Kthehu lart

Serbi i dyshuar për krime lufte në Kosovë arrestohet në Mal të Zi

Serbi i dyshuar për krime lufte në Kosovë arrestohet në Mal të Zi GazetaExpress

Të dielën policia e Malit të Zi, tha se ka arrestuar një shtetas serb në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar, i cili është i dënuar në Serbi me 7 vjet heqje lirie për tregti me narkotikë si dhe dyshohet për përfshirje në krime lufte në Kosovë.

P.V, 64 vjeçar nga qyteti i Shabacit në Serbi, kërkohet për shkak të "dyshimit të bazuar se ka kryer krime lufte kundër civilëve në periudhën ndërmjet 23 marsit dhe 20 qershorit të vitit 1999 në fshatin Qyshk të komunës së Pejës në Kosovën perëndimore". Si pjesëtar i njësisë serbe të njohur si "Çakajtë", ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë.

Në shkurt të vitit 2014 një gjykatë në Beograd, dënoi nëntë persona me gjithsej 106 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Të nëntët pjesëtarë të formacionit të njohur si “Çakajtë”, u dënuan për vrasjen e mbi 120 civilëve shqiptarë në fshatrat Lubeniq, Zahaq, Pavlan e Qyshk të komunës së Pejës, në Kosovën perëndimore në pranverën e vitit 1999.

Ata ngarkoheshin për vrasje, përdhunime, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës së shqiptarëve, dhe dëbimin e popullatës civile për në Shqipëri. Sipas aktakuzës, viktima më e re e këtyre krimeve ishte 19 vjeç ndërsa më e vjetra 87 vjeç.

Akuza kundër tyre ishte ngritur në shtator të vitit 2010 për krime lufte në fshatin Qyshk të komunës së Pejës dhe në të thuhej se pjesëtarët e këtij njësiti “janë treguar skajshmërisht të dhunshëm dhe të pamëshirshëm, ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre".

Në vitin 2015, gjykata e apelit në Beograd riktheu procesin në fillim.

Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila morri fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, por është përfshirë në një proces bisedimesh me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e saj drejt integrimeve evropiane. /VoA

    Data: 22 Korrik 2018 23:55
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera