Kthehu lart

Fotografia e kardinalit që abuzoi seksualisht me fëmijë ende në Katedralen e Prishtinës

Fotografia e kardinalit që abuzoi seksualisht me fëmijë ende në Katedralen e Prishtinës Arjeta Shabani Autori: Arjeta Shabani GazetaExpress

Në katedralen e Prishtinës po vazhdon të nderohet kardinali me famë botërore, Theodore McCarrick, i cili po përflitet për pedofili. Ndonëse i njëjti po akuzohet se për dekada ngacmoi seksualisht fëmijë, fotografia e tij po vazhdon të mbahet me krenari në ambientet e katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Aty duket se do të mbesë edhe gjatë, pasi që në Ipeshkvinë e Kosovës janë në pritje të ndonjë urdhri nga Vatikani për ta larguar, shkruan Gazeta Express.

Akuzohet se abuzoi seksualisht me fëmijë, por për prijësit fetarë të Kishës duket se kjo nuk po paraqet problem.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 muaj që prej se kardinali me famë botërore, Theodore McCarrick dha dorëheqje nga Kolegji i Kardinalëve, pasi u akuzua për abuzim seksual me fëmijë, në Ipeshkvinë e Kosovës po sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë e jashtëzakonshme.

Ata po vazhdojnë ta nderojnë 88-vjeçarin, pavarësisht akuzave ndaj tij, duke e mbajtur me krenari fotografinë e tij në hapësirat e Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Se figura e Kardinalit McCarrick po vazhdon të qëndrojë në mozaikun e Katedrales në Prishtinë, këtë e thonë edhe zyrtarë nga Ipeshkvia e Kosovës.

Në Ipeshkvi i kanë thënë Gazetës Express se figura e Kardinalit Theodore nuk është larguar ende nga Katedralja, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

Ata kanë sugjeruar që të kontaktojmë me zëdhënësin e Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqin. Por, i njëjti nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Gazetës Express.

Gazeta ka provuar që të marrë detaje të tjera edhe nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, por ai ka refuzuar të flasë sapo ka dëgjuar për temën në fjalë.

Ndërkohë, javë më parë, Don Lush Gjergji kishte thënë për Gazetën Express se nuk kanë marrë ende asnjë urdhër zyrtar nga Vatikani për këtë çështje, duke i cilësuar lajmet që janë shpërndarë nëpër të gjitha mediat botërore thjesht gazetareske.

“S’jam kompetent unë, nuk na përket neve deri sa të bëhet një hap zyrtar, është gazetareske, nëse ne, kisha me strukturat e veta që i ka na thotë një gjë të tillë. Çka vendos kisha kurgjo tjetër. Kjo nuk është kompetencë e jona, është kompetencë e Selisë së Shenjtë, deri sa Selia e Shenjtë nuk reagon me një akt zyrtar ne e marrim si lajm gazetaresk”, kishte deklaruar ai.

Madje, nga kisha në Kosovë thonë që shkarkimi i McCarrick ka ndodhur tash e disa vite për arsye se ai e ka arritur moshën, e jo pse është përfshirë në ndonjë skandal.

“Është një çështje aq delikate për këtë arsye nuk dua të them asgjë. Ai ka qenë në pension, është shkarku për arsye të moshës, i ka më tepër se 10 vjet që nuk është arqipeshkv në Uashington”, shtoi Don Lush Gjergji.

Rrjedhimisht, portreti do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Katedralen e Prishtinës, derisa dikush nga Vatikani t’i udhëzojë zyrtarisht që ajo të hiqet.

Tashmë, Papa ka dhënë urdhër që ish-kardinali të izolohet për t’u lutur derisa kisha të vendosë për sanksionet. Njoftimin për dorëheqjen e tij e dha Vatikani përmes një deklarate. Ndërsa, ajo u pranua nga Papa Francesku, një muaj pasi zyrtarë të Kishës Amerikane morën vendim se akuzat e ngritura ishin të besueshme.

Ky nuk është rasti i parë i raportuar për McCarrick. Dyshime të njëjta kishte pasur edhe më parë. 88-vjeçari akuzohet se ka abuzuar me një të mitur rreth 50 vite më parë.

Përveç kësaj ka dyshime edhe për abuzime me një të mitur tjetër, dhe tre të rritur, pjesëtarë të kishës.

Rasti ka shokuar opinionin, ngaqë ai ishte njeri shumë i respektuar dhe ambasador për një kohë të gjatë i Kishës Katolike në Uashington dhe një njeri tepër i besuar në vite nga Papët dhe presidentët amerikanë. McCarrick në vitin 2005 kishte marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të Katedrales bashkë me Presidentin Ibrahim Rugova. /GazetaExpress

    Data: 13 Shtator 2018 14:43
    Autori: Arjeta Shabani

    Të tjera