Haradinaj vendos t’i kthehet dialogut me Serbinë, propozon marrëveshje


13/12/2018

Në një takim me përfaqësuesit e vendeve e Quint-it, kreu i Qeverisë, ka paraqitur draftin e parë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ky draft-dokument iu është dërguar edhe të gjitha partive politike dhe bartëseve të institucioneve pra edhe presidentit Thaçi, dhe pritet që të diskutohet gjatë ditëve në vijim.

“Sot, përpara ambasadorëve të vendeve të Quint-it, kam paraqitur draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky draft-dokument është dokument mbështetës për procesin ekzistues të dialogut, si dhe aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi”, ka njoftuar Haradinaj përmes profilit të tij zyrtar në facebook, raporton Gazeta Express.

Shefi i Dialogut Teknik, Avni Arifi, në këtë takim ka prezantuar kapitujt, që për ne do të përbëjnë parametrat kryesorë të marrëveshjes, e cila do t’i hapë rrugë normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Draft-dokumenti me anekset përcjellëse, iu është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të të gjitha subjekteve politike. Në ditët dhe javët në vijim, ky draft-dokument do të diskutohet me të gjitha palët në shoqërinë tonë, për të arritur te dokumenti përfundimtar, ku do të përfshihet ekspertiza e të gjithëve”, përfundon njoftimi.

Deri tani dialogun me Serbinë e ka udhëhequr presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi./GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart