Kthehu lart

Abrashi: Dardania t’i dënojë ata që s’e përfunduan një plate për 4 vjet

Abrashi: Dardania t’i dënojë ata që s’e përfunduan një plate për 4 vjet GazetaExpress

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, në një bashkëbisedim me qytetarët, ka shpalosur të enjten programin e tij për lagjen “Dardania”, ku ka theksuar se banorët e kësaj lagjeje do të jenë ata që do të vendosin më 22 tetor për ta dërguar në shtëpi qeverisjen që për katër vjet nuk arriti ta përfundojë as “Pllatonë mbi Kurriz”.

Ai ka kritikuar cilësinë e ndërtimeve në këtë projekt, ndërsa ka theksuar se qeverisja në largim e Prishtinës, e ka lënë këtë lagje pa asnjë kujdes dhe pa asnjë investim serioz.

“Me të vërtetë është për keqardhje. Por, për katër vjet, në vitet 80-ta është ndërtuar krejt kompleksi i banesave të gjelbra në ‘Dardani’. Qeverisja aktuale e Prishtinës, për katër vjet nuk ka arritur ta renovojë as Pllatonë mbi Kurriz”, ka thënë Abrashi, duke theksuar se qeverisje të tilla meritojnë të shkojnë në shtëpi.

Abrashi ka theksuar se ka zhvilluar qindra takime me banorët e kësaj lagjeje të kryeqytetit, prej të cilëve ka marrë kërkesa, të cilat i ka përfshirë në projektin e tij për qeverisjen e ardhshme të komunës së Prishtinës.

Abrashi u ka premtuar banorëve të kësaj lagjeje ndërtimin e nënkalimeve për ta lehtësuar qarkullimin e tyre në drejtim të Lagjes Emshiri dhe lagjeve tjera të kryeqytetit.

“Ne do ta renovojmë tërësisht tunelin dhe kompleksin ‘Kurrizi’ si dhe do të fasadojmë të gjitha ndërtesat e kësaj lagjeje”, ka premtuar Abrashi, duke theksuar se do të zgjidhet edhe problemi me ujërat e zeza.

Abrashi ka premtuar rregullimin e ndriçimit publik, vendosjen e kamerave për ta shtuar sigurinë e qytetarëve, mirëmbajtjen e parqeve dhe mbjelljen e fidaneve të reja, një stazë vrapimi dhe mirëmbajtjen e këndeve të lojërave.

Abrashi ka premtuar edhe mirëmbajtjen e ashensorëve nëpër ndërtesa dhe vendosjen e interfonëve nëpër secilën hyrje.

“Ne kemi identifikuar lokacionet në të cilat duhet të vendosen mbeturinat, në mënyrë që kompania e pastrimit ta ketë më të lehtë t’i marrë ato dhe qytetarëve të mos u pengojnë. Ne do t’i zhvendosim ato deponi dhe të gjitha deponitë do t’i mbulojmë sipas një modeli suedez”, ka thënë Abrashi.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, u ka premtuar banorëve të lagjes “Dardania” ndërtimin e një tregu të vogël, në të cilin ata do të mund të furnizoheshin me gjërat që u nevojiten, ndërsa do të stimuloheshin edhe prodhimet bujqësore vendore.

Ai ka thënë se edhe në “Dardani”, në disa lokacione, do të ndërtohen parkingje nëntokësore dhe mbitokësore.

Abrashi u ka premtuar qytetarëve të kësaj lagjeje se si kryetar i Komunës së Prishtinës do të merret vetëm me Prishtinën dhe me problemet e qytetarëve të Prishtinës, e jo siç ka ndodhur me qeverisjen në largim, që pothuaj fare nuk është marrë me Prishtinën.

Kandidatja për Asambleiste nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshi, ka kërkuar mbështetjen e banorëve të Lagjes Dardania, duke theksuar se programi i LDK-së dhe kandidatit të saj për kryetar të Komunës së Prishtinës është konkret dhe do ta zhvillojë Prishtinën.

“Lagja ‘Dardania’ është një qytet më vete. Plani ynë e trajton të tillë këtë lagje. Ne do t’i përgjigjemi çdo kërkese të qytetarëve”, ka thënë Dumoshi.


    Data: 12 Tetor 2017 19:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera