Kthehu lart

​Specialja deklarohet për arratisjen e Remzi Shalës 

​Specialja deklarohet për arratisjen e Remzi Shalës  GazetaExpress

Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën thotë të kenë dëgjuar përmes mediave rreth arratisjes së mundshme të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Remzi Shala, pas ftesës që i është bërë atij për intervistim nga Haga për krime lufte. 

Megjithatë, kjo zyrë nuk komenton këtë veprim të komandantit të njohur me nofkën “Molla e Kuqe”. 

“ZPS-ja është e njoftuar për raportimet e medieve në lidhje me z. Shala. Sidoqoftë, ZPS nuk e komenton statusin e hetimeve të saj për arsye profesionale, ligjore dhe për arsye etike”, thuhet në një përgjigje të ZPS-së për Gazetën Express. 

Nga ana tjetër, sipas një ftese që ka publikuar të martën Gazeta Express, zbulohet se të ftuarit për intervistim nga Haga janë të detyruar t'i përgjigjen thirrjes

“Mosparaqitja e këtyre dokumenteve që ju kërkohen do të konsiderohet mosbindje. Si rezultat Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë nga Dhomat e Specializuara të merren masa që detyrojnë bindjen ndaj këtij urdhri”, theksohet në thirrjet për gjyq të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të lëshuara ndaj disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së. 

Tutje, në një nga faqet e kësaj ftese të siguruar nga gazeta specifikohet edhe se në rast mosbindje të këtij urdhri, atëherë Haga mund të urdhërojë gjobitjen ose burgosjen e personit në fjalë. 

Ndryshe, Remzi Shala të martën për Gazetën Express ka konfirmuar ftesën e marrë nga Prokuroria e Gjykatës Speciale.

Ai, në bisedë me gazetën ka treguar se nuk do t’i bindet këtij urdhri. 

“U bëj thirrje të gjithë shokëve të mi, si kur kemi dhënë besën për atdhe dhe për flamur, ashtu të jemi të një bese, mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorëzohemi në Hagë”, kishte deklaruar ai.  

Ky ka qenë kontakti i fundit i mediave me Shalën. Të nesërmen ai nuk është ndodhur në shtëpi

Se nuk e di vendndodhjen e suharekasit ka pohuar edhe avokat i tij, Natal Bullakaj. 

“Jam njoftuar edhe nga nipi i tij, i cili e ka përcjellë vazhdimisht edhe në një proces tjetër, se Remzi Shala e ka mbyllur edhe telefonin dhe nuk gjendet në Kosovë. Familjarët kanë thënë se nuk dimë për vendndodhjen e tij”, ka thënë avokati Bullakaj. 

Komandant “Molla e Kuqe” është personi i shtatë i konfirmuar se ka marrë ftesë nga Haga për intervistim. Në mesin e tyre janë edhe ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, ish-deputeti i PDK-së Rrustem Mustafa - të dy ish-komandantë në kohë lufte – dhe Nazif Mehmeti e Sokol Dobruna. Ky i fundit ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. /M.Gj./GazetaExpress/. 

    Data: 13 Dhjetor 2018 15:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera