Ymeri: Po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE’së


03/12/2018

Ymeri ka thënë se ky proces kishte qenë i lidhur padrejtësisht me ratifikimin e Marrëveshjes për Shenjim të Vijës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kushtëzim ky që asnjëherë nuk pati kurrfarë shpjegimi logjik.

“Dhe tash pasi që kjo marrëveshje u ratifikua, na thuhet se megjithatë duhet të presë procesi i liberalizimit të vizave. Kështu po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE-së”, ka thënë Ymeri.

“Lëvizja e lirë është një prej të drejtave dhe vlerave evropiane. Prandaj ngurrimi i vendeve të caktuara, anëtare të BE-së, për t’ua zgjeruar këto të drejta edhe qytetarëve të Kosovës, bie ndesh drejtpërdrejt me vlerat dhe të drejtat fundamentale që e kanë ndërtuar dhe mundësuar deri tash Bashkimin Evropian”, ka shtuar më tej ai.

Ymeri ka thënë gjithashtu se është gabim dhe e dëmshme që politikat e BE-së, veçanërisht karshi rajonit e Kosovës, të fillojnë të skicohen bazuar në qëndrimet ksenofobe të ekstremit të djathtë.

“Rritja e popullaritetit të forcave të këtilla politike është shqetësues për të gjithë. Dorëzimi i pjesshëm karshi tyre rrezikon t’u jep atyre të drejtë, në vend se t’i luftojë e reduktojë ato”, ka thënë Ymeri.

“Natyrisht që qeverisja në Kosovë e sundimi i ligjit duhet doemos të ndryshohen. Këto, jo për shkak të kushteve të BE-së, por për shkak të lirisë, barazisë e mirëqenies së qytetarëve. Mirëpo këto nuk ndryshohen duke plotësuar kritere objektive në regjistrin e disa burokratëve të Brukselit, por me një vizion progresiv zhvillimor për ekonominë e shoqërinë dhe me një proces gjithëpërfshirës vettingu për gjyqësorin, policinë dhe prokurimin”, ka thënë më tej deputeti Ymeri.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart