Kthehu lart

Qeveria do t'i rrisë rrogat e administratës

Qeveria do t'i rrisë rrogat e administratës GazetaExpress

Edhe pas reagimeve të ashpra të opinionit lidhur me paralajmërimin se vitin e ardhshëm do të rriten pagat e administratës, Qeveria e Maqedonisë nuk heq dorë nga synimi i tyre, raporton Alsat-M.

Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski shprehet se rritja do të bëhet sipas planit të Qeverisë që zbatohet në përputhje me rritjen e pagës minimale. Me pesë për qind pagë më të lartë, do të rregullohet administrata publike.

"Do të ketë rritje të pagave në administratën publike dhe kjo shkon në drejtim të konsolidimit të administratës publike, ose siç u shprehët ju “rregullimit të saj”. Nuk do të thotë se kjo masë shpie në diçka tjetër por do të thotë se shpie drejt rregullimit të situatës dhe situatave të përgjithshme që janë atje", deklaroi Boshnjakovski.

Sindikata e arsimit theksoi dje se pagat që i marrin janë shumë nën mesataren dhe kërkuan rritje serioze. Nga Sindikata e SPOGJ-it, reagojnë edhe ndaj sistemit dhe metodologjisë së përllogaritjeve të pagave në administratën publike.

"Rritjet e këtilla me zbatim të prolonguar që në asnjë rast nuk do ta përmirësojnë gjendjen materiale e të punësuarve nuk do të kontribuojnë në asgjë tjetër veçse rritjen e pakënaqësisë së të punësuarve", thonë nga SPOGJ.

Para vetëm një jave ministri i Administratës Damjan Mançevski konfirmoi se sektori publik ka punësim të tepërt, por edhe se një pjesë e institucioneve me muaj të tërë nuk mund të gjejnë kuadër përkatës. Në këtë mënyrë Mançevski i arsyetoi punësimet masive nën kapelën shtetërore.

    Data: 15 Nentor 2018 16:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera