Kthehu lart

Si është katandisur qeveria nga studentët, Balla thotë “peshk”, Rama thotë “mish”

Si është katandisur qeveria nga studentët, Balla thotë “peshk”, Rama thotë “mish” GazetaExpress

Një shuplakë na dha protesta... kështu do të deklaronte kryeministri Rama në parlament.

Por duket se protesta e studentëve i ka dhënë më shumë sesa një shuplakë kryeministrit, pasi Rama me të tijët nuk po dinë të koordinohen me njëri tjetrin.

Këtë mesditë, Presidenti Ilir Meta ktheu dekretin për buxhetin e 2019-tës, me argumentin se parlamenti do të duhej të rishikonte buxhetin për kërkesat e ngritura nga studentët, njëra prej të cilave është rritja e buxhetit për arsimit në masën 5% të GDP, një kërkesë e cila normalisht kërkon ndërhyrje në ligj.

Më tutje Rama reagoi shpejt në rrjetin social, duke u tallur dhe e ironizuar verdiktin e Presidentit, si një lëvizje që nuk kërkon gjë tjetër por veçse vijimin e presionit ndaj studentëve, që këta të fundit të mos hyjnë në dialog me kryeministrin.


Përtej argumentit të Ramës, se janë partitë politike që ndodhen në protestë ata që s’duan dialogun me të dhe jo vetë studentët, po sot në parlament foli mbi çështjen edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Teksa Balla fliste për kërkesat e studentëve, u shpreh se maxhoranca e ka të pamundur të ndryshojë buxhetin, pasi ai ndodhet në zyrën e Metës. Fjala e Ballës u bë disa orë para se Presidenti të kthente ligjin, një akt që u mohua nga Rama si një tentativë presioni.

Dy qëndrimet në fjalë, ajo e Ballës dhe e Ramës, dukeshëm janë të kundërta, çka të bën të mendosh se njëri flet për “peshk” e tjetri për “mish”, kur puna vjen tek plotësimi i kërkesave të studentëve.

Më poshtë fjala e Ballës në parlament, kur po diskutohej për disa amendamente që LSI kishte sjellë për studentët

Balla: Sigurisht që korrupsioni do të adreohet Petrit (i referohet Peterit Vasilit të LSI), por më lejoni të përshëndes daljen nga ilegaliteti, që ishte fshehur e maskuar mes studentëve, për gjoja mbështetjen e kerkesave të studentëve.

Të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një për një, por jo me dialog me ju, se ju as nuk keni tagrin e as nuk dini sit ë realizohen, por vetëm me dialog me ata që meritojnë të gjithë respektin. Prandaj kryeministri ka iniciuar një process që do të shkojë hap pas hapi përmes dialogut të jo vetëm 8 pikave, por më shumë se kaq.

Po si ka mundësi që guxoni të talleni me ata që janë në shesh… si ta ndryshoj unë buxhetin Petrit kur buxheti është tek Ilir Meta… Të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit është një procedurë që nuk bëhet me dy gisht letër, po kjo është tallje. 

28 vjet tallje dhe doni të bëni edhe 28 minuta tallje me studentët këtu në sallën e Parlamentit.


    Data: 13 Dhjetor 2018 14:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera