Kthehu lart

Marrëveshja me Greqinë, VMRO: Zaev çoi dëm të gjitha argumentet

Marrëveshja me Greqinë, VMRO: Zaev çoi dëm të gjitha argumentet GazetaExpress

VMRO-DPMNE vazhdon të akuzojë kryeministrin Zaev se me marrëveshjen e arritur me Greqinë, vullnetarisht ka heq dorë ose ka komprometuar gjuhën dhe identitetin duke pranuar që për to të ketë sqarime.

Sipas VMRO-DPMNE-së edhe qëndrimet e zyrtarëve grekë se nuk kanë humbur asgjë por kanë përfituar nga kjo marrëveshje, dëshmon se kjo marrëveshje është e dëmshme.

“Zoran Zaev i çoi dëm të gjitha argumentet dhe strategjitë për emrin, të ndërtuara nga pararendësit e tij, përfshirë edhe Cërvenkovskin dhe Gligorovin, por njëkohësisht çoi dëm edhe të drejtën e gjuhës dhe kombësisë të siguruar shumë më parë, të cilat tani me marrëveshjen e re mbajnë fusnota dhe sqarime. Kjo është humbje e të drejtave dhe pozitave të fituara. Kombësia dhe gjuha ishin fitore dhe e drejtë absolute, të cilat tani Zoran Zaev, i rrënon më marrëveshje”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Mirëpo Zaev ka ripërsërit qëndrimin se me Marrëveshjen historike konfirmohet identiteti maqedonas dhe hapet perspektiva euroatlantike. Në një postim në profilin e tij zyrtar në facebook, Zaev shkruan: “Nënshkrimet në Marrëveshjen historike në Prespë e mbrojtën identitetin tonë për shumë shekuj. Gjuha maqedonase u konfirmua. Identiteti ynë maqedonas u përforcua. Pas ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvend, pason organizimi i referendumit të cilin do ta organizojmë nga fundi i shtatorit ose në fillim të tetorit. Votën e fundit për të ardhmen maqedonase do ta japin qytetarët në referendum”.

Marrëveshja për zgjidhjen e Kontestit rreth emrit u ratifikua në Kuvend dhe i është dorëzuar presidentit të Republikës për dekretim. Deklarimi i tij kundër, nuk pengon palët që të vazhdojnë zbatimin e kalendarit të aktiviteteve që burojnë nga kjo marrëveshje. Maqedonia veç më është futur në rend dite edhe në Samitin e NATO-s.  /Express/

    Data: 21 Qershor 2018 19:21
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera