Kthehu lart

Kush është Jacline Mourad? 51 vjeçarja që nisi protestat në Francë

Kush është Jacline Mourad?  51 vjeçarja që nisi protestat në Francë GazetaExpress

Jacline Mouraud është 51 vjeçarja franceze e cila me anë të një video – apeli, konsiderohet se ka qenë nismëtarja e protestave masive në Francë kundër rritjes së karburanteve. Video e saj është parë më shumë se 6 milionë herë në internet.

Në videon që e bëri të famshme, me një zë sarkastik, ajo i drejtohet presidentit francez duke kundërshtuar masat energjetike të ndërmarra nga qeveria e Eduard Filip. Mes të cilave dhe rritja e çmimit të karburanteve. Por dhe propozimi për uljen e kufirit të shpejtësisë nga 90 në 80 kilometra në orë për të reduktuar viktimat e incidenteve në periferi, francezëve nuk u pëlqen aspak.

Kështu Jacline Mouraud, me moton “Mjaft me taksa”, kritikon Macron dhe për sa i përket kushteve që duhet të përmbushin automjetet që qarkullojnë në vend, duke i kujtuar që dhe kreu i shtetit francez lëviz me një automjet që nuk i plotëson këto kushte.

Në videon që zgjat 4 minuta e gjysmë, gruaja akuzon Presidentin e saj se po persekuton shoferët, duke u kthyer kështu në simbolin e pakënaqësisë së periferisë franceze, zonave rurale dhe larg qyteteve.

E lindur në Bretanjë, banore në një fshat me 750 banorë, ish-bashkëshortja e një ushtaraku, ajo pohon se jeton me më pak se një mijë euro në muaj.

Ajo punon si muzikante dhe agjente sigurie anti zjarr, por vetëdeklarohet dhe specialist për të hipnotizuar njerëzit që dëshirojnë të lënë duhanin.

Mourad pohon se beson në demokracinë e drejtpërdrejtë dhe aspak tek politikanët, duke shtuar se në zgjedhjet e fundit e ka dorëzuar fletëvotimin të bardhë.

Ajo akuzon të fuqishmit në Paris se injorojnë problemet e jetës së përditshme të atyre që nuk jetojnë në qytete të mëdha e që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme.

Ndërsa portreti i saj prej javësh është protagonist në gazeta dhe televizione të Francës, sekretarja e shtetit për ekologjinë, i është përgjigjur me anë të një video në Twitter duke i thënë se nuk ka asnjë komplot të qeverisë kundër automjeteve.

    Data: 18 Nentor 2018 23:50
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera