Protesta e 16 shkurtit, policia apel politikanëve: Shmangni retorikat që nxisin dhunë


12/02/2019

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, policia u bën apel politikanëve që të shmangin thirrjet që nxisin dhunë dhe prishjen e qetësisë publike.

“Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.

Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që nuk protestojnë, që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.

“Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë”, mbyllet reagimi./Express

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart