Kthehu lart

Athina e pret votimin në Shkup, Marrëveshja e Prespës po e nxeh skenën politike në Greqi

Athina e pret votimin në Shkup, Marrëveshja e Prespës po e nxeh skenën politike në Greqi GazetaExpress

Në prag të votimit të fundit për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë dhe afrimit të momentit kur topi do të hidhet në terrenin grek, po nxehet termometri politik në Greqi, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas mediave greke, nuk përjashtohet mundësia që dy partnerët e koalicionit Aleksis Cipras dhe Panos Kamenos të realizojnë takim të premten.

Kryetari i Grekëve të Pavarur, ministër i Mbrojtjes i Greqisë dhe partner koalicioni në Qeveri, caktoi për sot  mbledhje të grupit parlamentar dhe të komitetit ekzekutiv të partisë.

Dhe e gjithë kjo vetëm një ditë para vizitës së Angela Merkelit në Athinë. Kancelarja gjermane të enjten dhe të premten do të realizojë takime me kryesinë greke. Nesër paradite do të pritet nga kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, ndërsa të premten në mëngjes nga presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.

Merkel do të realizojë takim edhe me liderin e Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis. Mediat greke potencojnë se edhe Marrëveshja e Prespës do të jetë njëra prej temave për të cilat do të bisedojë Merkeli me kryesinë e shtetit.

Kabineti i kryeministrit grek Aleksis Cipras i bëri thirrje liderit të partisë opozitare të Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis të parashtrojë propozim për votim të mosbesimit të Qeverisë.

“Hipokrizia e Demokracisë së Re e cila tashmë tre vjet kërkon zgjedhje dhe tani akuzon për gjoja pasiguri, i kalon të gjitha kufijtë”, vlerëson Kabineti i Ciprasit.

Theksohet se partia mundet t’i zgjidhë të gjitha dilemat nëse lideri i saj, Micotakis “është i gatshëm ta zbatojë këcënimin e tij që e paralajmëron aq kohë dhe të parashtrojë propozim për votim të mosbesimit të Qeverisë në Parlament, që të tregohet fuqia e tij”.

Partia politike greke Potami përmes një komunikate me shkrim i përgjigjet skenareve në Greqi, si në lidhje me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, ashtu edhe në lidhje me votimin eventual të besimit të qeverisë greke.

Thonë se e mbështesin Marrëveshjen e Prespës, por jo edhe qeverinë aktuale grek.

Lidhur me mbështetjen eventuale të qeverisë, thonë se nuk do t’ia japin votën për besim për shkak se janë opozitë dhe kjo nuk do të ndryshojë dhe përsërisin se “nëse Grekët e Pavarur tërhiqen nga shumica qeveritare, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.

Marrëveshja e Prespës ka qenë një prej temave për të cilat kanë biseduar shefi alternativ i diplomacisë greke, Jorgos Katrugalos dhe ambasadori amerikan Xhefri Pajat në takimin e tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA./MIA/

    Data: 09 Janar 2019 11:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera