Kthehu lart

Mustafa flet me kryetarët e degëve për dialogun dhe ushtrinë 

Mustafa flet me kryetarët e degëve për dialogun dhe ushtrinë  GazetaExpress

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa sot ka thirrur në mbledhje kryetarët e degëve të partisë së tij. Ndërsa pas këtij takimi, për media ka folur Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, i cili ka thënë se ishte takim i zakonshëm në të cilin janë shpalosur qëndrimet e partisë për zhvillimet e fundit në vend. Ai po ashtu ka folur për mundësinë e organizimit të protestave nga partia e tij.

Beqiri ka thënë se në këtë mbledhje janë informuar kryetarët e degëve të LDK’së, me qëndrimet e partisë për çështjen e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, transformimin e FSK’së në ushtri si dhe për zgjedhjet e reja parlamentare në vend.

“Ky ishte një takim i rregullt me kryetarët e degëve të partisë, besojmë që do të kemi të tilla takime edhe më shpesh. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i kryetarëve me qëndrimin e partisë rreth dialogut me Serbinë. Ne insistojmë se ky dialog nuk është i ngutshëm, mund të jetë i tillë vetëm për Serbinë, por jo për ne”, është shprehur Beqiri.

Ai po ashtu ka folur për transformimin e FSK’së në ushtri, duke thënë se LDK’ja e mbështetë një gjë të tillë, pasi sipas tij Kosova e meriton të ketë ushtri.

Ndërsa për zgjedhjet e reja në vend, Beqiri ka thënë se institucionet janë të brishta dhe se mënyra më e mirë për të dalë nga kjo gjendje janë zgjedhjet e reja parlamentare.

I pyetur për listat e veteranëve që së fundi janë shpërndarë në media, Beqiri ka thënë se është e qartë se ka pasur abuzim me këtë proces dhe buxhetin e shtetit, duke theksuar se organet e drejtësisë duhet ta zbardhin këtë çështje.

Gjithashtu, Beqiri i ka përmendur edhe protestat, për të cilat ka thënë se janë të nevojshme për shumë çështje të cilat nuk po shkojnë si duhet në vendin tonë, mirëpo sipas tij duhet provuar të gjitha mënyrat tjera për të dalë nga gjendja e tanishme.

“Nuk është se në Kosovë s’ka nevojë për protesta, për varfëri korrupsion e shumë çështje tjera e veçanërisht për kufirin, por për momentin konsiderojmë që ende ka hapësirë që përmes Kuvendit të bëjmë pengesa të mëdha, me rezolutën tonë që ende s’është aprovuar, që të pengohet çdokush që shkon të flasë për territorin e Kosovës”, është shprehur Beqiri.

Ndërsa ai ka thënë se nëse do duhet të ketë protesta, LDK do të jetë ajo që do t’i organizojë dhe të marrë përgjegjësi për to./GazetaExpress


    Data: 20 Shtator 2018 18:10
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera