Kthehu lart

Patologu Sopa: Mjekët e ardhshëm në Kosovë nuk do të dinë të bëjnë autopsi

Patologu Sopa: Mjekët e ardhshëm në Kosovë nuk do të dinë të bëjnë autopsi GazetaExpress

Ramadan Sopa, drejtor në Institutin e Patologjisë, thotë se studentët e sotëm dhe mjekët e ardhshëm janë të hendikepuar për shkak të numrit të vogël të autopsive që u bëhen të vdekurve.

Sopa ka thënë se para luftës në Kosovë gjatë vitit janë kryer mbi njëmijë autopsi, për shkak edhe të ligjeve të kohës.

Patologu thotë se pas disa ndryshimeve ligjore, sot familjarët vendosin mbi autopsinë e të vdekurit.

Ai në emisionin “Shëndeti” në RTV Dukagjini, ka thënë se shumica e familjarëve hezitojnë të pranojnë t’u bëhet autopsia familjarëve të tyre.

Ky hezitim, sipas patologut Sopa, vjen sepse për familjen është e dhimbshme t’u ‘prehet’ familjari i tyre.

“Gjatë procesit të autopsisë trupi duhet të hapet dhe çdo organ duhet të shikohet me sy, të merren pjesë dhe të ekzaminohen në mikroskop”, tha ai.

Patologu ka thënë se autopsia nuk e ndihmon të ndjerin, por të gjallët mësojnë shkaqet e vdekjes, dhe me autopsi përfiton shkenca.

“Nga i vdekuri mësojnë të gjallët”, shprehet ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori Sopa thotë se vitet e fundit numri i personave që u bëhet autopsi është zvogëluar shumë, dhe me këtë trend gjendja është e vështirë për zhvillimin e mjekëve të rinj.

“Do të vijë një ditë kur mjekët nuk do të dinë të bëjnë autopsinë”, tha ai, duke treguar se për këtë vit deri më tani janë kryer vetëm pesë raste të autopsisë.

    Data: 17 Korrik 2018 07:33
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera