Kthehu lart

Hamiti: Diplomacia e Kosovës, në paralizë totale

Hamiti: Diplomacia e Kosovës, në paralizë totale GazetaExpress

Ish-ambasadori i parë i Kosovës në Britaninë e Madhe, Muhamet Hamiti, ka thënë në një intervistë për "Shekulli" se diplomacia e Kosovës është e papërgatitur dhe në një ngërç të madh.

Si e komentoni refuzimin që iu bë Kosovës për t’u bërë pjesë e Interpolit?

Rezultati i votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit ditën e martë, më 20 nëntor 2018, në Dubai, dëshmoi se Kosova ka hyrë e papërgatitur në këtë proces anëtarësimi. Ishim larg 2/3 të votove pro të pjesëmarrësve. Udhëheqësit e Kosovës kanë qenë skajshmërisht jo serioz në këtë ndërmarrje. Një ditë më herët, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e shpalli efektivisht të mirëqenë punën e anëtarësimit të vendit tonë në Interpol. Edhe po të ishte e vërtetë, ai s’duhej ta deklaronte një gjë të tillë. Doli e vërteta se kemi qenë larg anëtarësimit. Rezultati i votës nxori në sheh atë që vëzhguesit e kujdesshëm e kanë parë moti: ka një çakordim të pashembullt të aktorëve institucionalë në politikën e jashtme të vendit tonë. Mbasi dështimit në Dubai, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e tha me fjalët e veta këtë, në një postim në facebook: “E kam përcjellë procesin e aplikimit për anëtarësim me shqetësim dhe atë të votimit me dëshpërim të madh. Gjatë gjithë procesit kam pasur rezervat e mia dhe drojën e një epilogu të tillë. Pozita aktuale e Kosovës në arenën ndërkombëtare pamundëson anëtarësime ku kërkohet votim me 2/3-ta….

Ftoj institucionet shtetërore dhe partitë politike të Kosovës që të kuptohet realiteti aktual dhe domosdoshmëria e arritjes së marrëveshjes paqësore gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që nënkupton njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE.” Kjo deklaratë e Presidentit lë të kuptohet se ai dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë qenë në ujdi rreth aplikimit për anëtarësim në Interpol. Se, përndryshe, pse të aplikosh nëse e di apriori se nuk mund të marrësh 2/3 votave të kërkuara? Presidenti, ndërkaq, këtë dështim tani do ta kthejë në favor të angazhimit të tij për dialog me Serbinë, duke kërkuar që të gjithë të mblidhen rreth tij, me idenë që gjoja marrëveshja me Serbinë, përveç njohjes reciproke të Kosovës e Serbisë, do të siguroka anëtarësim të Kosovës në OKB, në NATO dhe në BE. Ky është një supozim i pambështetur, për të mos thënë amatoresk. Serbia paska tagër që t’i sigurojë Kosovës vend në këto organizata?! Nëse ka, ajo do të bëjë çmos që Kosova të mos hyjë atje. Qëllimi i Serbisë është të ndajë Kosovën, ta zvogëlojë vendin tonë territorialisht dhe të rrëgjojë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit tonë. Thjesht të bëjë një shtet vasal, të cilin edhe mund ta njohë vetë, por s’mund t’i bëjë të tjerët ta njohin.

A mendoni se diplomacia e Kosovës nuk ka arritur të bëjë mjaftueshëm për këtë çështje?

Diplomacia e Kosovës është në një ngërç të madh – në paralizë totale – mbas iniciativës serbe për ndarje të Kosovës. Dikush e quan shkëmbim territoresh, dikush tjetër korrigjim kufijsh idenë serbe, të mbështetur nga Rusia, aty-këtu edhe nga zyrtarë evropianë e tutje. Idenë që e ka pranuar, madje e ka bërë të veten, Presidenti i Kosovës, me argumentin që e përmenda më sipër, në përgjigje ndaj pyetjes suaj të parë. Mbasi që kjo ide për ndarje/shkëmbim territoresh për një zgjidhje përfundimtare për Kosovën është bërë botore, duket se shumë vende, edhe ashtu jo fort entuziaste për të njohur pavarësinë e Kosovës, priren të besojnë, siç argumenton Serbia, se çështja e Kosovës është e hapur, siç është hapur puna e kufijve. Domethënë se është bërë kthim prapa. Ky është dëmi që ka pësuar Kosovës – vendi me më shumë se 100 njohje ndërkombëtare dhe legjitimim të pavarësisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – nga afirmimi i idesë për kompromise të reja me Serbinë, duke përfshirë edhe në punë të territorit.

Po për liberalizimin e vizave, a jeni optimist se vitin e ardhshëm do të kemi një përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian?

Kosova ka përmbushur praktikisht të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja për liberalizim të vizave. Mirëpo, nuk jam optimist se kjo do të ndodhë as vitin e ardhshëm. Me një establishment politik e qeveritar që kemi – të padijshëm e të papërgjegjshëm, të çakorduar fare – BE-ja do të vazhdojë të sillet me vendin tonë me shpërfillje, për të mos thënë me përbuzje. Njerëzit tanë kanë parë sa e sa herë festat që kanë bërë udhëheqësit e Kosovës në këto vitet e fundit kur këta, në mënyrë naive, kishin besuar se po kryhej puna e vizave. Thaçi dhe Haradinaj, po edhe zyrtarë të tjerë, kanë folur në emër të BE-së duke dhënë afate, madje data, për liberalizim të vizave, madje duke uruar popullin e Kosovës për këtë, që tash janë në të kaluarën jo fort të afërt.

Çka duhet të bëjë Kosova për të dalë nga gjendja aktuale?

Klasa politike e Kosovës në Qeveri dhe në opozitë duhet të mbledhë mendtë. Është koha që të ndalet degradimi i Kosovës, të shpëtohet Republika jonë e dashur, për të cilën janë bërë kaq shumë sakrifica. Kosova është katandisur keq nën drejtimin e establishmentit pushtetor aktual. Duhet të mbledhë mendtë edhe elektorati i Kosovës. Nëse bën zgjedhje çfarë ka bërë – produkt i të cilës është elita pushtetore aktuale – dhe sheh rezultatet katastrofale të kësaj zgjedhjeje, koha është të mendojë mirë e të zgjedhë njerëz me integritet moral e profesional, njerëz të besueshëm e të besës. Njerëzit që s’i kanë këto cilësi s’mund të bëjnë punë të mira për Kosovën.

*Muhamet Hamiti, profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë zëdhënës dhe këshilltar i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Po ashtu, ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

    Data: 22 Nentor 2018 18:50
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera