Kthehu lart

Pse AKI'ja po kërkon përjashtim nga Ligji për pagat

Pse AKI'ja po kërkon përjashtim nga Ligji për pagat GazetaExpress

Përmes këtij ligji thuhet se mund të deshifrohet struktura organizatave e Agjencisë së Inteligjencës, raporton T7

Pak gjëra ka që nuk janë sekrete në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Madje sekret konsiderohet edhe tërë struktura organizative e kësaj Agjencie të Sigurisë.

Krejt çka dihet publikisht për AKI-n, janë emrat e Drejtorit, zëvendës drejtorit e Inspektorit të Përgjithshëm.

Për krerët e agjencisë, dihet edhe sa është paga që e marrin nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, e tërë struktura tjetër dhe pagat e tyre konsiderohen sekrete.

Por, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konsideron se Ligji për Pagat i hartuar nga qeveria, ua rrezikon këto sekrete, andaj i kanë kërkuar që ata të përjashtohen nga fushëveprimi i këtij ligji.

E kësaj kërkese mbështetje i ka dhënë edhe komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.

“Kërkohet nga agjencia që të kihet kujdes edhe në trajtimin e agjencisë në këtë rast të pozitave menaxheriale dhe të pozitave të tjera të AKI-së në Projektligjin për Pagat. Në të gjitha vendet pagat e  punonjësve të agjencive të tilla trajtohen me ligje të veçanta, nuk është mirë që të deshifrohen pozitat e tyre dhe punët që ata bëjnë”, ka thënë Ganimete Musliu – zv kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Sipas Musliut, pagat e zyrtarëve të inteligjencës duhet të rregullohen vetëm me ligjin për AKI.

“Punonjësit e AKI-së duhet ta kenë konfidencialitetin, vetë ligji i AKI-së e përcakton saktë se si duhet të trajtohen këto çështje. Prandaj në bazë të ligjit ne e kemi trajtuar dhe e kemi bërë një propozim që do të ia dërgojmë komisionit i cili është duke  e trajtuar Ligjin për Pagat”.

Ndërkohë, zëvendës kryetarja e këtij komisioni shkurtimisht foli edhe për gjendjen e sigurisë në vend.

Sipas saj deri me tani nuk është paraqitur ndonjë kërcënim serioz për destabilzimin e vendit, sidomos veriut të Kosovës.

Ndërkohë, Ganimete Musliu bëri me dije se të premten Komisioni do të ketë vizitë zyrtare në Agjencinë e Inteligjencës.

    Data: 10 Tetor 2018 20:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera