Kthehu lart

Volkswageni dhe Fordi bashkojnë forcat për prodhimin e kamionçinave dhe veturave elektrike

Volkswageni dhe Fordi bashkojnë forcat për prodhimin e kamionçinave dhe veturave elektrike GazetaExpress

Dy prodhuesit gjigantë të veturave dhe mjeteve tjera të transportit, Volkswagen AG dhe Ford Motor Co, kanë deklaruar se do t’i bashkojnë forcat për prodhimin e modeleve të reja të mjeteve pët transport të mallrave dhe se janë duke bashkëpunuar për zhvillimin e teknologjisë elektrike dhe vetëvozitëse.

Prodhuesit synojnë të kursejnë miliarda euro nga ky bashkëpunim. Lajmin për fillimin e punës së përbashkët e kanë bërë të ditur shefat e dy kompanive gjatë panairit të veturave në Detroit. Shitjet e para të mjeteve transportuese nga ky bashkëpunim do të fillojnë në vitin 2022.

“Nuk është sekret që industria jonë po përjeton ndryshime thelbësore, përfshirë veturat elektrike, digjitalizimin, rregullat për lirimin e gazrave, vozitjen autonome dhe ndryshimin e preferencave të klientëve. Është e kuptueshme që në rrethana të tilla investimet të bashkohen”, tha shefi i Volkswagenit, Herbert Diess.

Aleanca do të qeveriset nga një komision i përbashkët, në të cilin do të jenë pjesë edhe shefat e dy kompanive. Ajo pritet t’u shërbejë kompanive për ta menaxhuar më lehtë koston e lartë të prodhimit të veturave elektrike dhe veturave vetëvozitëse, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

    Data: 15 Janar 2019 17:48
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera