Kthehu lart

Shefi i OKB'së: Ideja e korrigjimit të kufijve ka ngjallur brenga në rajon e më gjerë

Shefi i OKB'së: Ideja e korrigjimit të kufijve ka ngjallur brenga në rajon e më gjerë GazetaExpress

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në raportin më të ri për Kosovën, ka përshëndetur vendosmërinë e Kosovës dhe Serbisë që, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të arrijnë deri tek normalizimi i marrëdhënieve, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë që në tre muajt e fundit kanë ndodhur disa incidente që janë si rezultat i tensioneve ndëretnike.

“Gjendja e sigurisë në Kosovë, gjatë periudhës raportuese, ka qenë e qetë edhe pse tensionet ndëretnike në disa raste kanë kaluar në incidente”, ka thënë Guterres në raportin e tij tremujorësh për gjendjen në Kosovë, të cilin ambasadorët e Këshillit të Sigurimit do ta shqyrtojnë më 14 nëntor, raporton “Tanjug”.

Guterres, në raportin që e ka parë portali i televizioni publik serb, ka shtuar se deklaratat e liderëve kosovarë dhe serbë për ndryshim kufijsh kanë ngjallur brenga tek serbët e Kosovës, por edhe mosmarrëveshje mes Beogradit dhe liderëve të Kishës ortodokse serbe në Kosovë, transmeton koha.net.

Sipas tij, këto deklarata kanë ngjallur edhe reagime në rajon sikurse edhe në bashkësinë ndërkombëtare, të cilat kanë variuar nga thirrjet për shqyrtim të të gjitha opsioneve të mundshme që do të çonin kah zgjidhja, deri tek shprehja e shqetësimeve serioze të ndërlidhura me pasoja të mundshme që do të mund të kishin korrigjimet territoriale ndaj stabilitetit të rajonit.

Shefi i OKB-së ka përshëndetur vendosmërinë e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të arrijnë deri tek normalizimi i raporteve dhe në të njëjtën kohë ka falënderuar liderët e të dyja palëve për angazhimin dhe vendosmërinë që kanë treguar në procesin e zgjidhjes së çështjeve të hapura.

“Jam i brengosur për tensionet e përtërira që lidhen me ndërtimet në zonat e veçanta të mbrojtura”, ka shtuar ai, sipas RTS-it, duke iu referuar ngjarjeve rreth Manastirit të Deçanit.

Guterres, edhe njëherë ka shfaqur keqardhjen e tij për mungesë interesimi në procesin e mbledhjes së mjeteve për një fond dedikuar romëve, ashkalive dhe egjiptianëve të cilët në Kosovë kanë qenë viktima të helmimit nga plumbi.

“Kontributet në këtë fond do të ishin një dëshmi e prekshme e mbështetjes ndërkombëtare për këto komunitete të ndjeshme dhe nevojat e tyre urgjente”, shkruan Guterres.

    Data: 07 Nentor 2018 21:18
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera