Kthehu lart

Zhvillimet e fundit në vend, analistët tregojnë a ka rrezik për destabilizim

Zhvillimet e fundit në vend, analistët tregojnë a ka rrezik për destabilizim GazetaExpress

Institucionet e Kosovës kanë humbur fuqinë në veri të vendit. Për qeverinë po planifikohet tash e sa kohë një mocion mosbesimi. Për pak ditë po parashihet që të votohet për transformim të FSK’së, ani pse për këtë kanë rezerva vendet mike të shtetit, e veçse kanë filluar të dalin në opinion emrat e parë që do të thirren nga Specialja. Sikur tash për një destabilizim të mundshëm nuk është folur më parë, sidomos kur shihen kërcënimet ditore që përcillen nga liderët serbë, shkruan Gazeta Express

Momentalisht Kosova është duke kaluar nëpër disa procese të rëndësishme, të cilat kanë çuar marrëdhëniet me Serbinë në nivel tjetër. Përderisa krerët e shtetit kosovar e atij serb po diskutonin për shkëmbime me territore, situata ndryshoi fillimisht në veri.

Taksa prej 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake revoltoi banorët serbë të komunave veriore të vendit, për pasojë të katër komunat e veriut mbetën pa udhëheqës.

Ndërkohë, Qeveria që nuk po ua pranon dorëheqjet kryetarëve të komunave serbe, tash e sa kohë është duke u kërcënuar nga opozita me një mocion mosbesimi.

Për pak ditë pritet që në Kuvend të votohet për transformim të FSK-së. E ndërkohë, një ditë më parë u bë e ditur se Gjykata Speciale veçse ka filluar ftesat e para për intervistim.

Kur flitet për këto zhvillime, përmendet edhe destabilizimi, sidomos nëse shihen “kërcënimet” e vazhdueshme që vijnë nga krerët serbë.

Për këtë ekspertët e sigurisë thonë se gjendja e sigurisë është relativisht e qetë dhe tensionimi po vjen vetëm nga Serbia.

“Gjendja e përgjithshme e sigurisë në vendin tonë është relativisht e qetë dhe nuk ka tendenca të përkeqësimit pavarësisht reagimit që po bëhen nga Serbia përmes agjencive të inteligjencës dhe sigurisë në Kosovë dhe mendoj që gjendja e tillë në Kosovë dhe situata politike, e cila po zhvillohet është refleksion i ndasive politike”, ka thënë eksperti Avni Islami.

Të njëjtën po tentojnë ta bëjnë më së shumti në veri, thotë Islami.

“Situata në veri është ajo që është nuk ka probleme. Por që institucionet paralele serbe po tentojnë të destabilizojnë atë pjesë si dhe agjendën politike të Kosovës. Për fat të keq institucionet e Kosovës nuk janë unike në raport me interesat nacionale dhe kjo po ndikon edhe në raport me Serbinë”, përfundon ai.

Ndërkaq, analisti Astrit Gashi, duke folur për Express, thotë se nuk sheh që Serbia ka interes për të nxitur ndonjë konflikt apo edhe për t’u kyçur në të.

“Ndonëse në Serbi po përmenden kërcënime të sigurisë dhe madje edhe aso të luftës, posaçërisht në kontekst të krijimit të Ushtrisë së Kosovës, kjo klimë është më shumë për publik të brendshëm që të duket sikur Serbia po bën gjithçka për ta penguar atë, si dhe një presion i momenteve të fundit ndaj shteteve që përkrahin Kosovën”, ka thënë Gashi.

Megjithëse thotë se Kosova nuk ka motiv për të krijuar konflikt thotë se është shqetësuese që ky proces nuk po menaxhohet si duhet nga qeveria.

“Derisa kemi një ofensivë nga Serbia, qeveria jonë është dashur të dizajnojë një plan komunikimi të brendshëm, rajon dhe ndërkombëtar për të minimizuar peshën e deklaratave serbe, për të qetësuar opinion publik si dhe për të qartësuar përtej cilit do dyshim se veprimet në këtë ane janë në favor të paqes.

Gashi vlerëson se Kosova ka hyrë në luftë të ftohtë me Serbinë e papërgatitur dhe pa plan.

Në fund duke folur për Gjykatën Speciale dhe zhvillimet e fundit, ai shton se kjo gjykatë ka vonuar shumë me veprime sa që opinioni publik i ka ulur pritjet, ndërkaq, ata që do të ftohen e kanë mposhtur frikën.

“Te Specialja do të varet gjithçka nga ajo se kush do të jenë të akuzuarit- jo më shumë se një grusht njerëzisht kanë fuqi të ndikojnë në Kosovë dhe si duket ata nuk do të jenë caku i Speciales në hapat e parë të saj”, ka përfunduar ai./Express

    Data: 07 Dhjetor 2018 18:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera