Kthehu lart

Elvira Diamanti: Restaurimi i filmit shqiptar, i pamundur pa bashkëpunimin me Kosovën

Elvira Diamanti: Restaurimi i filmit shqiptar, i pamundur pa bashkëpunimin me Kosovën GazetaExpress

"Filmat kanë probleme, por restaurimi është një proces që ka një kosto të madhe, ndaj është menduar që të kemi një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe Ministrisë së Kulturës në Kosovë për të ndërtuar të parën studio restauruese për filmat”, pohon drejtoresha e AQSHF, Elivra Diamanti

Pas dixhitalizimit, sfida e radhës për kinemanë shqiptare është restaurimi i filmave, prodhimeve të viteve kur Kinostudio funksiononte. Regjisorë të ndryshëm shqiptarë, pohojnë se sot disa nga filmat që janë ndër më të njohurit dhe të vlerësuarit në kinematografinë shqiptare duhet të restaurohen, pasi në të kundërt kjo pasuri kombëtare do të humbasë. Filmi shqiptar ruhet në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, por restaurimi është një proces që kërkon fonde të mëdha, dhe ka një kosto të madhe për shteti shqiptar. Përballë kësaj gjendje, drejtoresha e AQSHF, Elivra Diamanti, pohon se puna në arkiv nuk është e paktë për filmat, por procesi i restaurimit nuk ka pas ekzistuar në vendin tonë që në kohën kur u themelua dhe Kinostudio. Për drejtoreshën Diamanti, e cila gjatë këtyre viteve falë punës së saj ka sjellë jo pak rezultate në AQSHF, problemi i restaurimit ka qenë i njohur prej vitesh. Në këtë situatë, drejtoresha Diamanti, pohon se për restaurimin e filmave shqiptarë, që janë në gjendje problematike po shihet mundësia e bashkëpunimit me Kosovën. Sipas saj, procesi i restaurimit nuk mund të përballohet vetëm me fonde të shtetit shqiptar. “AQSHF ka vetëm mirëmbajtjen e filmave, por dhe dixhitalizimin. Restaurimi i filmave nuk ka qenë as në kohën kur u themelua Kinostudio. Filmat kanë probleme, por restaurimi është një proces që ka një kosto të madhe, ndaj është menduar që të kemi një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe Ministrisë së Kulturës në Kosovë për të ndërtuar të parën studio restauruese për filmat”, pohon drejtoresha e AQSHF. Si në të gjitha pjesët që janë konsideruar trashëgimi kombëtare, edhe për filmin kineastët pohojnë se askush nuk pyet, dhe sot filma si “Liri a vdekje”, “Rrethi i kujtesës”, etj, rrezikojnë të humbasin. Por në një kohë kur dy vendet janë angazhuar të ndërtojnë të parën studio restauruese në mënyrë që prodhime të pazëvendësueshme të retrospektivës shqipfolëse të mos mbeten peng i fondeve apo studiove përtej oqeanit si në Shtetet e Bashkuara, drejtoresha e AQSHF pohon se disa nga filmat janë restauruar, por ky proces bashkëpunimi do vijojë. “Nëntori i Dytë” është restauruar në SHBA, por edhe “Skënderbeu”, apo dhe filmi “Toka” që është përfshirë në këtë proces restaurimi”, tregon drejtoresha e AQSHF, duke shtuar se ky proces në bashkëpunim me të huajt, më pas do të vijojë një tjetër film që do t'i nënshtrohet këtij procesi.

Kineastët: Po zhduket pasuria kombëtare

Regjisorë të njohur të filmit shqiptar si Esat Musliu apo Kristaq Mitro një pjesë të kësaj përgjegjësie ia delegojnë dhe Ministrisë së Kulturës. Për kineastët e njohur është e papranueshme që ndër vite nuk është folur për një fond restaurimi të dhënë nga Ministria e Kulturës, që të shpëtojë filmat që janë më në rrezik, e mes tyre radhiten “Liri a vdekje”, “Vitet e pritjes”, “Rrethi i kujtesës”, “Hije që mbeten pas”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Ballë për ballë”, etj, prodhime para ndërrimit të sistemit në vendin tonë. “Çdo gjë po shkatërrohet, ç’të flasim? AQSHF duket se ka mbetur si jetimët e shekullit, filmi me ngjyra po humbet, duhet të restaurohet. Filmi im “Liri a vdekje” i 1979 po humbet, por besoj që MK e di gjendjen e AQSHF, e cila ruan memorien e kombit, ka një pasuri të madhe dhe duhet të japë fonde”, tregon kineasti Kristaq Mitro. Por jo pak i ashpër në reagimin e tij është dhe regjisori Esat Musliu. “ Ministria të krijojë një fond për restaurimin e filmit, kjo kushton por po shkatërrohet pasuria kombëtare. Janë shumë filma që kërkojnë restaurim, sidomos ata me ngjyra. Filmat e mi si “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Hije që mbeten pas” ashtu si filmat e tjerë kërkojnë ndërhyrje urgjente restaurimi”, pohon regjisori Esat Musliu. Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar ruan filmin shqiptar që në fillimet e tij. Në ish Kinostudio janë prodhuar me dhjetëra filma, që sot konsiderohen si pasuri e madhe e kinematografisë shqiptare. Por me kalimin e viteve kjo pasuri kinematografike ka filluar të degradojë. Restaurimi i filmave është një proces që kërkohet nga shumë emra të njohur të kinemasë, të cilët shtojnë se filmat që sot janë në gjendjen më të keqe, janë dhe filmat më të kushtueshëm të Kinostudios.

/SotNews

    Data: 06 Prill 2014 10:49
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera