A do të mbetet Kadri Veseli i palëkundur për taksën


17/01/2019

Pas dy muajve prej kur i ka vënë taksë prej 100 për qind, Haradinaj është mbështetur me shpatulla pas muri nga ndërkombëtarët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar sanksionimin. Vetë kryeministri la të kuptohet se nuk do të mundë të udhëtojë drejt SHBA-së pikërisht për shkak të taksës. 

E, pak javë më parë janë partnerët qeveritarë ata që i kishin kërkuar kryeministrit që në asnjë mënyrë të mos tërhiqet nga vendimi i tij për bllokadën që ua vuri produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake.

Kadri Veseli në Pressing të T7, në dhjetor të vitit të kaluar tha se i ka kërkuar kryeministrit që të mos tërhiqet nga vendimi, kur Haradinaj i kishte kërkuar këshilla.

“Çështja nuk ka qenë se si të ngrihet taksa, por si të mos hiqet taksa. Kjo është ajo çfarë kam biseduar me kryeministrin, se si të jemi serioz që kur të ngrihet taksa, më të mos hiqet”, kishte thënë Veseli.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha dje në Pressing se vendimi për taksën do të duhej të shqyrtohej pas kërkesës nga SHBA.

Në dhjetor të vitit të kaluar, pak pasi kryeministri Haradinaj kishte vendosur ta rriste në 100 për qind taksën ndaj produkteve Serbisë, Veseli thoshte se shefi i ekzekutiv është konsultuar vazhdimisht me të.

“Javëve të fundit, disa javë të fundit, kryeministri i Republikës disa herë ka kërkuar këshillë nga unë si partner i koalicionit për ngritjen e tarifës. Dhe, unë e kam mbështetur atë”, thoshte Veseli.

“Ajo çfarë kam kërkuar nga kryeministri është kjo: Të ketë një plan. Ai më ka siguruar ka një plan, nuk do të rriten çmimet dhe nuk do të rritet kontrabanda në Veri”.

Madje, kreu i PDK-së thoshte që ka qenë ide e tij që mallrat serbe të sanksionoheshin me tarifë të qindpërqindtë. Mirëpo, pas presionit nga Amerika, partnerët qeverisës më nuk po provojnë të marrin merita për këtë vendim.

“Është e vërtetë edhe kam kërkuar që taksa të jetë 100 për qind, për çka ai është pajtuar dhe e ka marrë vendimin atë ditë”, ishte shprehur kryeparlamentari.

Veseli akoma nuk ka folur në fazën e re ku ndërkombëtarët kanë intensifikuar thirrjet e tyre për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Megjithatë, zëvendësit e tij nëpër studio televizive po flasin për maturinë që tash duhet të tregojë Haradinaj, për të shqyrtuar kërkesat për pezullimin e taksës. /Express/

PRESSING, Kadri Veseli – 03.12.2018

Uploaded by T7 on 2018-12-03.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart