Kthehu lart

Presidenti Thaçi provon ta vjedhë shoun një ditë para votimit të ushtrisë në Kuvend

Presidenti Thaçi provon ta vjedhë shoun një ditë para votimit të ushtrisë në Kuvend GazetaExpress

Presidenti Hashim Thaçi, një ditë para votimit të ushtrisë në Kuvend, në rolin e komandantit suprem përformoi me uniformë në kazermën Adem Jashari.

Transformimi i FSK-së në ushtri, asnjëherë nuk ka qenë më afër. Nesër do të votohet në lexim të dytë pakoja e projektligjeve, të cilat do ta bëjnë Kosovën me ushtri.

Presidenti Thaçi, i cili më parë ka pasur disa tentuar më parë që të formonte ushtrinë e që nuk e ka çuar deri në fund, tash po provon të marrë merita.

Sot i pari i vendit ka shfrytëzuar një nga funksionet që i jep kushtetuta: i veshur si komandant suprem, ka mbajtur fjalimin në emër të institucioneve.

 “Është meritë e çdo qytetari të Kosovës. Prandaj sot çdo qytetar duhet të ndihet krenar. Jam para jush që të ju falënderoj të gjithëve në emër të qytetarëve dhe institucioneve”, është shprehur Thaçi.

Një tentim nga presidenti Thaçi për të marrë ndonjë meritë rreth krijimit të ushtrisë ka ndodhur edhe kur në kuvend, gjatë muajit tetor, janë votuar në lexim të parë tri projektligjet për transformim të FSK-së në ushtri.

Në minutat e parë pasi deputetët hodhën votën e tyre, Thaçi kishte publikuar një video me pamje ku ai vitin e kaluar i ka proceduar në Kuvend projektligjin e dështuar të ushtrisë kryparlamentarit Kadri Veseli.

Ai projektligj, marsin e vitit 2017, nuk kishte arritur as të dalë në votim, pas reagimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk e përkrahnin formimin e ushtrisë me ndryshime ligjore.

Ishte kthyer prapa edhe pse Thaçi pati thënë se nëse nuk e çon deri në fund formimin e ushtrisë, do të jepte dorëheqje.

Mirëpo, ai dështim nuk e ka penguar Presidentin Thaçi që të provojë të marrë merita në tetor, kur 100 deputetë votuan pro tri projektligjeve për ushtrinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka nisur edhe njëherë transformimin e FSK-së në ushtri. Ai tha se ka marrë bekimin nga sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Ndërkaq, SHBA deri tani ka kundërshtuar krijimin e ushtrisë së Kosovës, pa pajtimin e përfaqësuesve serbë.

Amerikanët kërkonin që ushtria të bëhej sipas ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa tashmë SHBA i ka dhënë përkrahje transformimit të FSK-së sipas ligjit. Megjithatë, brenda NATO’s ka qëndrime të ndryshme nëse Kosova duhet ta formojë tani ushtrinë.

Sekretar i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar është deklaruar se është kundër formimit të ushtrisë. Pro, nuk është as Gjermania.

Nesër, më 14 dhjetor, në Kuvend është paraparë që të dalë në votim në lexim të dytë pakoja e ligjeve për transformim të Forcave të Sigurisë në ushtri.  /Express/

    Data: 13 Dhjetor 2018 16:46
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera