Kthehu lart

Dëbora izolon fshatrat e Dukagjinit, njihuni me heronjtë që përballen me rrezikun

Dëbora izolon fshatrat e Dukagjinit, njihuni me heronjtë që përballen me rrezikun GazetaExpress

Të udhëtosh nga Shkodra drejt fshatrave të Dukagjinit në këto ditë kur reshjet e borës kanë rënë me intensitet të lartë, atje është një aventurë e rrezikshme.

Pavarësisht kësaj, shoferët nuk tremben dhe për problemet që kanë banorët, të paktën deri aty ku mjetet mund të shkojnë, e bëjnë atë aks rrugor. Deri në Prekal të Njësisë Postribë, rruga është e asfaltuar dhe nuk ka ndonjë problem. Pak para se të futemi në aksin e amortizuar, takojmë Pllum Markun, fadromisti i cili këto ditë është munduar që të mbajë hapur të paktën një pjesë të rrugës.

Ai nuk ka mundur të shkojë më shumë se deri në vendi e quajtur Karmë të Kirit sepse atje bora shkon mbi 1 metër. “Kam tri ditë që mundohen të pastroj borën me fadromë. Është shumë e vështirë sepse reshjet kanë rënë tri ditë me radhë dhe trashësia shkon deri në 1 metër. Kam arritur deri në gjysmë të vendit që njihet si Karma e Kirit, më shumë nuk mund të ngjitem sepse bora i kalon një metër. Edhe deri aty duhen zinxhir. Vështirësi ka. Banorët nga Karma e Kirit, përgjatë Malit të Shoshit e deri në Theth janë në dorë të zotit për shkak të izolimit”.

BLLOKIMI I FSHATRAVE

Ende pa u ngjitur shumë lart në mal, në një zonë të banuar, Mirash Kroni është një shofer, i cili teksa po udhëtonte me disa pasagjerë duke i dërguar drejt Dukagjinit, është aksidentuar dhe ka rrezikuar të bjerë 200 metër poshtë në humnerë si shkak i trashësisë së borës në rrugë. Mjeti i tij ka rrëshqitur dhe ka parë vdekjen me sy.

"Vështirësi këta banorë kanë sa të duash. Rruga është e bllokuar dhe shumë e rrezikshme për të kaluar. Unë kisha pasagjerët dhe po tentojë t’i çoja lart drejt Pultit, por u detyruam të kthehemi sepse ka shumë borë. Madje, kam rrezikuar shumë sepse makina ime doli nga rruga dhe kam qenë duke rënë të paktën 200 metër poshtë në humnerë. Për fat erdhi fadroma dhe pas tri orësh kam arritur që të dal. Pasagjerët u ulën shpejt sepse makina xhiroi dhe rrëshqiti. Kështu e kemi çdo ditë ne prej 28 vitesh me radhë sepse askujt nuk i bie ndër mend. Në këtë rrugë kanë ndodhur shumë aksidente ndër vite”.

Shoferi Kujtim Gjoni, që mori guximin të rrugëtojë me ne dhe mjetin e tij, thotë se ka 20 vite që udhëton në atë aks që është i rrezikshëm edhe verës dhe jo më në dimër ku bora shkon deri në 1 metër. “Unë kam mbi 20 vite shofer dhe kjo rrugë është shumë e rrezikshme në verë dhe jo më tani në dimër kur bora shkon 70 cm deri mbi 1 metër. Unë detyrohem të vij për banorët dhe nuk shoh se çfarë do të fitoj sepse nuk kam edhe aq shumë interes në atë aspekt, por më shumë vij për humanizëm sepse banorët kanë nevojë të lëvizin. Gjithmonë, kjo rrugë për ne dhe pasagjerët është një kërcënim serioz, por s’kemi zgjidhje tjetër dhe detyrohemi të udhëtojmë”.

QENDRAT SHENDETESORE
As infermieri i Njësisë Pult, Gjon Ndou, nuk ka mundur që të shkojë për të qenë pranë banorëve. Ai thotë se nevojat në fshat janë të mëdha, por rruga është e bllokuar dhe është kthyer në gjysmë të udhëtimit të tij.

“U nisa për të shkuar drejt Njësisë Pult, por në gjysmë jam kthyer ende pa kaluar Karmën e Kirit. Trashësia e borës nuk na lejoi të kalojmë. Herët e tjera, unë kam ecur në këmbë për 5 orë, por sot ishte e pamundur. Nuk kam çfarë bëj, edhe pse banorët atje kanë shumë nevojë për mua sepse ka të sëmurë, ka që si shkak i të ftohtit mund të bëhen të sëmurë, por bllokimi i rrugës më pengoi. Momentalisht, atje nuk ka asnjë mjek apo infermier”. Në Prekal të Njësisë Postribë, banorët nuk kanë një qendër shëndetësore dhe kjo për ta është shqetësim i madh. Beni Mirashi thotë se qendra shëndetësore është kthyer në privat nga persona të ndryshëm.

“Rruga është problem sepse mund të rrëshqasësh dhe po ashtu shumë shqetësuese për ne është se nuk kemi një qendër shëndetësore fare këtu, sepse dikush e ka kthyer në private dhe s’kemi ku të marrim asnjë mjekim”.

BIZNESET
Pak pa shkuar në Karmë të Kirit, Nard Polia është një banor i fshatit turistik të Thethit, i cili edhe pse me një fouristradë të lartë dhe të fuqishme, është detyruar të kthehet pas. Ai nuk ka mundur të shkojë te familja e tij dhe bujtina në Theth që ka bashkë me të vëllain. Dëmi që u shkaktohet banorëve dhe biznesit është i madh, sipas tij.

“U nisa për të shkuar në fshatin Theth sepse atje kam familjen, por m’u desh të kthehem. Makinën e kam shumë të mirë, edhe me zinxhirë, por bora shkon deri mbi një metër dhe e pamundur të kalosh. Kështu, Dukagjini, prej të paktën tri ditësh, është totalisht i izoluar dhe banorët nuk kanë nga të lëvizin. Edhe helikopteri po të vijë, nuk ka çfarë bën sepse ka reshje bore. Situatë skandaloze dhe turp për Bashkinë Shkodër dhe për qeverinë. S’ka as mjek, as s’ka mësim në shkolla, problem me ushqime, sepse disa s’janë furnizuar dhe shumë probleme të tjera. Kur vjen puna, shteti shqiptar krenohet me Thethin në panaire të ndryshme në botë, por tani, kur kemi nevojë, askush nuk kujtohet. Edhe bujtinat janë thuajse të mbyllura, edhe pse ka shumë kërkesa nga turistë të huaj, por rruga është e bllokuar dhe nuk kanë si të vijnë”.

Nga Karma e Kirit dhe deri në Theth janë të paktën 300 familje të izoluara, shprehen banorët, për shkak se të dyja anët e rrugës, ajo nga Qafë Thorja dhe përgjatë lumit Kir ku udhëtuam ne, janë të bllokuara nga bora. Kjo situatë është prezente prej 28 vitesh dhe ende strukturat shtetërore nuk marrin masa që të paktën njëra anë e rrugës të jetë e hapur për banorët. /Panorama



    Data: 12 Janar 2019 09:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera