Kthehu lart

Qyteti francez ndëshkon pronarët e qenve që lehin vazhdimisht

Qyteti francez ndëshkon pronarët e qenve që lehin vazhdimisht GazetaExpress

Kryetari i një qyteze në veri të Francës e ka lëshuar një ndalesë për lehjen e vazhdueshme të qenve si përpjekje për të siguruar qetësi për banorët dhe vizitorët e këtij vendi.

Tash e tutje, pronarët e qenve do të ndëshkohen me gjobë prej 68 eurosh në rast se qentë e tyre lehin vazhdimisht ose në mënyrë të përsëritur. Kryetari i qytezës Feuquieres, Jean-Pierre Estienne, ka thënë se kjo masë është marrë për qentë që lehin vazhdimisht dhe të cilët po e krijojnë një situatë të papërballueshme në këtë vendbanim.

Vendimi i kryetarit është kritikuar nga aktivistët për të drejtat e kafshëve. Megjithatë, ai ka thënë se pronarët nuk do të ndëshkohen për të lehurat e vogla të qenve të tyre. “Qyteti ynë nuk ka asgjë kundër qenve, por kur dikush vendos ta mbajë një qen, ai duhet ta edukojë atë”, ka thënë kryetari.

Kjo ndalesë tashmë i ka marrë votat e mjaftueshme në këshillin lokal, ndërsa në të parashihet edhe ndalimi i lënies së qenve pa pronarë në zona të mbyllura për shkak të të lehurave të vazhdueshme të tyre. Pronarët e qenve do të ndëshkohen në rastet kur ndaj tyre paraqiten ankesa nga qytetarët, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

    Data: 12 Shkurt 2019 17:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera