Kthehu lart

Në kampin famëkeq të Tepelenës, Basha: Kulti i krimit i trashëguar nga diktatura, të marrë fund

Në kampin famëkeq të Tepelenës, Basha: Kulti i krimit i trashëguar nga diktatura, të marrë fund GazetaExpress

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi kampin e internimit të Tepelenës, i shoqëruar nga disa të mbijetuar të një prej kampeve më të tmerrshëm të diktaturës komuniste.

Sipas dokumentacionit të paplotë që ekziston, më shumë se 3 mijë veta u mbajtën në këtë kamp nga viti 1949 deri në vitin 1953, kryesisht gra, pleq e fëmijë.

Simon Miraka, i mbijetuar i kampit të Tepelenës, i tregoi zotit Basha për kushtet e shfarosjes që ekzistonin në kamp.

“Kazanët e gjellës ishin fuçia që u kishin shërbyer italianëve për naftë. I prenë ato, i sharruan dhe i bënë kazanë. Ai spirilëngu, ajo gjella e famshme, e quajtur gjellë, se gjellë s’ishte, kur shkonin njerëzit për ta marrë me tasa a gaveta, ishte gjithë pisllëk e naftë. Këto shkaktuan epidemi, zgjebën, kolerën dhe sëmundje të ndryshme. Vdekjet filluan me 32 vetat e parë dhe vazhduan këtu me 300 fëmijë, mosha nga 6 muaj deri në 3-4 vjeç”.

Kryetari i opozitës tha se kushtet e këtij kampi u ngritën sipas parimit të shfarosjes, i cili u zbatua më herët edhe nga nazistët.

“Nga pikëpamja ligjore ky është krim kundër njerëzimit, sepse, në qoftë se 1 në 3 humbën jetën për shkak të kushteve qëllimisht shfarosëse, çnjerëzore, atëherë këtu bëhet fjalë për kamp shfarosjeje. Duke qenë se gjithçka u zhvillua edhe pa legjislacionin që diktatura e përdorte për të burgosur dhe për të ekzekutuar kundërshtarët e regjimit dhe u drejtua kryesisht kundër familjarëve të tyre, nuk ka asnjë diskutim se edhe motivi i xhelatëve që i sollën këtu, edhe mënyra e veprimit këtu kishte një qëllim, shfarosjen e tyre”.

Gjatë vizitës në ish kampin e  internimit, i mbijetuari Filip Gjomarkaj rrëfeu se familja e tij u dërgua këtu në vitin ’49 dhe qëndruan deri në 54-n, kur pas vdekjes së Stalinit, kampi i Tepelenës u prish dhe të burgosurit e mbijetuar u shpërndanë në disa kampe të Lushnjës.

Dëshmitarët e mbijetuar të krimeve të komunizmit, pasardhësit e tyre dhe kreu i opozitës ndanë të njëjtin mendim se ruajtja e ish kampit të Tepelenës është domosdoshmëri, që ai të shërbejë si një institucion kujtese për brezat, për të shmangur përpjekjet e pushtetit aktual për rehabilitimin e diktaturës apo, më keq akoma, për rikthimin në krye të institucioneve publike të nomenklaturës komuniste të brezit të parë apo të dytë.

“Majmunëria e udhëheqjes aktuale, që në poture e në gjuhë, në kuptimin e imitimit të Enver Hoxhës e të xhelatëve të tjerë, që i kanë zhytur duart në gjakun e foshnjeve e të fëmijëve, nuk është thjesht teatralizëm, është një investim i rrezikshëm për të rikthyer dramën, sepse historia tregon që një popull, i cili nuk kujton, e përsërit dramën e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës. Riqarkullohen emra xhelatësh në institucionet e drejtësisë e në institucionet e shtetit dhe vazhdojnë flasin ata për drejësi të standardeve evropiane apo janë bashkëhartues të legjislacionit të Shqipërisë të vitit 2019” - theksoi Basha. 

Kryetari i PD denoncoi kultin e krimit që mbizotëron sot tek partia në pushtet, duke thënë se ky kult kishte mbijetuar si virus gjatë procesit të paplotë të shndërrimit të PPSH-së në PS dhe që tani po shërbente si një politikë për të marrë pushtetin me kriminelë apo më tej për ta mbajtur atë me kriminelë.

Lideri i opozitës vuri në dukje gatishmërinë e PD për të ndërmarrë nisma të mëtejshme parlamentare dhe publike për dënimin e krimeve të komunizmit dhe shprehu besimin se në këtë përpjekje PD dhe opozita nuk do të ishin vetëm, por bashkë me shumë faktorë të shoqërisë, pasi kishte ardhur koha që kulti i krimit të marrë fund.

    Data: 12 Shkurt 2019 11:18
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera