Lirohet Lutfi Dervishi, lënda kthehet në rigjykim


13/12/2018

 Urologut, Lutfi Dervishi, pronar i klinikës “Medicus” iu është ndërprerë masa e paraburgimit duke iu zëvendësuar në masën e arrestit shtëpiak. Kjo pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha, i pakënaqur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se aktgjykimi i cili është marrë ndaj Lutfi Dervishit kishte shkelur parimet e drejtësisë prandaj kishte kërkuar që ky rast të kthehej edhe një herë në rigjykim.

Lajmin për ndërrim të masës e ka konfirmuar për Gazetën Express, avokati i Dervishit, Besnik Berisha. “Si rezultat i shkeljeve esenciale gjatë fazës së gjykimit dhe në përmbajtjen e aktgjykimit, Gjykata e Apelit ka miratuar ankesën e mbrojtjes së Lutfi Dervishit, me ç’rast e ka anuluar aktgjykimin dënues kundër tij dhe çështjen e ka dërguar në rigjykim”, është deklaruar ai për Express.

Berisha gjithashtu ka bërë të ditur se pse i është ndërruar masa klientit të tij.

 “Për shkak të ndërlikueshmërisë së rastit, numrit të madh të dëshmitarëve që duhet të procedohen në rigjykim dhe pamundësisë që rigjykimi të zhvillohet brenda një kohe të arsyeshme, Gjykata Themelore e ka zëvendësuar masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ndaj Dervishit”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Gazeta Express ka siguruar edhe aktvendimin e Apelit. Apeli vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 12 lidhur me nenin 370 pika 6 dhe 7 të KPP-së, e te cilat e bëjnë te pamundur këtë Gjykatë te procedoj rastin. 

“Dispozitivi i Aktgjykimit të shkallës së parë nuk është i qartë dhe nuk përshkruan veprimet inkriminuese konkrete të akuzuarit Lutfi Dervishi në raport me provat e administruara dhe te cilat është munduar ti arsyetoj Gjykata e shkalles së parë. Dispozitivi në pikën A është i përgjithësuar, pa specifikuar rrethanat që përbejnë figurën e veprës penale, është kontradiktor përkitazi me arsyetimin që ajo gjykate ka dhënë për secilin dëshmitare e po ashtu njëjtë kemi edhe në pikën B të pjesës së pare te dispozitivit që ka kontradikte me përshkrimet e veçanta përkatëse”, thuhet në aktvendim.

Gjithashtu shtohet se përshkrimi i dispozitivit në pikën A është kontradiktor sepse nuk përmend asnjë veprim të akuzuarit Lutfi Dervishi.

 “Emri i njëjtit përkitazi me ndonjë veprim te caktuar nuk përmendet fare e që do te thotë nuk përshkruhet asnjë veprim i te njëjtit ne raport me dëshmitarët e theksuar në këtë dispozitiv”

Njëjtë thuhet edhe sa i përket pikës B.

 ”Edhe sa i përket pikës B në pjesën e I, dispozitivi është po ashtu kontradiktor dhe i mangët duke bërë që Aktgjykimi edhe në këtë pjesë të jetë i përfshire ne shkelje esenciale te dispozitave te procedurës penale. Nëse lexohet me kujdese pjesa e I e dispozitivit thuhet se “ me tutje, është vërtetuar përtej dyshimit te arsyeshëm se i pandehuri Lutfi Dervishi si anëtarë i rrjetit kriminal ndërkombëtarë i cili ka funksionar i cili ka funksionuar si grup i strukturuar, që ka ekzistua për një periudhë kohore, prej te paktën më ose rreth 01 janarit 2008 deri më 04 nëntor 2008”

Për këto arsye, aktgjykimi sipas vendimit, është juridikisht i paqëndrueshëm dhe çështja kthehet në shkallë të parë për rigjykim. 

“Nga arsyet e sipër cekura aktgjykimi i ankimuar juridikisht është i paqëndrueshëm dhe si i tillë është dashtë të anulohet dhe çështja ti kthehet Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim. Në rigjykim Gjykata e shkallës së parë duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e lartcekura, t’i eliminoj të gjitha shkeljet e cekura, t’i administroj të gjitha provat dhe të njëjtat t’i vlerësoj në pajtim me dispozitën e nenit 370 par.6 dhe 7 të KPP, dhe të vlerësojë edhe pretendimet e mbrojtjes në ankesë dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e mandej të merr vendim përkatës”

 Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati. 

Gazeta Express në vitin 2014 ka bërë një hulumtim për këtë ekip famëkeq të Medicus’it, të cilët shkatërruan imazhin e Kosovës.

Gazeta Express ka publikuar më herët edhe aktakuzën e këtij rasti dhe emrat e atyre që u konsideruan viktima të tashmë të mjekëve që u dyshuan për trafikim të organeve, Lutfi Dervishi, i cili deri tash ishte në paraburgim, dhe njerëzve rreth tij.

Dervishi, sipas Prokurorisë, ka kryer transplantime ilegale të veshkave në Kosovë. Në bashkëpunim me mjekë ndërkombëtarë, shtetas turq dhe gjermanë, kanë kryer rreth 28 operacione të transplanteve dhe heqjen e veshkës.

Shumica e pacientëve ishin nga shtete të huaja. Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor./Express

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart