Kthehu lart

Eksperti amerikan: Kosova të ketë kujdes, diktatori turk Erdogan po promovon agjendën e tij islamike

Eksperti amerikan: Kosova të ketë kujdes, diktatori turk Erdogan po promovon agjendën e tij islamike GazetaExpress

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir, thotë se zhvillimet e brendshme politike në Kosovë po krijojnë një përshtypje të një shteti të paqëndrueshëm politikisht. Sipas tij zgjidhja përfundimtare me Serbinë do të jetë vështirë e arritshme, përderisa në këtë çështje përfshihet edhe Rusia. Meir në një intervistë për Gazetën Express thotë që BE-ja duhet të ushtrojë presion, dhe anëtarësimin e Serbisë në BE, ta lidh me zgjidhjen përfundimtare të status-quos me Republikën e Kosovës.

GazetaExpress: Prof. Ben Meir, Kosova ende po përballet me izolim dhe është shteti i vetëm në Ballkan që nuk ka liberalizim të vizave. Pse BE-ja nuk po e përfundon këtë proces?

Ben-Meir: Mendoj se “izolimi” i Kosovës po shkaktohet nga dy arsye: mosmarrëveshja e vazhdueshme me Serbinë dhe dështimi i Kombeve të Bashkuara për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur. Një arsye tjetër me më pak ndikim është edhe shqetësimi lidhur me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, të cilat e krijojnë përshtypjen e gabuar se Kosova nuk është vend i qëndrueshëm politikisht.

GazetaExpress: Duke e ditur se Serbia është lojtari kryesor i Rusisë në Ballkan, si e shihni ndikimin e këtij fakti në procesin e dialogut apo përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Ben-Meir: Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës do të jetë e vështirë për t’u arritur përderisa Rusia vazhdon ta mbështesë pozicionin e Serbisë. Sidoqoftë, unë besoj fuqishëm se BE-ja duhet të ushtrojë presion politik dhe ta ndërlidhë dëshirën e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE me njohjen e Kosovës nga Serbia.

GazetaExpress: Vetëm para pak kohësh, Serbia, e ndihmuar nga Rusia, e parandaloi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ben-Meir: Mendoj se ky ishte një gabim i tmerrshëm i Rusisë dhe Serbisë që nuk e lejuan Kosovën të anëtarësohet në Interpol dhe UNESCO. Vërtet, pavarësisht mospajtimeve, secili shtet, përfshirë edhe Kosovën, duhet të jetë i mirëseardhur, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë ndërkombëtare.

GazetaExpress: Ju jeni ekspert për zgjidhje të konflikteve. Si e shihni zgjidhjen e konfliktit politik mes Kosovës dhe Serbisë?

Ben-Meir: Sipas këndvështrimit tim, konflikti mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet duke u mbështetur në njohjen reciproke, duke pasur parasysh se kjo e ndërton mekanizmin politik për të lejuar ndërveprime shoqërore, ekonomike dhe kulturore mes zonave ku serbët janë shumicë në Kosovë. Duke e pasur parasysh faktin se dikur ka ekzistuar vetëm një shtet, ndryshimet e rregullave janë pak ose fare të nevojshme, përderisa zgjidhja politike të jetë në përputhje me pavarësinë e Kosovës dhe dëshirën e Serbisë për t’i mbajtur marrëdhëniet e vazhdueshme në atë rajon. Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës mund të zgjidhet vetëm nëse Serbia e zbut qëndrimin e vet dhe e njeh pavarësisnë e Kosovës. Sigurisht, ekziston një mosmarrëveshje territoriale, por unë besoj fuqishëm se vetëm BE-ja duhet të përfshihet seriozisht në negociatat mes dy palëve, të cilat i shërbejnë përfundimisht interesit të BE-së në rajon.

GazetaExpress: Cilat duhet të jenë pritjet e Kosovës nga administrata e Trumpit?

Ben-Meir: Unë nuk besoj se Kosova duhet të presë ndonjë gjë, të mirë apo të keqe, nga administrata e Trumpit sepse Trumpi është i preokupuar me shumë gjëra të ndryshme, sigurisht më tepër me hetimin e vazhdueshëm të prokurorit special, Mueller. Unë nuk jam i befasuar që administrata e Trumpit ka folur pak ose s’ka thënë asgjë për ta mbështetur Kosovën. Për fat të keq, politika e jashtme e Trumpit është duke shkuar zvarrë, ndërsa ne ende duhet të presim për ta parë një qasje koherente të politikës së jashtme ndaj ndonjë shteti në veçanti.

GazetaExpress: Këshilltari kryesor i Trumpit, John Bolton, njihet për deklaratat e tij kundër pavarësisë së Kosovës. Sa ndikon kjo në angazhimin e administratës së Trumpit në çështjet e Kosovës?

Ben-Meir: Ndonëse John Boltoni ka thënë se pavarësia e Kosovës paraqet rrezik për stabilitetin e Ballkanit, kjo është thënë para disa viteve. Ashtu siç e dini shumë mirë, ka mungesë të fokusit të administratës së Trumpit në Ballkan. Prandaj, nuk mendoj se ka shumë rëndësi se çfarë mendon John Boltoni në këtë fazë.

GazetaExpress: A duhet të brengosen udhëheqësit kosovarë për mungesën e fokusit të drejtpërdrejtë të administratës së re të Shtëpisë së Bardhë?

Ben-Meir: Korrupsioni politik në Kosovë duket se nuk po e shqetëson administratën e Trumpit dhe mediet amerikane shkruajnë shumë pak për këtë çështje. Duke e pasur parasysh këtë fakt, politikanët kosovarë duhet të vënë rregull në “shtëpinë e vet” sepse vendi ka nevojë ta projektojë veten në një mënyrë të besueshme para komunitetit ndërkombëtar dhe është gjithashtu e rëndësishmë se si vet kosovarët e vlerësojnë qeverinë e tyre.

GazetaExpress: Z.Ben-Meir, ju i keni publikuar disa artikuj me të cilët e alarmoni Kosovën për ndikimin e Erdoganit. Cila është këshilla juaj për Qeverinë e Kosovës?

Ben-Meir: Nëse nuk kanë mundur të përballen me korrupsionin e politikanëve në Kosovë, ata kanë mundur të përballen me Erdoganin sepse ky diktator turk e ka vetëm një interes, ta promovojë agjendën e tij islamike dhe t’i ringjallë gjurmët e Perandorisë Osmane. Prandaj, për të Kosova duhet të jetë brenda sferës së tij të ndikimit. Qeveria e Kosovës duhet të zgjohet dhe ta ndalojë këtë tatëpjetë të rrëshqitshme dhe ta parandalojë kontrollin e Erdoganit ndaj shumicës së infrastrukturës së Kosovës dhe të mos e ketë fjalën e fundit në politikën e brendshme ose të jashtme të Kosovës.

Alon Ben-Meir është ekspert amerikan për politikën dhe çështjet e Lindjes së Mesme, Turqisë dhe Ballkanit, i specializuar për bisedimet e paqes mes Izraelit dhe shteteve arabe. Gjatë njëzet e pesë viteve të kaluara, Ben-Meir ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në bisedime të ndryshme diplomatike dhe është përkrahës i palëkundur i Nismës Arabe të Paqes.

    Data: 12 Dhjetor 2018 10:52
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera