Ministra dhe eurodeputetë kërkojnë përshpejtimin e zgjerimit të BE-së - Gazeta Express
string(69) "ministra-dhe-eurodeputete-kerkojne-pershpejtimin-e-zgjerimit-te-be-se"

Ministra dhe eurodeputetë kërkojnë përshpejtimin e zgjerimit të BE-së

Lajme

Gazeta Express

19/03/2024 11:33

Deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, dhe një varg ministrash të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së dhe kanë tërhequr vërejtjen se procesi duhet të përshpejtohet, pasi, sipas tyre, deri tash ka qënë tepër i ngadalshëm.

Ata kanë thënë se dinamika e procesit të zgjerimit duhet të përshpejtohet, edhe si përgjigje ndaj sfidave të reja gjeopolitike, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Lexo Edhe:

Deklaratat e tyre u bënë në një debat të përbashkët në Komisionin për Politikë të Jashtme të PE-së, me disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare, që u zhvillua të martën në Bruksel.

Kjo ishte hera e parë që një debat i tillë u zhvillua me praninë e eurodeputetëve dhe të ministrave të BE-së.

Debati u organizua vetëm dy ditë para se shefat e shteteve apo qeverive të BE-së të diskutojnë në Bruksel për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës, dhe për disa vendime tjera lidhur me zgjerimin.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha se zgjerimi i BE-së do të jetë temë edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet evropiane, dhe kërkoi nga Komisioni Evropian të dalë me propozimin e reformave që BE-ja duhet t’i bëjë për t’u përgatitur për zgjerim.

Në debat, disa ministra, sidomos ata nga vendet baltike, kritikuan BE-në për ngadalësimin e procesit të zgjerimit dhe për lëvizje të afateve kohore. Ata përmendën pritjet që Ukraina të niste negociatat e anëtarësimit me Ukrainën në mars apo prill, teksa tash një gjë e tillë nuk pritet së paku deri në qershor.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Kristijanis Karins, ka thënë se Evropa nuk mund të lejojë që në kontinent të ketë zona gri, sepse, sipas tij, ato zona do të tentojë t’i zaptojë Rusia.

Ai bëri thirrje që së paku në qershor të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe me Moldavinë. Karins shprehu shpresën që edhe Bosnje e Hercegovina të kualifikohet për të nisur negociatat, ndërsa që vendet tjera të Ballkanit Perëndimore të lëvizin në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se, sikur të mos ishte zgjerimi i BE-së dhe zgjerimi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) para njëzet vjetësh, vendi i tij sot nuk do të ishte vend i pavarur.

Anëtarësimi në BE dhe në NATO, tha ai, është dëshmuar të jetë çështje e ekzistencës së shtetit.

Ai e vlerësoi zgjerimin si proces të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë në Evropë, ku, siç deklaroi, më nuk ka hapësira për neutralitet e as për zona gri.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila në dy mandate ka q,në edhe deputete e Parlamentit Evropian, ka rikujtuar se ka pasur shumë vonesa në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur pritjet e gjata për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe heqjen e vizave për Kosovën.

Ajo mbështeti idenë që viti 2030 të jetë vit kur BE-ja dhe vendet anëtare duhet të jenë gati për zgjerim. Fajon tha se vendet e Ballkanit Perendimorë dhe tri vendet lindore që tani janë kandidate mund të avancojnë paralelisht.

Edhe ministrat nga Danimarka dhe Austria thanë se Evropa ka ndryshuar, dhe se zgjerimi tash është i domosdoshëm. Por, ata përsëritën se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate, që të përmbushin kriteret përmes reformave.

Ministri për Çështje Evropiane i Finlandës, Anders Adlercreutz, apeloi që përshtatja me politikën e jashtme të BE-së të jetë kusht në procesin e zgjerimit.

Ai, po ashtu, tha se siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme, jo vetëm për këtë rajon, por për mbarë Evropën.

Sekretari hungarez i Shtetit, Peter Sztaray, tha se në pjesën e dytë të vitit, kur Hungaria do ta ketë kryesimin e radhës të BE-së, zgjerimi do të jetë prioritet.

“Do të donin që gjatë vitit 2024 të hapim kapituj negociues me Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të mbyllim kapituj me Malin e Zi, dhe të nisim negociatat edhe me Bosnje e Hercegovinën”, u shpreh ai.

Deputetë të Parlamentit Evropian, në fjalimet e tyre, kërkuan që vendet e BE-së të jenë më korrekte në vendimet e tyre dhe të mos bllokojnë vendet kandidate, kur ato t’i përmbushin kriteret në procesin e zgjerimit.

Në këtë debat, megjithatë, nga vendet anëtare ishin pak a shumë ata ministra që kishin mendim më pozitiv për zgjerimin.

Në debat u pa mungesa e ministrave nga tri vendet më të mëdha anëtare, Gjermania, Franca dhe Italia./REL