Kthehu lart

Mbyllet kapitulli i piramidave! Pas 21 vjetësh lajm i mirë për shqiptarët e mashtruar nga "Sudja"

Mbyllet kapitulli i piramidave! Pas 21 vjetësh lajm i mirë për shqiptarët e mashtruar nga "Sudja" GazetaExpress

Gjykata e Tiranës ka shpallur zyrtarisht të mbyllur detyrimet e Maksude Kadënës, organizatores së firmës piramidale financiare “Sude”, ndaj shtetit dhe kreditorëve privatë të saj. 21 vjet pas shpërthimit të flluskës së piramidave në Shqipëri dhe pas burgut të bërë nga Sudja në përputhje me dënimin penal, tanimë përfundoi edhe falimenti i kësaj piramide, me vendimin civil të gjykatës, e cila ka vendosur edhe kompensimin e kreditorëve të fundit të pranuar nga shteti.

Vendimi

Vendimi është marrë më 1 qershor të këtij viti, por është zbardhur dhe publikuar vetëm ditën e djeshme në faqen zyrtare online të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai është marrë nga gjyqtarja Antonela Prendi, pas kërkesës së Administratores së Falimentit Mimoza Çibuku, të caktuar nga Ministria e Drejtësisë, për mbylljen e procedurave të falimentimit të subjektit “Sude”. Kërkesa për falimentin e kësaj piramide është pranuar nga gjykata në vitin 2013 dhe procesi ka zgjatur pesë vjet.

Procesi

Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 22.08.1997, subjekti huamarrës “Sude“ është shpallur subjekt kontrolli financiar dhe administrimi, referuar dispozitave të ligjit “Për kontrollin financiar të personave juridikë jobankare që kanë marrë hua nga publiku i gjerë“, i vitit 1997, që hapi rrugën ligjore për likuidimin e piramidave.

Pas një procesi të gjatë të administrimit shtetëror, shteti vendosi shpërndarjen e Grupit Mbikëqyrës të subjekteve të kontrollit dhe dorëzimin e gjithë dokumentacionit arkivor dhe aseteve financiare personit të ngarkuar nga ministria e Financave.

Njëkohësisht, u vendos emërimi i një administratori për administrimin e mëtejshëm të subjekteve të kontrollit deri në likuidimin e plotë të tyre. Administratori detyrohej të evidentonte gjendjen reale të pasurive të shoqërisë dhe të paraqiste në gjykatë kërkesat për çeljen e procedurave të falimentimit, në rast se ekzistonin kushtet ligjore. Ka qenë administratori i subjektit “Sude” në administrim shtetëror, Zini Tollozhina, që paraqiti pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për çeljen e procedurës së falimentimit për këtë subjekt.

Nga verifikimet, doli se pasuria e subjektit “Sude” përmblidhej, disa dekada pas shkatërrimit të piramidave, në vetëm 5.531.606 lekë, të depozituara pranë një banke të nivelit të dytë. Ndërkohë, detyrimet ndaj personave të tretë ishin gjigande: më shumë se 39.2 miliardë lekë, ose 313 milionë euro sipas kursit aktual të këmbimit valutor. Sa më sipër, Gjykata konstatoi se kreditorët e “Sudes” ishin në pamundësi për të arkëtuar vlerat plota të kredisë së tyre: raporti i aktiveve me detyrimin deri me dt 09.09.2013 ishte 1/709.25, pra kreditorët, për 709.25 lekë të depozituara, mund të përfitojnë vetëm 1 lek.

Administratorja e falimentit ka miratuar shpërndarjen e masës së falimentimit prej 5.139.774 lekësh mes 1.170 kreditorëve, që paraqitën dokumenta, të cilat vërtetonin arkëtimin pranë “Sudes”. Rezulton se, prej datës 02.09.2014, kur u miratua shpërndarja e masës së falimentimit 1.170 kreditorëve dhe deri më datë 24.11.2017 kanë tërhequr vlerat takuese monetare 660 kreditorë, në shumën 3.351.787 lekë dhe kanë mbetur pa tërhequr 534 kreditorë, në vlerën 1.796.518,89 lekë.

Me depozitimin në një bankë edhe të shumës së mbetur dhe njoftimin e kreditorëve që mund të marrin ato pak para që janë aty, procesi i falimentit të njerës prej piramidave më masive të periudhës së parë të Shqipërisë post-komuniste dhe më të hershmes prej tyre, ligjërisht quhet i përfunduar. Pas burgut dhe shlyerjes financiare, Sude Kadëna i mbyll hesapet me drejtësinë.

Historia

Piramida e Sudes u krijua në vitin 1993 nga Maksude Kadena, e cila nuk hapi asnjë llogari bankare, ashtu siç vepruan dhe shumica e kompanive të tjera piramidale. Sudja ishte e para që falimentoi në fund të vitit 1996, duke nxitur një valë të dhunshme protestash në gjithë vendin vitin pasues.

Maksude Kadëna kishte punuar më parë në fabrikën e këpucëve. Kjo firmë ekzistoi në gjysmë-ilegalitet deri në vitin 1996, kur, dy javë para zgjedhjeve parlamentare, u regjistrua tek e njëjta gjykatë dhe gjyqtare, ku u regjistruan “Xhaferri” dhe “Populli”. Në momentin e arrestimit, Kadëna ishte duke ngrënë bukë me gjizë, në një apartament të shkatërruar.

Kritika

Kryeadministratori i dikurshëm i firmave piramidale pas rrëmujave të ’97-ës, Farudin Arapi, deklaroi për Shqiptarja.com se kërkesa për faliment nga ana e shtetit për piramidat, tashmë të shkatërruara, bie në kundërshtim me ligjin në fuqi.

“Është një akt absurd. Kjo, pasi edhe deri tani këto firma ishin nën administrim nga shteti. Është thjesht një kalim përgjegjësish, nga qeveria tek Gjyqësori, që shpreh pamundësinë e Ekzekutiveve, gjithë këto vite, që të zbulonin asete të fshehura të piramidave për të dëmshpërblyer shqiptarët. Sa kam qenë unë në pozicionin e kreut të mbikëqyrësve, dokumente kishte plot dhe ishte çështje kohe që këto të mblidheshin, të shiteshin dhe paratë e fituara t’u ktheheshin investitorëve të mashtruar. Kjo bëhej me këste. Po kështu si u bë, çështja mbyllet përgjithmonë”, tha Farudin Arapi

Si duhej të ishte proceduar?

“Duhej të ishin transferuar detyrimet, përshembull tek trashëgimtarët, sipas Kodit Civil, etj. Me këtë që u bë, shteti nxitoi ta quajë një nga problemet më madhore financiare të Shqipërisë të kaluar në një regjim të ri, si një kapitull të mbyllur”, përfundoi ai.

Maksude Kadena


    Data: 08 Gusht 2018 08:39
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera