Kthehu lart

Dimitrov nga Prishtina: Nuk mundet një masë të jetë e mirë për Kosovën, nëse nuk është e mirë për mikun në fqinjësi

Dimitrov nga Prishtina: Nuk mundet një masë të jetë e mirë për Kosovën, nëse nuk është e mirë për mikun në fqinjësi GazetaExpress

Nëse do të vendosim kundër masa, puna do të përshkallëzojë në drejtim të keq dhe më pas, përsëri do të duhet të ulemi të gjejmë zgjidhje, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun kosovar, Behgjet Pacolli në Prishtinë, duke folur për vendimin e Kosovës për rritjen e doganës për frutat dhe perimet.

Jam i bindur, theksoi Dimitrovi, se do ta ndjekim politikën e re evropiane dhe përmes dialogut të shpejtë do ta tejkalojmë këtë çështje.

Sipas tij, në kohën e lidhjes dhe implementimit të Procesit të Berlinit, i cili mu këtë e imponon, duhet të eliminohen barrierat.

"Mendoj se vetëm kjo është rruga për mbrojtjen edhe të prodhuesve tanë edhe të prodhuesve tuaj. Mendoj se nuk mund ta mbroni veten nëse e lëndoni fqinjin. Nuk mundet një masë të jetë e mirë për Kosovën, nëse nuk është e mirë për mikun në fqinjësi. Duhet të gjejmë zgjidhje. Të mos shkojmë sipas politikës së vjetër ballkanike, dhe të na kapë inati. Duhet të shkojmë sipas politikës së re evropiane dhe do të gjejmë mënyrë përmes dialogut ta tejkalojmë këtë çështje", tha Dimitrov.

Dimitrov sqaroi se neni 24 i Marrëveshjes për CEFTA-n tregon për procedurën kur një vend mendon se situata ekonomike e tij është përkeqësuar duhet filluar hetim dhe të zbatohen negociata, ndërsa më pas të zbatohen masa.

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, nga ana tjetër i theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale me Maqedoninë.

"Maqedonia është mike e natyrshme e Kosovës dhe vazhdon zhvillimi i marrëdhënieve mes dyja vendeve. Siç e dini Kosova dhe Maqedonia kanë filluar një bashkëpunim më të gjerë, kemi më së paku dy takime presidenciale në vit, kemi dakorduar dy takime në nivel kryeministrash në vit dhe dy takime në nivel ndërqeveritar në vit. Takimi i parë është paraparë në shtator të këtij viti, takim qeveritar i cili mund të shtyhet më vonë ose më parë, pasi Maqedonia është para përgatitjes së referendumit të cilën do e mbajnë. Unë e përgëzova homologun tim për punën e shkëlqyer në zgjidhjen e problemit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ky vendim ka krijuar një atmosferë të favorshme në rajon, sidomos edhe për Kosovën është një arritje e madhe pasi Kosovës i jepet një mundësi që të ndjehet si një zonë më e sigurt", ka thënë Pacolli.

Dimitrov e përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët për lajmin pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave.

"Në politikën tonë të jashtme jemi të bindur se zgjidhja e problemeve është krijimi i mundësive, ndërtimi i urave. Çdo lajm i mirë për Kosovën, si edhe për secilin prej fqinjve tanë është lajm i mirë edhe për ne. Neve si vend na pret një shans historik kyç, fillimi i negociatave", tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Lidhur me takimin e liderëve në përpjekje për t'u gjetur marrëveshje rreth referendumit, Dimitrov theksoi se bëhet fjalë për mundësihistorike për Maqedoninë, për hapjen e dyerve të NATO-s dhe fillimin e negociatave me BE-në.

"Patëm dy përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët lidhur me referendumin. Mendoj se është e tmershme nëse cilido partner politik frikësohet nga vullneti i qytetarëve, ndërsa referendumi është ballafaqim me vullnetin e qytetarëve. Mendoj se akoma më e tmershme është nëse vullnetin e qytetarëve e ballafaqojmë me minimin e parimeve të rëndësishme. Maqedonia u zgjua nga gjendja e jondëshkueshmërisë", tha Dimitrov dhe theksoi se ky parim është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. 

    Data: 21 Korrik 2018 07:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera