Kthehu lart

Vendbanime, kishë, raki... me emrin Putin në Serbi

Vendbanime, kishë, raki... me emrin Putin në Serbi GazetaExpress

​ Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tashmë ka një fshat me emrin e vet, figurën e dylltë, brendin e ri të rakisë së kumbullës “Putinovka”, disa kafene, e tash një kishë në Serbi do të quhet “Putin”, shkruan AP një ditë para shkuarjes së tij për një vizitë zyrtare në Beograd.

Banorët e fshatit Banstol, në veriperëndim të Serbisë po presin me padurim nëse Putin do ta vizitojë “Putinin”, kishën që është në ndërtim e sipër.

Interesat ruse në rajon (Ballkan) janë të lidhura me pozitën e tij strategjike ndërmjet Lindjes e Perëndimit.
Nga tetë fqinj të Serbisë, pesë janë anëtare të NATO-s, katër janë anëtare të BE-së dhedy sosh janë në proces të integrimeve evropian, shkruan AP.

Serbia është treguar aleat besnik i Rusisë edhe pse është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Beogradi ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë për shkak të Ukrainës dhe ka premtuar se nuk do të bëhet anëtare e NATO-s.
Analistët besojnë se lidhjet e fuqishme ndërmjet kishës serbe e ruse kanë rol të rëndësishëm në ripërtëritjen e ndikimit rus te serbët pas shkëputjes së Jugosllavisë dhe liderit të saj Josip Broz Tito nga Bashkimin Sovjetik dhe kthimit e forcimit të lidhjeve me Perëndimin.

Fanellat me portretin e Putinit shiten nëpër rrugë e në Qeverinë e Serbisë qëndrojnë hapur ministra pro rusë.

Hulumtimet thonë se shumica e serbëve besojnë se Rusia është aleati dhe donatori më i madh përkundër ndihmës shumë më të madhe ekonomike të Perëndimit dhe çdo ndihme tjetër të vendeve ballkanike.

Popullariteti i Putinit u arrit më së shumti për shkak të përkrahjes që Kremlini ia jep Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa kisha atë sërish e mendon “vendlindje” të saj dhe vend ku ka më së shumti objekte kulturore e fetare, transmeton Koha.net.
Për dallim të kësaj, shumica e vendeve perëndimore e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.

Patriarku serb Irinej kohë më parë ka thënë se Serbia do marrëdhënie të mira me Evropën, SHBA-në dhe Rusinë, por nëse interesat e Perëndimit bien në kundërshtim me interesat tona, nuk ka dyshim se në këtë rast Rusia është në vendin e parë.
Kisha serbe ka dëshmuar lojalitet dhe ka qëndruar në anën e kishës ruse me rastin e shpalljes së pavarësisë së kishës ukrainase nga Moska.

    Data: 16 Janar 2019 23:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera