Kthehu lart

Hoxhaj: Kur vendosëm taksën, nuk patëm cak njohjen nga Serbia

Hoxhaj: Kur vendosëm taksën, nuk patëm cak njohjen nga Serbia GazetaExpress

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se nuk do të ishte reale të presim që pas vendosjes së taksës, Serbia të na njohë.

Hoxhaj ka thënë se nëse do të ishte kaq e thjeshtë të fitohet njohja nga Serbia, do të vepronim që nga viti 2008.

“Kur kemi marrë vendim për taksën, nuk kemi pasur një cak të tillë [njohja nga Serbia]. Caku ka qenë të dëmtohet Serbia ekonomikisht…Nuk kemi pasur një logjikë të tillë, se do të vendosim taksë, dhe përmes taksës të marrim njohjen nga Serbia”, tha ai në RTV Dukagjini.

Hoxhaj ka thënë se problemi më i madh me Serbinë është pikërisht njohja e ndërsjellë.

“Do të ishte lehtë këtë punë ta bëjmë në vitin 2008 [vendosja e taksës në këmbim të njohjes]. Ne e dimë që njohja e Kosovës nga Serbia është problemi më i madh. Për më shumë, raportet tona me Serbinë nuk janë probleme bilaterale, por është temë ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj, përcjell Telegrafi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se nuk është mirë të pretendojmë se taksa do të sjellë njohjen.

“Ideja e taksës ka qenë të ndalet kampanja agresive e Serbisë ndaj Kosovës, që ne mendojmë se ka pasur efekt”, tha ndër të tjera Enver Hoxhaj.

    Data: 16 Janar 2019 23:52
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera