Vetaksidenti me autobus ku u lënduan 23 persona, ngrihet aktakuzë ndaj shoferit


13/12/2018

Rasti ka të bëjë me aksidentin që ka ndodhur në vendin Dydesh, në Komunën e Istogut, në maj të këtij viti, shkruan Gazeta Express.

U nisën për të vizituar vendet turistike të Kosovës, por udhëtimi iu ndal në gjysmë. Kjo pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin një grup i grave nga Ferizaj, u vetaksidentua.

Në ditën e aksidentit në emergjencën e spitalit të Pejës, trajtim mjekësor kërkuan 28 udhëtarë.

Sipas hetimeve të para nga Policia e Kosovës shkak i aksidentit është mospërshtatja e shpejtësisë së minibusit me kushtet e rrugës me çka shoferi ka humbur kontrollin e automjetit me ç’rast ka goditur një pemë në anën e djathtë të rrugës.

E aktakuza e prokurorisë së Pejës, thotë se i pandehuri S. K., më datën 5 maj të viti 2018, në rrugën Istog-Novosellë, tek vendi i quajtur Dydesh, derisa ishte duke drejtuar autobusin e markës Iveco, me të cilin po transportonte pasagjerë, duke mos u kushtuar kujdes kushteve të rrugës dhe mospërshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, humb kontrollin mbi autobus dhe  del nga korsia e rrugës, ku përplaset për disa lisa, ashtu që si pasojë e kësaj  5 (pesë) udhëtarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore, kurse 18 (tetëmbëdhjete) të tjerëve u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /GazetaExpress/

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart