Kthehu lart

Prokuroria sërish kërkon ndaljen e pensioneve për ‘veteranët mashtrues'

Prokuroria sërish kërkon ndaljen e pensioneve për ‘veteranët mashtrues' GazetaExpress

Prokurori Speciale ka konfirmuar se aktakuza e plotësuar në rastin e njohur në publik si “Veteranët” tashmë i është dorëzuar Gjyaktës Themelore të Prishtinës.

Në njoftimin e Prokurorisë drejtuar mediave, thuhet se aktakuza është plotësuar sipas vërejtjeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe "duke pasur parasysh kompleksitetin e rastit, kemi kërkuar afat shtesë, të cilit i jemi përmbajtur me përpikëri".

Ndryshe sot ishte dita e fundit kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës duhej ta dorëzonte në Gjykatë aktakuzën e plotësuar të rastit të njohur për opinionin si “Veteranët”.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzoje brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Në bazë të këtij afati shtesë, data 7 dhjetor 2018 është afati i fundit për dorëzimin e aktakuzës së plotësuar.

Me qëllim që të bëhej plotësimi dhe qartësimi i aktakuzës, gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj, kishte marrë vendim për ta kthyer mbrapa aktakuzën.

Gjykata e ka të paqartë edhe numrin e personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj kërkon nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Përpos këtyre, aktakuza përmban edhe kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale dhe sipas gjykatëses së rastit Nushe Kuka-Mekaj do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër shkaku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

“Duke qenë se është fjala për një numër tejet të madh të personave, që e tejkalon shifrën prej 20.999, është plotësisht e qartë se vendosja lidhur me kërkesën pasurore juridike krahas procedurës penale do ta devalvonte çështjen penale si çështje të dorës së dytë dhe do ta zvarriste procedurën deri në pakufi, prandaj konsideroj që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër me iniciativë të Prokurorit“, thuhet në vendimin e Gjykatës.



    Data: 07 Dhjetor 2018 16:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera