Kthehu lart

Pacolli i shkruan sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, e informon për synimet e Kosovës

Pacolli i shkruan sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, e informon për synimet e Kosovës GazetaExpress

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka shkruar letër sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Gueterres, në të cilën thekson se tashmë me dialogun politik me Serbinë, me qëllim të përmbylljes së Marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative kanë ardhur në momentin e njohjes reciproke si dy vende të pavarura.

Pacolli thekson më tej se përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, është duke filluar perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Sipas tij, Kosova synon anëtarësimin në OKB, dhe për këtë qëllim janë të gatshëm të investojnë në potencialin për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së.

Lexojeni më poshtë postimin e plotë të Pacollit:

“Letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres

Sapo i jam drejtuar me një shkresë, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ku i kam shprehur, që jemi të inkurajuar me zhvillimin në lidhje me diskutimet më të rralla pranë Këshillit të Sigurimit për Republikën e Kosovës. Me përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, po fillon perspektiva e anëtarësimit në një të ardhme të shpejtë, të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Sekretarin e Përgjithshëm, Guterres, e informova që anëtarësimi në OKB, është veçanërisht i mundshëm tani, për faktin se Serbia, ndonëse me vështirësi, së voni ka filluar të shfaqë sinjale të hershme, që është e interesuar të ecë përpara dhe të pajtohet me të vërtetën e afirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me Opinionin e 22 Korrikut, 2010, me të cilin konfirmohet se shtetësia e Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën publike ndërkombëtare.

Po ashtu, Sekretarit Guterresi i kërkova vëmendje të shtuar ndaj Opinionit të GjND-së, si institucioni më i lartë i drejtësisë i OKB-së, Opinion i cili ka kuptimin e Njohjes Kolektive, dhe i cili është baza mbi të cilën Asembleja e Përgjithshme e OKB-së, ka ftuar në dialog të ndërmjetësuar nga BE. Pra nënkuptohet, se Rezoluta e Asamblesë së OKB-së, 64/298, e 9 Shtatorit, 2010, afirmoi fuqishëm shtetësinë tonë.

Në letër theksova se Opinioni i GjND-së, i ka mundësuar Serbisë të shoh këtë të vërtetë, veçanërisht në lidhje me atë se qëndrimi i saj diplomatik ndaj shtetësisë sonë, kërkohet që patjetër të ndryshojë.

Në qasjen time e informoj Sekretarin e Përgjithshëm, se tashmë me dialogun politik, me qëllim të përmbylljes së Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse, Ligjërisht, Ndërkombëtarisht Obligative, kemi ardhur në momentin e njohjes reciproke si dy vende të pavarura.

Sekretarin Guterres e informova që Republika e Kosovës synon anëtarësimin në OKB, dhe për këtë qëllim ne jemi të gatshëm të investojmë në potencialin tonë për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së, në funksion të paqes dhe stabilitetit për të gjithë”. 

    Data: 12 Shkurt 2019 13:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera