, sot gjendemi para arrestimit të atyre që rrezikuan jetën për atdheun. Disa prej tyre meritojnë mirënjohje dhe përmendore, por jo pushtet politik, sepse u mungon dija dhe Kuvendi është shndërruar në një lamë çobanësh. Ja pse nuk derdhet uji i pistë, kur nuk ke mjaftueshëm ujë të pastër! Nuk e kishte as Gjermania, e ne, aq më pak!

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart