Kthehu lart

Zelanda e Re po përballet me zjarre të mëdha në natyrë

Zelanda e Re po përballet me zjarre të mëdha në natyrë GazetaExpress

Erërat e fuqishme pritet ta rëndojnë gjendjen e zjarreve në pyjet e Zelandës së Re, të cilat filluan para një jave. Autoritetet thonë se zjarret e kanë përfshirë një sipërfaqe prej 2300 hektarësh. Kjo situatë i ka detyruar mijëra banorë të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Në orët e para të ditës së diel, 155 zjarrfikës kanë qenë të angazhuar në shuarjen e zjarreve përmes tokësore, të cilët janë ndihmuar edhe përmes ajrit nga 23 helikopterë dhe tre aeroplanë të vegjël. Ky numër i pajisjeve paraqet aksionin më të madh kundër zjarreve në histori të këtij shteti.

Zyrtari për mbrojtje civile, Roger Ball, ka njoftuar se rreth tre mijë banorë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre në Wakefield dhe Pigeon Valley, ndërsa pritet që një numër edhe më i madh i banorëve të zhvendosen gjatë ditës së sotme.

Autoritetet nuk kanë raportuar për viktima nga këto zjarre. Agjencia për Mbrojtje Civile ka deklaruar se erërat e fuqishme mund ta shkaktojnë përhapjen e zjarreve në sipërfaqe më të mëdha. Në anën tjetër, zyrtarja për komunikim e Kryqit të Kuq të Zelandës së Re, Ellie van Baaren, ka njoftuar se personat e zhvendosur janë të lodhur dhe të irrituar.

Një pjesë e madhe e rajonit të prekur nga zjarret është zonë pyjore dhe në të ndodhen shumë ferma. Disa fermerë i kanë dërguar kafshët e tyre në zona më të sigurta për shkak të rrezikut nga zjarri. Këto zjarre filluan të hënën dhe u përhapën shpejt. Autoritetet e kanë shpallur gjendjen emergjente të mërkurën e kaluar, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

    Data: 10 Shkurt 2019 09:04
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera