Intelektuali Antiopozitar Mero Baze - Gazeta Express
string(35) "intelektuali-antiopozitar-mero-baze"

Ballina

Ermal Mulosmani

06/05/2021 13:01

Intelektuali Antiopozitar Mero Baze

Ballina

Ermal Mulosmani

06/05/2021 13:01

Prej në fillim më duhet të bëj një sqarim. Titulli që kisha në kokë përpara se ta nisja këtë shkrim ishte “Përballë Antiopozitarizmit”.  Duke qenë se jo rrallë më ka ndodhur të kem përafri titujsh, e ndonjëherë edhe konceptesh, me shkrime të shkruara në kohë e nga njerëz të tjerë, më është bërë zakon që përpara se të nis shkrimin bëj një kërkim në google. Rezultati këtë radhë ishte jashtëzakonisht mbresëlënës. Më doli përpara një libër me titullin “Përballja me Antiopozitarizmin” me autor gazetarin Mero Baze!

U shtanga! E lashë shkrimin që kisha ndërmend dhe fillova të lexoj ato që shkruante Mero.

Lexo Edhe:

Në kapitujt që lexova, gazetari përshkruante masakrën elektorale të zgjedhjeve lokale të 1 Tetorit 2000 dhe të 24 Qershorit 2001,  bërjen palë me qeverinë të të gjithë faktorit ndërkombëtar me në krye ish-ambasadorin amerikan të kohës Jozef Limpreht (të cilin e quan “një mbështetës entuziast i qeverisë”), blerjen e mediave kryesore nga qeveria e Metës, bashkëpunimin e bandave me qeverinë (përmendte me emra konkretë bandën e Durrësit) dhe, vini re, përdorimin e listave të Referendumit të Kushtetutës 1998 si bazë për hetimin e përkatësisë politike!

Këtu po ndalem pak për kontekstualizimin e situatës së atëhershme. Në Referendumin e vitit 1998 Opozita e kryesuar nga Berisha bëri thirrje për mospjesëmarrje. Për pasojë, njerëzit që nuk kishin marrë pjesë në atë Referendum, në një masë të madhe, u dekonspiruan si mbështëtës të Opozitës.

Imagjinoni pak. Është e njëjta situatë me zgjedhjet lokale të 2019-ës. Abstenimi opozitar u bë shkak për identifikimin e votuesve kundërshtarë. Me një përjashtim. Në atë kohë lideri i opozitës ishte Sali Berisha i ditëve më të zeza të tij- vetëm 3 vjet pas tragjedisë së 1997! Dukej se i gjithë qëndrimi ndërkombëtar, pro-qeveritar, mbështetej mbi atë fakt.

Atëherë nuk njiheshin Patronazhistët por sistemi ishte i njëjtë. Dredhia e atëhershme ishte e trashë; shumë prej opozitarëve të atëhershëm ishin hequr fare nga listat e zgjedhësve!

Tani atyre u blihen kartat e identitetit. Punë e paqme, fine, pa bujë.

Ja si shkruan gazetari për fraksionet antiopozitare të së djathtës:

Fraksionet antiopozitare brenda së djathtës filluan të shërbejnë si ilustrues të idesë se zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta dhe se Berisha kishte humbur. Fraksione të tilla filluan të shpërndanin raportin e qeverisë për zgjedhjet si qëndrim të tyre dhe bindën shumë diplomatë perëndimorë se problemi i vetëm ishte opozita.”

Nuk kishte se ku të shkonte më shumë përafria me situatën e tanishme. Megjithatë, pjesa më interesante e librit ishte teza e zotit Baze për Antiopozitarizmin. E gjithe ideja ime e parë e shkrimit mu zhbë. Mero e kishte dekonstruktuar aq bukur teorinë e intelektualit antiopozitar saqë mua më duhej veç ta citoja atë:

“ANTIOPOZITARIZMI  është fenomeni më negativ që është institucionalizuar ndonjëherë në Shqipëri, fenomen, ndaj të cilit pati kurajë gati kolektive të reagohej dhe në vitin 1946 nga një grup deputetësh dhe intelektualësh. Ky është një fenomen i shëmtuar, pasi po institucionalizohet në një shoqëri, e cila vjen nga një mungesë e madhe tradite pluralizmi politik. Antiopozitarizmi në një shoqëri të re postkomuniste është vdekje klinike e pluralizmit dhe, kur identifikohet me shtetin, është diktaturë me kostum pluralizmi ose pluralizëm me leje.”

Pra, sipas Bazes, antiopozitarizmi është vdekja klinike e pluralizmit ose pluralizëm me leje! Çfarë t’i shtoja unë më tepër kësaj teze?! Vazhdojmë më tej:

Qeveria e sotme qysh nga viti 1997 e ka gati si objektiv të parë antiopozitarizmin. Në planin politik ajo u përpoq të krijonte një zinxhir partish antiopozitare, të cilat në thelb nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen të shumëfishojnë zërin e qeverisë, duke i mbyllur rrugën shfaqjes së mendimit të vërtetë opozitar, duke i marrë asaj racionin e oksigjenit të rralluar të lirisë shqiptare. Këto janë parti që lindin gjithandej, në holle hotelesh, në paradhoma ministrish dhe kulisa ambasadorësh, me mision të vetëm për të relativizuar opozitarizmin e vërtetë.”

Zinxhir partish antiopozitare që shumëfishojnë zërin e qeverisë?!! Që lindin gjithandej, në paradhoma ministrish, holle hotelesh?! Uau! Ka gjë më aktuale se kjo? Por prit, ja të shohim:

Përpjekja e dytë e qeverisë është blerja e opinionit publik. Media shqiptare asnjëherë nuk ka qenë më e blerë dhe më e kontrolluar nga qeveria sesa është sot. E gjithë kjo bëhet që kryeredaktorët të heshtin dhe të mos iu paraqesin shqiptarëve vjedhjet monstruoze të njeriut që i shëtit me avion dhe iu fal para. Këto redaksi janë themeli i shtypit antiopozitar në Shqipëri, një shtyp i verdhë, pa dinjitet, por i bollshëm, si kashta që ta bën gjithmonë të vështirë gjetjen e kokrrave të grurit në një lëmë rrëmujë siç është Shqipëria.”

Pikërisht këtë kisha në fokus kur e nisa shkrimin. Por çfarë t’i shtoja Meros? I kishte thënë të gjitha. Megjithatë, pjesën më të bukur të kapitullit e lashë për në fund. Aty gazetari shkëlqeu me dinjitetin e opozitarit të flaktë:

“Përveç partive antiopozitare dhe shtypit antiopozitar qeveria po mban rreth vetes dhe një eskortë intelektualësh antiopozitarë. Nuk doja të citoja për keq asnjë prej tyre, por është e rëndë t`i thuash një shoqërie, më mirë të vidhen votat sesa të fitojë opozita. Hidhini një sy biografisë së tyre. Është një histori e tëra antiopozitare dhe jo një histori intelektualësh që kritikojnë qeveri dhe regjime. Është historia e atyre pak njerëzve që unë nuk po i shoh sot në këtë sallë dhe që pesë vjet më parë ishte problem i madh t`i ndalje së lavdëruari Sali Berishën.”

Ej, epiteti “eskortë intelektualësh antiopozitarë” është një perlë gazetareske! Uau! Është rëndë t’i thuash një shoqërie “Më mirë të blihen vota sesa të fitojë opozita” ishte një fjali me fuqi politike që tejkalon çdo fjalim!

Të gjitha këto i thoshte Mero i vitit 2001 në mbrojtje të Opozitarit Sali Berisha. Një leksion qytetarie, demokracie, opozitarizmi, qëndrestarie dhe dinjiteti të skajmë.

******

Sot, Mero Baze është zëri më përfaqësues i ANTIOPOZITARIZMIT.  Është “Kryeeskorta e intelektualëve Antiopozitarë” që me siguri thotë “Më mirë të blihen vota sesa të fitojë kjo opozitë”.

Një rast si ky i gazetarit Mero Baze,  përmend George Orwell në esenë e tij “Mbi Nacionalizmin”. E ka fjalën për një shkrimtar mjaft të talentuar të kohës, për të cilin ushqen respekt:

Chesterton, një shkrimtar me talent të madh zgjodhi të shtypë si ndjeshmëritë e tij ashtu edhe ndërshmërinë intelektuale për hir të kauzës së propagandës. “

Nëse do lexonte Mero i atëhershëm Meron -Kryeantopozitarin e sotëm do të ishte i pari që do ta fshikullonte. Ndërsa ky i sotmi do të bënte çmos të zhdukte kujtimet e trishta të së kaluarës.