Institucionet nuk tregojnë sa para harxhuan në Nju Jork


11/10/2018

Ende nuk po dihet se kush udhëtoi drejt New York-ut për të përfaqësuar Kosovën në punimet e Asamblesë së Përgjithshme në OKB. Së paku jo zyrtarisht. 

Madje, Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme duket se kanë vendosur që të mos japin asnjë informacion se sa para janë shpenzuar për vizitën e këtij delegacioni, vizitë kjo që u përcoll me shumë gafa të ministrit Behgjet Pacolli e nuk dha rezultate konkrete. 

Institucionet nuk po deklarohen për këtë çështje, dhe nuk po tregojnë për vlerën e këtyre shpenzimeve.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit Thaçi, Zyrën e Kryeministrit Haradinaj dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të mësuar se kush e përfaqësoi vendin në OKB dhe se sa para u shpenzuan për këtë udhëtim, por institucionet po i fshehin këto të dhëna. 

Të vetmit që kanë kthyer përgjigje janë Zyra e Kryeministrit, ndonëse as ata nuk kanë treguar për vlerën e shpenzimeve. 

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, i ka thënë Gazetës Express se në kohën e mbajtjes së seancës së sivjetme të UNGA, nga Zyra e Kryeministrit në SHBA kanë qëndruar Ramush Haradinaj, Avni Arifi, Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj-Stublla, Erolld Belegu dhe vetë ajo. 

Por, siç është deklaruar nëpër media pjesë e delegacionit kanë qenë 18 persona. 
Presidentin Thaçi mësohet ta kenë shoqëruar shefi i stafit, Bekim Çollaku, këshilltari Artan Behrami dhe fotografi Astrit Ibrahimi. Ndërsa, asistentja ekzekutive Arlinda Ramadani – Selimi, është kujdesur për agjendën e Zonjës së Parë, Lumnije Thaçi.
Ndërsa, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, mësohet ta kenë shoqëruar këshilltarët Mentor Nazarko, Amir Ahmeti e Muhamet Brajshori, derisa pjesë e ekipit ka qenë edhe Prindon Sadriu, drejtor në Ministrinë e Jashtme.

Vizita disaditëshe e këtij delegacioni nuk është veçuar për ndonjë takim interesant, derisa vëmendja më e madhe në këtë delegacion, i është kushtuar ministrit Pacolli dhe gafave të tij.

Ngjarja më e rëndësishme gjatë kësaj vizite ishte pritja e Haradinajt nga sekretari i Mbrojtjes, Mattis, me ç’rast ai ia ka dhënë mbështetjen Qeverisë për shndërrimin e FSK-së në ushtri. /Gazeta Express/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart