Avokati paralajmëron pafajësinë e Balilit: Në 2 mijë faqe dosje s’ka asnjë provë!


17/01/2019

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ku diskutohej pikërisht për vetëdorëzimin e të ashtuquajturit “Eskobar i Ballkanit”, avokati Theodhori Sollaku shpjegoi edhe faktin përse nuk pati asnjë informacion për vendndodhjen e tij kur policia ofroi shpërblim 100 milionë Lekë.

“Duke qenë anëtar i LSI nipi i tij, këtu mund të thuash që ka njohje, por lidhje të forta nuk ka. Janë fis i madh, kanë gjithë ato biznese. Shumë njerëz që ushqehen me bizneset e tyre kanë krijuar afrimitet”, u shpreh avokati.

Sa i përket provave, Theodhori Sollaku deklaroi se dosja me 1800 faqe nuk ka asnjë fakt kundër tij. Edhe informacionet e ardhura nga Greqia, shpjegon avokati Sollaku, flasin për shtetas grekë. Ndërsa për Kelmend Balilin, thotë Sollaku, flitet vetëm për një episod të trafikut, por edhe kjo e paprovuar.

“Unë kam ndjekur gjatë këtyre dy viteve sepse kemi punuar me zyrën avokatore në Greqi, kemi qenë të bindur që nuk ka asnjë provë. Janë rreth 1800 faqe përgjimesh që s’kanë punë fare me Balilin. Bën fjalë për shtetas grekë. Sa i përket rastit të Balilit, bëhet fjalë vetëm për një episod, por i paprovuar.

Pse është Eskobari i Ballkanit? As në procedimin që i bëhet nuk ka fakte të tilla që ta cilësojnë Kelmend Balilin si njeri të fortë. Çfarë janë administruar nga policia greke, ne i kemi në dosje, të cilat nuk tregojnë asgjë.

Operacioni ka ndodhur në Greqi në 8 Maj 2016. Menjëherë autoritetet greke shpallin arrestin ndërkombëar. Ky urdhër-arresti ndërkombëtar e bën që kudo që kapet Balili, të ekstradohet në Greqi. Ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi me Greqinë”, u shpreh avokati i Kelmend Balilit, Theodhori Sollaku.

Kelmend Balili iu vetëdorëzua policisë dy ditë më parë, pas negociatave që familjarë të tij kishin zhvilluar me autoritetet. Sot, “Eskobari i Ballkanit” doli para gjykatës ku iu komunikua masa e sigurisë ‘arrest në burg’ dhënë mungesë para më shumë se 2 vitesh, kur ai ishte në arrati./klan

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart