Idetë për fundin e historisë ose për rikthimin e historisë


27/12/2018

Francis Fukuyama dhe ideja për “Fundin e Historisë”!

Ideja për “Fundin e Historisë” është shumëkuptimore dhe përmban dy motive bazë të menduarit: përfundimin e besimit në histori si një zhvillim linear, i vazhdueshëm dhe progresiv i shoqërisë njerëzore, që shpie në një qëllim të caktuar të parashikueshëm, dhe skepticizmi radikal lidhur me mundësinë e njohjes objektive historike. Në rastin e parë, ideja e “fundit të historisë”, paraqitet sipas kuptimit të historisë së krishterë në mënyrë eskatologjike të reinterpretuar – sikurse një njeri i Mesjetës besonte se historia zhvillimit të vet linear do t’i jap fund në çastin e Ditës së Gjykimit, dhe se si Hegeli dhe Marksi argumentonin se krijimi i një shteti liberal, ose shoqërisë pa klasa, do të bëj zhdukjen e shkaktarit të  dinamikës së lëvizjes historike, teoricienët neoliberalistë duke qenë nën përshtypjen e shembjes së utopisë komuniste të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, kanë formuluan tezën se historia ka arritur në pikën e saj të fundit. Këtë ide në mënyrë më konsekuente e ka shpjeguar politikologu amerikan Yoshihiro Francis Fukuyama (1952) duke pohuar se “demokracia liberale” mund të përbëjë “fundin e evolucionit ideologjik të njerëzimit” dhe “formën përfundimtare të sundimit të njeriut” dhe, si të tillë, “fundin e historisë”. Fukuyama, qëndrimin e tij e ka mbështetur pikësëpari në bindjen se sistemi i demokracisë liberale, që mori dominimin e botës, është privuar nga kontradiktat të brendshme themelore dhe se kjo është e pamundur që të përmirësohet. Duke mos synuar, t’i bëjmë një analizë të hollësishme qëndrimeve të studiuesit Fukuyama, jemi të prirur të mendojmë se, zhvillimi historik gjatë dy dekadave vijuese pas zhbërjes së sistemit komunist në Europën Lindore dhe Juglindore përgënjeshtroj triumfalizmin naiv të apologjetit të konceptit të demokracisë neoliberale dhe tregut të globalizuar, ndër të cilat, një vend të caktuar zë padyshim edhe Fukuyama. Konceptimi postmodern për “fundin e historisë”, qëndron  në themele se,  ka nisur “Fundi i Historisë”, që kuptohet si një avancim drejt një qëllimi të caktuar.

“Rikthimi i historisë dhe fundi i ëndrrave”!

Në anë tjetër, studiusi amerikan Robert Kagan (1958-), në një vëllim të veçantë kundërshtonte studiuesin Fukuyama, i cili kishte inkuadruar tezën e gabuar se pas Luftës së Ftohtë marrëdhëniet ndërkombëtare kanë hyrë në një periudhë të re të zhvillimit në të cilën regjimet autokratike nuk përfaqësojnë Sistemet Alternative Politike, që është treguar tashmë për disa vjet pas të ashtuquajturës “Fitorja e demokracisë”. Sipas mendimit të Robert Kagan, sfida të vjetra dhe të reja të pushtetit demokratik paraqesin, si, bie fjala, rritja e nacionalizmit, regjimet e reja autokratike dhe islami radikal. Në librin “Rikthimi i historisë dhe fundi i ëndrrave”, ai, flet për “shkatërrimin e  shpresës”, që është një epokë e re në politikën e sigurisë dhe rendit të  ri botëror, për marrëdhëniet midis aleatëve të vjetër dhe të rinj, respektivisht për marrëdhëniet në mes konkurrentëve, si dhe në shpërthimin e sërishëm të konflikteve. 

Kagan së pari përshkruan zhvillimin e rendit ndërkombëtar, sfidat e  “vjetra” dhe “të reja” të sigurisë, para se të kalonte në analizën e hollësishme të “fuqive të reja të mëdha”,  si, Rusia, Kina, Japonia, India dhe Irani. Në këtë kontekst pas rënies së Bashkimit Sovjetik, vazhdon Kagan duke  shpresuar se do të vie liberalizimi i vendeve komuniste, dhe se demokracia është e vetmi rregullues i mundshëm politik në të ardhmen. Një zhvillim i tillë do të jetë një parakusht për krijimin e një “sistemi të përsosur ndërkombëtar”, i cili do të funksiononte mbi bazën e sundimit të ligjit, dhe ku shtetet do të miratojnë përgjegjësinë e përbashkët e ndarë për liri dhe drejtësi.

Megjithatë, sipas Kagan, demokracia liberale nuk ka arritur të “frenonte instinktin e njeriut për manifestimin e agrisivitetit dhe të dhunës”. Zhvillimi i ekonomisë, që është dashur  të çojë në konsolidimin e demokracive liberale,  shpiente në forcimin e vetëbesimit të shteteve të caktuara, respektivisht intensifikimin e konflikteve të vjetra dhe shfaqjen e konflikteve të reja. Për kët arsye Kagan flet për “rikthimin e nacionalizmit të fuqive të mëdha”. Në vend të formimit të rendit të ri botëror, vie deri te një një mbivendosje, respektivisht, deri te një konflikt interesi të këtyre vendeve. Pra, kështu kthehemi zhvillimit historik të ngjarjeve, dhe, sipas pohimit të studiuesit Kagan, “bota është bërë përsëri normale”.

Bashkërendimi i nacionalizmit dhe fuqisë ushtarake

Dy karakteristika kryesore në radhë të parë influencojnë politikat e vendeve të cilat i analizon Kagan në librin e tij si përgjegje ndaj pikëpamjeve të Fukuyama-s. Këto janë rritja ekonomike dhe nacionalizmi. Bashkërendimi i nacionalizmit dhe fuqisë ushtarake, të cilat janë në rritje në sajë të investimeve në sektorin ushtarak, “është element më i rrezikshëm, dhe si i tillë duhet të mënjanohet”. Të gjitha vendet, natyrisht me përjashtim të SHBA-ve, janë duke u përpjekur, që me fuqinë e tyre ushtarake për të rifituar ndikimin në politikën botërore, dhe për këtë arsye janë rritur investimet në këtë sektor. Këto investime janë bërë të mundshme në sajë të zhvillimit ekonomik. Në anën tjetër, edhe pse në disa vende ka filluar liberalizimi i shoqërisë (Rusi), kjo nuk paraqitet si sfidë në regjime autokratike, për aq kohë sa nuk ka siguri ekonomike (Rusia, Kina, Irani). Çdo përpjekje e mëtejshme e liberalizimit shoqëror është pritur me mosbesim dhe bëhet përpjekje për të ndaluar atë. Çdo kritikë që vjen nga jashtë është perceptuar si ndërhyrje në një shtet sovran dhe shpien në përkeqësimin e marrëdhënieve me demokracitë perëndimore. Kagen nuk kritikon sistemet politike të Indisë dhe Japonisë, ndoshta për shkak se ata nuk janë karakterizuar si autokratik, edhe pse dihet se India nuk është një demokraci aq ideale ashtu siç është përshkruar ndonjëherë. Mbetet e paqartë se me çfarë kritere janë zgjedhur vendetë të cilat janë analizuar. Nuk është e qartë nëse ata kishin qenë të përzgjedhur sepse ato përfaqësojnë “superfuqitë”, një kërcënim për rendin botëror, ose rival të mundshëm të SHBA-ve. Është për tu përshendetur guximi i shprehur në kontekstin e historisë së sotme se “hegjemonia amerikane ka ekzistuar”, dhe se SHBA-t kanë bërë gabime në të kaluarën. Kagan ka justifikuar ndërhyrjet në fjalinë se SHBA-t ishin të motivuara nga “shpirti i bujarisë fisnike  dhe vetë-perceptimi, të cilin e kanë zotëruar si fuqi iluministe”. Kjo ndihmë mbetet si një rol i rëndësishëm i SHBA-ve.

Islami radikal në qendër të politikës së sigurisë amerikane

Nëse Islami radikal në vitet e fundit ka qenë në qendër të politikës së sigurisë amerikane, Kagan pretendon se luftën e saj kundër globalizimit, dhe mbi të gjitha kundër modernizimit, nuk paraqet një problem të tillë të madh për sistemin ndërkombëtar, sepse modernizimi i shoqërisë nuk mund të ndalet. Një rend i tillë të ngjarjeve, ai, e kupton të jetë logjik. Nuk ka trende individuale. të cilat do të jenë në gjendje të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e ngjarjeve globale, si dhe mundësitë që ata të bashkohen janë shumë të vogla. Problemi i vetëm është fakti se lufta kundër terrorizmit islamik “përcakton aleatë iluzore dhe bashkëpunimin me fuqi të tjera të mëdha me të cilat një aleancë e vërtetë praktikisht është e pamundur”, të tilla si bashkëpunimi në kuadrin e jashtë proceseve gjyqësore të terroristëve.

Çështja e Kosovës dhe intervenimi i NATO-s

Në një botë ku shtetet kanë pikëpamje të ndryshme për të drejtat dhe sovranitetin Kagan pretendon se “nuk ka asnjë mundësi që së bashku të sjellin vendime në lidhje me numrin e madh të çështjeve strategjike rreth asaj se a do të duhet ndërhyhet, të  vendosë sanksione ose duhet izoluar vende të caktuara”. Duke pasur parasysh faktin se është e qartë se Kombet e Bashkuara nuk mund të zgjidhin këto probleme dhe se shfaqja e një aleance të re, në të cilën fuqitë e mëdha do të vijnë së bashku me një zgjidhje tani për tani është e pamundur. Në këtë kontekst inkuadrohet edhe çështja e Kosovës dhe intervenimi i NATO-s për këtë çëshjte përgjatë 24 mars-12 qershor 1999. Kagan nis tezën se ishte e nevojshme për këtë rast për mekanizma të reja për menaxhimin e planetit, që duhet të përcaktohet nga Shtetet e Bashkuara, për të marrë “përgjegjësinë e pretenduar për paqen në botë” në vend të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i rënë në gjendje kome. Së këtejmi Kagan mbështet bashkimin e demokracive në një organizatë të vetme e cila fillimisht do të jetë joformal. Kjo aleancë, edhe pse do të jetë një kundërpeshë ndaj shteteve autokratike,  migjithatë nuk të zhvillon luftëra kryqtare. Roli kryesor i kësaj aleance do të jetë e përkushtuar për krijimin e demokracive në zonat e krizës të botës.

Nuk ekziston një histori e përgjithshme, e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse!

Të gjitha arritjet e mëdha që iu kanë atribuar historisë – besimi në përparimin e njerëzimit, përparimi drejt lirisë, suprimimi i shfrytëzimit – i ka demantuar vetë historia sepse racionaliteti, shkenca dhe teknologjia, të cilat bazohën në të janë treguar vetëm si instrumente të kontrollit dhe sundimit mbi njerëzit. Andaj, sipas historianit G. Iggers detyrimisht del se, nuk ekziston një histori e përgjithshme, e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse, por është e mundur të bëhet fjalë vetëm për një shumëllojshmëri e histori të ndryshme – historia e individëve, grupeve sociale dhe të kulturave.

Pamundësia e qasjes direkte me të kaluarën dhe ndërmjetësimi i saj me të sotmën në formën e burimeve historike, të cilat në një pjesën më të madhe, kanë karakter shkrimi, ka shkaktuar mohim radikal të fuqisë njohëse të shkencës së historisë. Duke i mohuar bazat themelore epistemologjike të njohurive historike, postmodernizmi ka sfiduar legjitimitetin dhe aspiratat e historiografisë për të vërtetën duke e shpallur për degë të letërsisë, disiplinë kjo në të cilën është gjendur  kryesisht deri në epokën e Iluminizmit. Shikuar nga diskursi postmodern, historiografia është liruar nga atributi i tij shkencor, duke u kthye në gjendje paramoderne, me çka, në të njëjtën kohë është paralajmëruar edhe fundi i saj si një disiplinë shkencore. Pamundësia e njohjes  së vërtetë për të kaluarën dhe shpalljen e “fundit të historiografisë”, ka hapur mundësinë e njohjes së plotë të relativizimit  të diturive historike. Mbizotërimi i diskursit postmodern, me ringjalljen e mitikës dhe të sajuarës, do të jetë një lloj i regresit të  vetëdijes dhe të menduarit  historik, si dhe triumfit të paditurisë ndaj historiografisë, që do të lejonte dominimin e paarsyeshmërisë dhe hapjen e rrugëve për manipulime me dituri historike. Duke synuar të demaskojnë të gjitha tregimet e mëdha për emancipimin e racës njerëzore, si një formë e shtypjes ideologjike dhe manipulimit, përfaqësuesit e postmodernizmit zhytën në apori të mendimit të tyre – duke qenë se, me relativizimin e përgjithshëm të forcave njohëse shkencat historike shembin kufirin midis të vërtetës dhe rrenës, (“të gjitha historitë janë po aq të mira, përkatësisht  në mënyrë të barbartë të këqija”), ata në mënyrë të vlefshme legjitimojnë edhe të gjitha burimet ideologjike për të kaluarën, kritika themelore e të cilëve paraqet pikën fillestare të tyre. Me fjalë të tjera, në përpjekje për të shpëtuar njerëzimin nga konstruksionet ideologjike, postmodernistët në të vërtetë arrijnë të kundërtën. Kritiku dhe teoricieni anglez, Christopher Charles Norris (1947) tërheqë vëmendjen se “relativizmi ekstrem lë derën hapur historianëve skajshëm të djathtë për të krijuar konsensus të falsifikimit masiv, i prodhuar sipas leximit të gabuar ose përdorimit manipulues të dhënave, me shmangien e fakteve vendimtare dhe krijimin e sigurt të amnezionit selektiv tek ata kujtesa e të cilëve do të kthehet shumë mbrapa. Gjatë këtij udhëtimi meditues të postmodernës qëndron edhe një tjetër kontradiktë – duke filluar nga kritika e “tregimeve të mëdha” emancipuese, ofron edhe ajo një “metanarracion” në bazën e të cilit është ideja për çlirimin nga vetë “metanarracionët”. Analizuar sipas kriterit të vet, postmoderna e dëbon vetën, meqë edhe ajo vetë paraqet “tregime të mëdha” emancipuese, të cilat synon t’i dekonstrukton.

Kritika e historisë në kontekstin postmodernist!

Postmodernizmi, duke ia ekspozuar shkencën e historisë kritikës radikale, megjithatë ka ndikuar përherë  në të, pavarësisht nga fakti se shumica e akademikëve historianë nuk kanë treguar ndonjë interesim për konceptin e tij. Main stream i profesionit të historianit ka mbetur në përputhje me qëndrimin se doktrina historike mbështetet në rëndësinë kritike të të dhënave historike, duke u pajtuar me mendimin e studiuesit Eric Hobsbawm se, “historia duhet të nisë nga ajo që ka ndodhur”, ndërsa të gjitha të tjerat janë “spekulim i pastër”. Postmodernizmi numrin më të madh të ithtarëve e arriti në vende anglosaksone, vende këto ku në faqe të revistave:  History and Theory, Past and Present, Journal of Contemporary History, e ndpnjë tjetër, u ndezën kritikat kryesore ndërmjet historianëve të lidhur me konceptin e  postmedernizmit dhe historiografisë. Trashëgimia e postmodernizmit në historiografi është e përfaqësuar kryesisht në faktin se ai kishte detyruar historianët në hulumtime me themel të bazave mbi të cilat qëndron shkenca e historisë, si dhe në përkushtimin më të madh të saj për aspektet teorike dhe metodologjike. Prandaj ai ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në forcimin e vetëdijës në historiografi. Duke theksuar karakterin e saj letrar, postmodernizmi ka bërë që historianët të japin llogari për mënyrat e shtjellimit të përmbajtjes historike, dmth. çështjet e cilësisë dhe stilit të gjuhës, sërish fituan vlerën e tyre. Në nivel tematik në historiografi është kthyer individualiteti dhe janë hapur edhe shumë çështje të reja kërkimore. Nga ana tjetër, hermeneutika historike është pasuruar me njohuri të reja dhe me interpretime që më parë janë shpërfillur  ose refuzuar tërësisht. Në përgjithësi, mund të thuhet se sfida e postmodernizmit ka ndikuar frytshëm në historiografi, duke e rritur nivelin e saj kritikë dhe vetëkritikë, si dhe duke zgjeruar përgjithmonë horizontin e interesat e saj njohëse. Në këtë mënyrë, shkenca e historisë ka dhënë përgjigjen më të mirë të tezës mbi  “fundin e  historisë dhe historiografisë”, duke e bërë atë, në të njëjtën kohë, dialog të vazhdueshëm midis të kaluarës dhe të tashmës, i cili qartësisht  dallon jetën e njerëzimit në shoqëri.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart