Intervistë| Dardan Gashi: LDK po vepron me urdhra të Kurtit, është shndërruar në Degë të VV’së


05/01/2019

Madje, ish-zyrtari i LDK’së ka deklaruar se Partia e Isa Mustafës është bërë Degë e Vetëvendosjes.

Dardan Gashi ka vlerësuar se disa eksponentë – sidomos gjenerata e re e LDK’së – më shumë besojnë në idetë e Albin Kurtit se sa në vizionin e Ibrahim Rugovës.

“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi, në një intervistë për Gazetën Express.

“Me këtë politikë, LDK është Degë e Vetëvendosjes. Nuk është duke vepruar si parti politike por po vepron sipas dëshirave dhe inercioneve të prodhuara nga Albin Kurti”, ka shtuar ai.

Njëri prej anëtarëve të Ekipit Negociator thotë se udhëheqës të negociatave me Serbinë, sa herë të takohen delegacionet në nivel presidentësh, do të jetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ka thënë se e njëjta logjikë vlen nëse takimet do të ndodhin ne nivel kryeministrash apo kryetaresh të Parlamenteve.

Ka treguar se Parlamenti i Kosovës nuk i ka dhënë Ekipit të Dialogut mandat të flasë për kufijtë. Por, në fund ka thënë se do të ndodhë edhe shënjimi i vijës kufitare me Serbisë siç ka ndodhur me Malin e Zi e Maqedoninë.

S’flasim për kufij

Express: Çka është duke ndodhur me dialogun dhe qysh po e shihni fundin e procesit ku po përmenden ndryshimi i kufijve, korrigjimi i kufijve, njohja nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në OKB?
Dardan Gashi: Fundi asnjë procesi nuk i dihet. Mirëpo, ne e dimë çka dëshirojmë. Për ne si Kosovë dhe si delegacion, fundi i procesit, duhet të sjellë marrëveshje reciproke për njohje, anëtarësim të Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare.

Express: A e ka të qartë Qeveria e Kosovës përkatësisht Ekipi Negociator se çka nënkupton ideja e Presidentit për korrigjim e ndryshim kufijsh?
Dardan Gashi: Ne nuk kemi mandat për të negociauar për kufij. Mirëpo, përfundimi i procesit, natyrisht, duhet të vijë edhe me një demarkim të kufirit siç ka ndodhur me shtetet fqinjë: Maqedoninë e Malin e Zi. Në fund të procesit do të jetë edhe kjo temë: Përcaktimi i saktë i vijës kufitare mes dy shteteve.

Express: Presidenti i SHBA’së ka kërkuar një marrëveshje të balancuar Kosovë-Serbi. Rrjedhimisht, çkado që fiton Kosova të fitojë edhe Serbia. E ka të qartë Delegacioni i Kosovës se çka do të fitojë dhe humbë Kosova në këtë proces?
Dardan Gashi: Ne kemi shumë tema të hapura me Serbinë, duke filluar nga të pagjeturit, temat ekonomike, dëmet e luftës e shumë tema të tjera. Ne synojmë t’i mbyllim të gjitha këto tema. Do të thotë të përfundojë procesi i dhimbshëm i personave të pagjetur. Të përfundojë procesi i dëmeve të luftë dhe i problemeve që i kemi si shtet me trashëgimin ekonomike dhe për borxhet. Kurse tema politike do t’i shohim kur të dalin në tavolinë. Deri më tash nuk i kemi asnjë kërkesë as të vendeve përendimore as nga Serbia për këto tema që po i përmendni ju.

Express: Megjithëkëtë, edhe Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme te BE’së, po edhe Këshilltari për Siguri i Presidentit Trump kanë thënë se nuk e kundërshtojnë një marrëveshje, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve, nëse pajtohen të dy palët?
Dardan Gashi: Natyrisht, shtetet mike, neve na e kanë bërë të qartë se do ta përkrahin çfarëdo zgjidhje që ne do të pajtohemi dhe dakordohemi. Nëse ne si Kosovë çfarëdo që pranojnë do ta pranojnë edhe shtetet mike. Ky është një lajm i mirë. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të bëjmë lëshime. Ne synojmë përmbylljen e procesit të pavarësisë në aspektin ndërkombëtar, duke i mbyllur të gjitha temat që kemi me Serbinë dhe me vendet që pengojnë Kosovën si subjekt ndërkombëtar. 

Dialogun e udhëheq Presidenti, Kryeministri…

Express: Është bërë debat se kush është udhëheqës i Delegacionit të Kosovës. A është Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti apo këtë Ekip e udhëheq Presidenti?
Dardan Gashi: Delegaconi shtetëror udhëhiqet prej Fatmir Limajt e Shpend Ahmetit. Kjo është shumë e qartë.

Express: Cili është roli i Presidentit në këtë delegacion?
Dardan Gashi: Edhe në Projektligjin e dërguar për miratim në Parlament është specifikuar roli i Presidentit dhe përfaqësuesve tjerë – Kryeministrit dhe Kryeparlamentari – kanë rolet kushtetuese. Këto role nuk janë të negociueshme gjatë këtij procesi. Aty ku thirret si President do të jetë Presidenti. Njëjtë vlen për kryeministrin dhe Kryeparlamentarin. Ne kemi mandatin për t’i filluar dhe përfunduar bisedimet.

Express: Por, Kushtetuta shkruan se Presidenti është udhëheqës i politikës së Jashtme. Kjo nënkupton se Presidenti është udhëheqës i dy bashkryesuesve të Ekipit Negociator?
Dardan Gashi: Në raste të caktuara do të thotë Presidenti do të jetë i ftuar si i tillë dhe bashkëdrejtuesit do të jenë aty. Me Kushtetutë i takon që ai të jetë aty në rolin e udhëheqësit. Kjo nuk mund të mohohet. Mirëpo, Ekipi Negociator është votuar në Parlament dhe e ka mandatin e plotë të deputetëve.

Express: Ta sqarojmë edhe pak rolin e Hashim Thaçit…
Dardan Gashi: Nuk kemi asnjë konflikt me rolin e Presidentit.

Express: Për herë të parë po e përmendni se Hashim Thaçi kur është bashkë me dy bashkëkryesuesit atëherë Presidenti është udhëheqës i ekipit?
Dardan Gashi: Po. Por, njëjtë do të jetë edhe po të jetë Kryeministri apo Kryeparlamentari. Kur është takimi në nivel presidentësh, nuk mund të takohet Presidenti i një shteti tjetër, me Presidentit tonë, e të udhëheqi unë atë takim. Ky është absurd.

Express: Çka është duke ndodhur me Qeverinë meqë është përmendur gjatë vitit të kaluar rrëzimi, shkarkimi, largimi?
Dardan Gashi: Roli i opozitës është të bëjë thirrej për rrëzimin e Qeverisë. Kjo opozitë e ka bërë prej ditës së parë. Kemi qenë stabil prej fillimit. Kurrë më stabil s’kemi qenë. Buxheti ka kaluar në lexim të parë. Do të kalojë gjatë janarit edhe në lexim të dytë. Është thënë se kjo Qeveri është e dobët, ndërsa, u pa se në këtë mandat u votua Ushtria, t’i miratojë ligjet.

Express: Kur mund të ketë zgjedhje të reja?
Dardan Gashi: Zgjedhje do të ketë kur të pajtohen të gjitha partitë politike. Pra, zgjedhje do të ketë kur partitë e koalicionit vendosin të shkojnë në proces elektoral. Opozita s’i ka as numrat, as fuqinë e as mundësinë të rrëzojë Qeverinë.

LDK, Degë e Albin Kurtit

Express: Qysh po e shihni rolin e LDK’së, e cila s’po bëhet pjesë e dialogut?
Dardan Gashi: Është fatkeqësi që LDK nuk është pjesë e këtij procesi hisotrik. Do të duhej të kishte qenë në udhëheqje të këtij procesi ose në bashkëudhëheqje duke pasur parasysh historinë e LDK’së, historinë e themeluesve të saj. Ju e dini, se gjithë ata që janë për një kohë të gjatë në LDK, duke përfshirë edhe disa që janë brenda LDK’së, janë të mendimit se LDK po gabon që s’po bëhet pjesë e dialogut.

Express: Kush janë ata që po thonë se LDK po gabon pse s’po hyn në dialog?
Dardan Gashi: Ndoshta nuk e thonë në mënyrë eksplicite. Por, ju e shihni se disa eksponentë të LDK’së, thonë se pa LDK’në s’do të ketë dialog. Kjo implikon dëshirën e drejtë dhe reale që LDK të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë.

Express: Sipas jush, pse LDK s’po bëhet pjesë e këtij dialogu?
Dardan Gashi: Në radhë të parë është pasojë e jostabilitetit të brendshëm të kësaj partie. Nuk ka kohezion brenda. Nuk ka një zë të qartë në LDK dhe rrjedhimisht duket se është vendim i vështirë të merr që të bëhet pjesë e dialogut. Megjithëse, ky vendim do të duhej të ishte i natyrshëm për LDK’në. Nuk është ky aspekt elektoral. Është aspekt historik. Nëse nuk merr pjesë, LDK e humb edhe rolin historik që ka pasur, edhe rolin institucional. Nëse s’merr pjesë, LDK duhet ta ridefinojë vetveten. Më shumë po vepron me inercion kah Albin Kurti se sa kah Ibrahim Rugova.

Express: Një pjesë e deputetëve kanë kundërshtuar çdo mundësi për hyrje në dialog me Serbinë?
Dardan Gashi: Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista”. Mënyra se si janë duke vepruar tash, me bojkote të Kuvendit, me bojkote të institucioneve, me bojkote të miqve ndërkombëtarë, nuk janë duke e luajtur rolin që e ka pasur deri më tash LDK’ja.

Express: Sivjet LDK do të ketë zgjedhje të brendshme. Do të jeni pjesë e këtij procesi apo keni ndonjë ide se kënd do ta përkrahni?
Dardan Gashi: Tash, njerëzit e LDK’së do të jenë pjesë e garës, nuk po them personalisht, por njerëz të ndryshëm që sot nuk janë në udhëheqësi të LDK’së sigurisht se do të marrin pjesë në këtë proces. Do të favroziojnë dhe ndihmojnë atë grupim që është pro vazhdimit të rolit “rugovistë”.

Express: Kënd do ta përkrahni ju: Vjosa Osmanin, Lutfi Hazirin, Agim Veliun, Isa Mustafën, Kujtim Shalën, Avdullah Hotin, Fatmir Sejdiun?
Dardan Gashi: Ende nuk ka kandidatë. Në atë moment që do të ketë kandidatë, njerëzit, do të përcaktohen se kënd do ta përkrahin. Mirëpo, do të përkrahen ata njerëz që janë në vijën e “rugovizmit” dhe rolit institucional të LDK’së e jo avanturistë, të cilët tentojnë ta shndërrojnë LDK’në në krejt dicka tjetër.

Express: Një kohë e patët përkrahur Isa Mustafën për Shef të LDK’së?
Dardan Gashi: Natyrisht, se e kemi përkrahur z. Mustafa. Mirëpo, ai kohëve të fundit, është pak e çuditshme, se si mund LDK të ketë një qasje refuzuese ndaj dialogut dhe këshillave të miqve ndërkombëtarë. Po të kishte mundësi të rrëzohej Qeveria me bojkot dhe të kishte zgjedhje të reja do të kishte qenë pak e kuptueshme për pozicionin aktual të LDK’së. Por, gjithë e dijnë se me bojkot s’rrëzohet Qeveria. Mirëpo, duke u bërë bashkë me VV’në LDK e ka humbur rrugë. Sidomos, duke e parë qëndrimin e Albin Kurti dhe disa udhëheqësve të VV për Ibrahim Rugovën dhe LDK’në. Me këtë politikë, LDK është Degë e Vetëvendosjes. Nuk është duke vepruar si parti politike por po vepron sipas dëshirave dhe inercioneve të prodhuara nga Albin Kurti. Nuk besoj se baza e LDK’së është e kënaqur me këtë qasje të Isa Mustafës.

Ka vend për PSD’në në Qeveri

Express: Pse nuk e morët në Qeveri Shpend Ahmetin dhe PSD’në?
Dardan Gashi: Nuk e di. Është çështje e brendshme e PSD’së. Një gjë e di: po që se PSD është e gatshme të hyjë, në Qeveri ka disponim t’i krijohet një vend i merituar. Mirëpo, PSD ka pasur një qëndrim të prerë se nuk është e interesuar të futet në Qeveri.

Express: Dikush tha se PSD s’ka as njerëz për Ministra e Zëvendësministra pasi 12 deputetët e saj s’mund ta lëshojnë pozitën në Parlament?
Dardan Gashi: Nuk mund të flasë në emër të PSD’së, por, duke qenë pjesë e bisedimeve, PSD prej fillimit ke refuzuar idenë për të qenë pjesë e Qeverisë. Jo për shkak të këtyre që po i thoni ju. Por, për shkak se mendojnë se nga opozita mund ta ndihmojnë dialogun. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë veprim. PSD ka pasur kërkesa specifike në drejtim të Qeverisë. Qeveria i ka marrë parasysh. Iu kisha sygjeruar edhe patrtive tjera të marrin shembullin e PSD’së lidhur me kërkesat për përmirësimin e qeverisjes. Ne jemi të hapur edhe për dy partitë tjera.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart