Kthehu lart

Parregullsitë në UNT, Pollozhani pranon vërejtjet e Inspektoratit

Parregullsitë në UNT, Pollozhani pranon vërejtjet e Inspektoratit GazetaExpress

Rektori i UNT-së Azizi Pollozhani justifikon zgjedhjen e profesorit Bashkim Idrizi si professor inordinar nga komisioni amë, duke fajësuar sipas tij, inspektoratin e Arsimit i cili nuk i ka dorëzuar vendimin e plotfuqishëm nga Universiteti i Tetovës për heqjen e të dy tutujve, docent dhe profesor inordinar. Pollozhani nuk komentoi rolin e komisionit amë, për këtë lëshim gjatë zgjedhjes së Idrizit, por the se ka nguruar të merrte vendim, për shkak se mund të bëhej subjekt padie, si nga inspektorati ashtu edhe nga Idrizi.

Inspektorët më kanë njoftuar se sipas tyre, zgjedhja e Bashkim Idrizit si profesor inordinar është e jashtligjshme sepse atij i është marrë titulli në kohën kur ka qenë në Universitetin e Tetovës. Unë nga inspektorati kam kërkuar dokument të plotfuqishëm me të cilin do të mund të vërtetohet kjo. Ata nuk e kanë sjellë këtë dokument. Kërkesa e inspektoratit nuk ishte e plotë dhe nuk bazohet mbi vendim të plotfuqishëm. Nuk mund të merrja një vendim pa dokumenta por duhet të zgjidhja mes rrezikut se cila palë do të më hedhë në gjyq – deklaroi Aziz Pollozhani, rektor i UNT-së, njofton Alsat M.

Pollozhani foli edhe për parregullsitë për të cilat njoftoi Alsat edhe për vetë përzgjedhjen e tij, si Rektor, duke thënë se ligji i vjetër për arsim të lartë, nuk parashikonte emërimin me konkurs publik. Në fakt, konkursi për zgjedhjen e tij, u mbyll vetëm disa ditë para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Konkursi ishte i brendshëm, dhe sipas Pollozhanit, mjaftuan vetëm shpalljet në uebfaqen e universitetit dhe lajmet në disa portale, forma që janë larg të qenit konkurs publik në formën që njeh ligji. Pollozhani, në takimin me gazetarë, shtoi se deri në konstituimin e organeve të universitetit dhe miratimin e statutit, asnjëri nga anëtarët e senatit, përfshirë këtu edhe Dita Starova Qerimin, rast për të cilin Alsat njoftoi ditë më parë, nuk kanë qenë të punësuar në UNT. Edhe pse këtë mundësi nuk e parashikon ligji, Pollozhani thotë se fazat procedurale kanë qenë të tilla dhe ajo ka qenë situatë normale. Rektrori i UNT-së pretendon se parregullësitë e konstatuara nga Inspektorati i Arsimit janë të periudhës deri në vitin 2017 megjithatë ai thotë se pas sugjerimeve të inspektoratit, ato janë mënjanuar. Ai nuk mori parasysh të fliste për përgjegjësinë që duhet të mbajë universiteti, për shkeljet të cilat ndëshkohen në çdo kohë, pavarësisht mënjanimit të mëvonshëm të tyre.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit Arbër Ademi thotë se nuk ka një pamje të plotë të ngjarjeve në UNT, sepse nuk qenka i informuar nga inspektorati për këto shkelje. Megjithatë, Ademi tha se është në anën e zbatimit të ligjit, përfshi edhe rastin konkret me profesorin Bashkim Idrizi.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk mund të jetë mbi interesat e qytetarëve për të pasur sistem arsimor cilësor. Ne do të ndërmarrim të gjitha masat, të gjitha aktivitetet të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës por pasi të kemi informacionin e plotë për çështjen të cilën ju edhe po e ngritni. Sigurisht se do të jemi në komunikim edhe me institucionet e tjera përkatëse, kompetente të sistemit, po ashtu edhe me autoritetet në universitet po të jetë nevoja. Ne si Qeveri, si MASH, jemi të përkushtuar që ta japim kontributin tonë që e kemi për detyrë dhe si obligim për të forcuar kapacitetet e të gjitha universiteteve, përfshirë këtu edhe UNT-në – tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

A do të thotë kjo se herë pas here do t’i tolerohen edhe shkelje të caktuara?
“Nuk ka tolerim dhe nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për respektim të ligjit dhe dispozitave ligjore” , u përgjigj Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Alsat prej ditësh hulumton shkeljet nëpër universitete dhe do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike nga të gjithë aktorët e përfshirë, po ashtu edhe ndërgjegjësim dhe reagim edhe nga qarqet akademike si dhe ambasadat e huaja në vend./Gazeta Express/

    Data: 21 Qershor 2018 17:32
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera