Kthehu lart

Tjetër përplasje virtuale mes Ramës dhe Metës për Genti Cakajn

Tjetër përplasje virtuale mes Ramës dhe Metës për Genti Cakajn GazetaExpress

Ka vijuar sërish përplasja në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit nuk dekretoi propozimin e kreut të qeverisë, Genti Cakajn për Ministër të Jashtëm.

Këtë mëngjes në Facebook, presidenti Meta radhiti sërish një sërë arsyesh se përse në krye të një dikasteri me peshë kaq të rëndë sa ministria e Jashtme dhe mbi të gjitha në aktualitetin e politikës së jashtme të Shqipërisë, të vendoset një person pa pjekurinë e duhur politike, përvec problemeve me integritetin e tij të radhitura gjatë argumenteve që Meta refuzoi propozimin e Cakajt, me shtetësi të Kosovës. 

Gjatë drekës, kryeministri Rama ka reaguar duke paralajmësuar se kjo çështje do të zgjatet disi, dhe se gjithcka do të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin nuk është funksionale, por që Rama i referohet Gjykatës së re. Në statusin e tij Rama nuk lë pa hedhur fjalë ironike edhe ndaj bashkëshortes së presidentit, që njëherazi është kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhit.

"Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t'i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet ", shkruan Rama. /Express

    Data: 12 Janar 2019 13:24
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera